Albspirit

Media/News/Publishing

Behar Metohu: VALIXHET MBI ATLANTIK

 

Tregim  

Vegimi përvëlues…

 

Toka e premtuar e shkelur nga miliona njerëz që në shekujt kur europianët mësyn me anijet me vela nga oqeani Atlantik, mban në të popuj të kombeve dhe racave nga gjithë rruzulli tokësor.

Ajo u quajt AmerikaAmerigo Vespuçi nga të parët eksplorues ishte një arësye pse kjo tokë do të thërritej Amerika. Ajo në shekujt pas zbulimit do t’i ngjante vegimit përvëlues të agimit plot shpresë për mjaft popuj që thurën ëndrrën amerikane…

Çdo ditë, tashmë me avionë, por edhe nga deti e toka hyjnë në të një numër i madh njerëzish, të cilët dëshirojnë ta prekin atë, ta njohin, të bëhen pjesë e saj, të fillojnë të plotësojnë ëndrrën e tyre…

 

*  *  *

…Avioni mbi oqeanin Atlantik, po i afrohej brigjeve të gadishullit të Floridës duke i kaluar tangent trekëndëshit të famshëm të Bermudës. Ai dhe bashkëshortja ishin të sapoardhurit, të cilët kishin lexuar histori dhe parë dokumentarë mbi enigmën e ngjarjeve tragjike të humbjes së jetëve të shumtë në këtë pjesë enigmatike të Atlantikut, ku edhe Vespuçi mund të ketë kaluar me ato anijet me vela të shekullit të 15-të.

Krahët e avionit po dridheshin si krahët e një zogu, që mundohet të ulet në degët e një peme…

 

Valixhet mbi Atlantik…

 

Pas disa ditësh të mbrritjes në qytetin bregdetar të pjesës jugperëndimore të Floridës, ai së bashku me gruan dolën për pazar. Në fakt përveç njohjes së artikujve të ushqimeve atyre u interesonin të shuanin kureshtjen për njerëzit përreth, mënyrën se si vepronin si flisnin. Atë ditë kishte shumë njerëz. Hapësira e dyqanit supermarket ishte mjaft e madhe dhe e organizuar me sesione të ndryshëm artikujsh.

– Po ç’ne kaq njerëz?- i tha Merita.

– E djelë sot, – iu përgjigj Petriti.

Pasi përzgjodhën ushqimet dhe disa artikuj konsumi, ata kaluan tek kasat elektronike. Aty bëhej pagesa. Radha ishte e gjatë më tepër, sepse mbahej një distancë e konsidrueshme nga njeri-tjetri. Pandemia e saposhuar kishte lënë këtë rregull. Njerëzit kryesisht me veshje të holla dhe ngjyra të çelura i jepnin një bardhësi dhe çiltërsi gjithë mjedisit. Nga pas tyre një grua e veshur krejt me të bardha pantallona dhe një bluzë të thjesht, po shikonte me vëmendje çiftin e sapoardhur. Ata dalloheshin edhe për veshjen pak më të trashë si dhe ngjyrën e bardhë të fytyrave. Ishte mesi i janarit. Një grua, e cila qëndronte pas dalloi se çifti para saj po fliste shqip. Prandaj në një moment u afrua pranë tyre dhe tha me kureshtje:

-Më falni, Ju jeni nga Shqipëria?!

Ata dëgjuan zërin e gruas së veshur me të bardha dhe buzeqeshën të dy duke u pergjigjur një zëri:

– Po

– Keni kohë këtu?! – vazhdoi gruaja.

– Disa ditë, – u përgjigj gruaja me flokët e zezë që në kontrast me fytyrën e bardhë krijonte një ndjesi të veçantë nga amerikanët e pranishëm, të cilët ishin kryesisht të moshave të thyera dhe mbizotronin thinjat. E tillë ishte edhe gruaja me pantallona e bluzë të bardhë. Asaj po i qeshte fytyra që po fliste shqip me një çift të sapoardhur.

– Nga cili qytet?! – vazhdoi ajo!

– Nga Tirana! – ja ktheu gruaja me flokë të zinj, të drejtë që i shkëlqenin nën ndriçimin llamburitës të neoneve.

– Ua sa mire ?!… Unë jam Filloreta nga Korça!

– Unë jam Merita!

– Keni ardhur për pushime apo… do qëndroni?!

– Për disa kohë – u përgjigj Merita.

Ndërkohë erdhi radha e çiftit për pagesën. Burri hapi kuletën dhe nxorri dollarët në kesh. Të tjerët paguanin me karta elektronike. Duke dalë nga supermarketi Filloreta u tha:

– Jeni të ftuar të pijmë një kafe, diku këtu afër.

Ata pranuan dhe pasi sistemuan ushqimet e blera u ulën në bar-kafenë pranë.

– Si ju duket si fillim këtu?! – vazhdoi Filloreta.

– Mirë, vend i qetë me pak njerëz dhe lëvizje. – tha Merita.

– Kur erdha në fillim çdo gjë ishte e vështirë për mua. Fëmijët ishin të vegjël dhe kishin mjaft kërkesa. Kemi bërë gjithë llojet e punëve që na ofroheshin. Me ndihmë të zotit mbijetuam dhe jemi të kënaqur. Tani sapo kam dal në pension.

Ndërkohë që fliste, ajo shtrëngonte kupën e kafesë dhe e rrotullonte vazhdimisht, sikur të kishte një ankth. Përreth syve i ishin krijuar rrathë dhe rrudha, të cilat flisnin mjaft për mundimet që kishte kaluar. Në sytë e saj vihej re jo thjesht një kureshtje për dy shqiptarë të sapombrritur nga Shqipëria, por më shumë një mall për të folur me dikë që vinte nga andej.

– Sa herë shkoni në Shqiperi në vit?!

– Dikur shkoja me shpesh se isha më e re dhe më e fortë, ndërsa tani avionin e shikoj më rrallë.

– Të ka mbetur ndonjë merak që e kujton edhe tani?! – i tha Merita.

– Ç’të të them… mall – dhe sytë ju përlotën…

Ra një heshtje e papritur e padëshiruar ndoshta ishte një takim njerzish të panjohur që i bashkonte gjuha e njejtë nga vendi i vogël buzë Adriatikut, në Mesdheun e artë!

Heshtjen e thehu kërcitja e derës së lokalit. Një burrë e grua e shëndoshë u dukën midis tavolinave. Burri me pantallona të shkurtëra dhe një kapele kaubojsish mund të ishte mbi 130 kg, po kështu edhe e gruaja që e shoqëronte.

Sytë e shqiptarëve tek tavolina pranë u shkëmbyen rrëmbimthi. Burri mbante në dorë një si çantë të madhe që ngjante më tepër si një valixhe e vogël udhëtimi.

Sytë e përlotura të Filloretës ngrin mbi valixhen që u vendos pranë një kolltuku, ku u ul edhe kaubojsi i shëndoshë.

– Eh hhh… – pshehrëtiu lehtë ajo. – Sa kishim mbrritur këtu nga përfitimi i llotarisë, nuk kaloi shumë kohë dhe tre herë jam bërë gati të kthehesha, – tha ajo papritur, – valixhet i bëra gati tre herë, por asnjë herë nuk munda të veproja! U mundua të buzëqesh pak ajo duke fshirë lotët, që i rreshqitën nëpër cepat e syve dhe më pas vazhdoi:

– Ishin vitet e para dhe mjaft të vështira. Valixhet i mbanim gati në hollin pranë derës. Kur zgjoheshim në mëngjes drita e diellit dhe ngrohtësia e këtij vendi,që nuk ka kurrë dimër, na kthente mëndjen. Ikte dita pa u kuptuar. Në darkë kur ktheheshim nga puna të lodhur shikoja nga dritarja dhe mendoja vetëm kthimin në Shqipëri. Valixhet ishin gati të paprekura për udhëtim. Fëmijët nuk na kuptonin, por më i madhi që kuptonte më shumë na tha: – Hë pra pse nuk nisemi për Shqipëri?!!

Por unë heshtja. Valixhet vazhdonin të ishin gati për nisje. Por, ato për disa vjet nuk u nisën kurrë. Viti 1997 dhe lufta në Kosovë na solli trazira dhe njerëzit e mi më të afërt vajtën në Greqi, Turqi dhe Itali…

Ajo heshti përsëri! Në sfond dëgjoheshin zërat e ndokujt rrotull tyre dhe muzika karakteristike kantri amerikane.

– ….Zemra m’u bë copë. Natën në ëndërr shikoja vetëm Korçën time të dashur, ku u rrita. Po ku të shkoja? Edhe shtëpinë e kishim shitur…

Nga ajo ditë e veçantë kaluan ditë dhe javë, por në vëmendjen e çiftit nga Shqipëria valixhet e Filloretës nga Korça mbetën në kujtesën e tyre ashtu pezull pranë reve mbi oqeanin e madh…

 

Lotët e gruas së vjetër

 

Kur hypën në makinë, ai nga google map i celularit, gjeti restorantin e shqiptarit ndoshta më të vjetër nga gjithë shqiptarët e atij qyteti. Kur mbrritën pranë restorantit ata vunë re se ai ishte i rrethuar me mur të ulët. Ata gjatë qëndrimit në qytetin bregdetar të jugperëndimit të Floridës nuk kishin parë asnjë lokal apo restorant që të ishte i rrethuar me mur. Atyre ju duk vetja sikur ndodheshin në Shqipëri. Prania e flamurit shqiptar dhe atij amerikan në një kënd të sallës qëndrore të lokalit, të ngrohtë shpirtin… Do të kishin rast të takonin mjaft shqiptarë. Muri i ulët në një pjesë të oborrit të jashtëm ishte lidhur në një hapësirë të lartë që rrethohej me rrjeta teli, të cilat mbronin lokalin e jashtëm nga mushkonjat e shumta sidomos gjatë verës. Ishte mars dhe dielli digjte si në një ditë vere. Prandaj pronari shqiptar, të cilin e thërrisnin Niku kishte mbjellë edhe një pjesë hardhie rrushi në një kënd pranë murit,ku hija ishte më e pranishme gjatë gjithë ditës.

Në një kënd të sallës së madhe qëndrore të restorantit ishte vendosur një foto e një burri të moshuar. I buzëqeshur në pamje dukej një njeri mjaft paqësor dhe krenar.

Ata u ulën diku aty pranë tavolinës ku ndodhej kjo foto. Në pritje të ardhjes së ndonjë kamarieri u përqendruan edhe pak tek fotoja që ndodhej pranë. Pas pak u dëgjuan  çapitjet e këpucëve të  një gruaje që po i afrohej pranë të dyve. Ajo ishte e veshur me rroba të zeza. Ajo pa çiftin e ulur pranë fotografisë së burrit dhe u mat t’u afrohej, por ngadalë u tërhoq dhe u ul tek tavolina pranë. Ajo shikonte çiftin dhe fotografinë kur befas uli kokën dhe u mbështet tek shpina e kolltukut.

Mëngjesi i asaj dite ishte i qetë dhe pak njerëz ndodheshin në sallë. Nga muret e kësaj salle të ndriçuar lehtë me kaltërsinë qiellore, një melodi e qetë në piano përhapej lehtë-lehtë. Çdo tingull bënte të mundur të ndjeheshin rrahje të forta të zemrës së gruas së vjetër. Mbas pak tek tavolina e gruas erdhi një vajzë e re dhe foli në shqip:

-Nënë, të të sjell një kafe a diçka tjetër?!

Plaka ngriti kokën vështroi vajzën dhe fytyra e heshtur e saj filloi të buzëqesh!

– Jo zemër- u përgjigj gruaja- asgjë.

Çifti i ri  ktheu rrëmbimthi kokën kur dëgjoi bisedën në shqip. Vështrimet e gruas me çiftin u shkëmbyen fort.

Vajza e re iu kthye çiftit të ri në anglisht: – Përshëndetje çfarë do të dëshironit ju lutem?

–  Një kafe u përgjigj- Merita në shqip.

– Oh, bukur, – foli vajza shpejt duke buzëqeshur. Ajo iku, por pas mbeti si pezull nje aromë freskie dhe fjalët në shqip të çiftit pranë fotos tërhoqën vëmendjen e gruas së vjetër. Ajo qëroi pak grykën dhe iu drejtua Meritës:

– Më falni, por nuk ju kam parë ndonjëherë këtu? Nga vini?

– Vijmë nga Shqipëria dhe pak kohë kemi që ndodhemi këtu. – Po ju?!…- pyeti me kureshtje Merita, – ndodheni kohë këtu?!

Gruaja e vjetër lëvizi  vendit dhe  u afrua tek tavolina, ku rrinte çifti dhe tha me sy dhe zë të ulur: – Shumë… Ajo heshti pak dhe vështroi nga fotografia, të cilën e kishte në krah çifti,  ndërsa ajo e kishte përballë dhe vazhdoi, – …shumë, shumë kohë… isha mjaft e re kur erdha këtu… dhe papritur ju skuqën sytë. Ika nga vendi im mjaft e re. Me nga një valixhe në dorë dhe nuk lash vend pa shkelur deri sa mbrita këtu bashkë me tim shoq… – Ajo heshti përsëri dhe hodhi sytë tashmë gati të përlotura tek fotografia. Ajo psheherëtiu fort dhe dy lotë i rreshqiten nëpër faqet e rrudhura,- me tim shoq ndërtuam jetën tonë këtu. Vuajtëm shumë në fillim, por nuk na doli keq. Kam tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Kam tre nipër dhe dy mbesa. Ajo vajza që ju foli është e djalit të madh që ka këtë restorant.

Vajza u duk përsëri. Ajo solli disa pjata me biskota dhe karamele për të qenë pjesë e garniturës së kafesë për çiftin.

Gruaja e vjetër  psheherëtiu përsëri dhe vazhdoi duke fshirë lotët, – por më iku ditëziu dhe bëri me dorë nga fotografia. Në maj mbush vitin.

Merita dhe Petriti mbetën të shtangur. Ata vështronin burrin simpatik në fotografi dhe fytyrën e rrudhur të gruas dhe i bashkuan. Ata përbënin një çift ideal bukurie. Tiparet e theksuara të gruas dhe sytë e qeshur të burrit ishin më të veçantat në portretet e tyre.

Kafja e tyre po ftohej pa u pirë.

– Vuante nga ndonjë sëmundje? – pyeti Merita.

– Vuante nga tensioni por shpesh i harronte ti pinte ilaçet se punonte shumë. Dhe kur doli në pension nuk rrinte dot në qetësi. E thërrisnin shqiptarët për makinat kur i prisheshin, si edhe këtu në lokal gjithë ditën merrej me punët… nuk më dëgjonte… më iku… dhe uli kokën.

Mjekët, – vazhdoi rrëfimin ajo, – bën të pamundurën. Një helikopter erdhi për ta çuar në një spital më të mire, por i plasi zemra… në ajër siç ishte në fluturim. Çfarë t’iu them e morri zoti atje lart…

Vajza që solli kafenë u duk përsëri dhe pyeti: Doni gjë tjetër, ju lutem?! Merita dhe Petriti nuk folën, ishin si të hutuar ndërsa gjyshja i tha vajzës- më sill pak ujë bij!?  Piano e ekzekutoi tingullin e fundit dhe në lokal ra heshtje e plotë…

 

Ëndrrat e çuditshme…

Në qendër të qytetit jugor të Floridës, Naples, shoqata shqiptaro-amerikane ftoi mjaft shqiptarë të të gjithë zonës. Ishte bërë e zakonshme që në festat e nëntorit të mblidheshin dhe të takoheshin apo ritakoheshin mes njeri-tjetrit. Aty ata Merita dhe Petriti dalluan një burrë të vjetër, i cili i ulur në një stol lexonte një libër dhe qëndronte pak mënjan nën hijen e një palme të madhe si më e vjetra e qytetit, e cila ishte kthyer në një simbol për të.

– Jam nga Berati- tha burri me thinja dhe punoj këtu në këtë qytet që nga viti 1993. Por, do të thoja se çfarë do që më ka ndodhur këtu në  Amerikë gjatë ditës ka mbetur për ditën, ndërsa natën kur fle kam punë vetëm me Shqipërinë dhe shoqërinë time.

– Si shpjegojet kjo gjë ?! – pyeti Petriti.

-Nuk e di, – u përgjigj plaku, – por, ku mblidhemi e takojmë njeri -tjetrin tregojmë ëndrrat më të bukura që shohim nga Shqipëria.

-Vërtetë, pse edhe të tjerët e kanë këtë gjë?!

– Po, vërtetë është! Pse nuk e dini!?!

– Po,më thoni, ju lutem një nga ëndrrat që ju del vazhdimisht, se thonë që ëndrrat përsëriten vazhdimisht dhe shpjegojnë gjëndjen e subkoshiencës së njeriut.

– Të them të drejtën – vazhdoi fjalën plaku, shoh mjaft të tilla që ngjajnë shumë , por gjithmonë shfaqet nga ëndrra në ëndërr skena të njejta…..

– Dhe cilat janë ato…?

– Sikur hypi apo zbres avionit me një valixhe në dorë. Qielli mbi Atlantik duhet të ketë me qindra e mijëra valixhe që mbartin njerzit në udhëtimet tyre,- e mbylli fjalën e tij duke buzëqeshur.

– Interesante,- tha me gjysëm zëri Petriti.

Aktiviteti vazhdoi gjatë me këngët e vallet e krahinave të Shqipërisë dhe përshëndetjet me njeri – tjetrin. Ata më të vjetrit qëndronin ulur në stolat e lulishtes qëndrore. Flamuri shqiptar dukej në duart e shumë të pranishmëve, mendjet e tyre ishin tek viset e Shqipërisë, si çdo natë në ëndrrat e tyre të çuditshme.

 

Telefonata nga Tirana

 

Merita ngriti telefonin celular me rrëmbim dhe me pafuqinë për ta mbajtur në vesh e la të hapur audion duke u shtriqur mbi shtrat. Ajo me sytë gjysëm të mbyllur përqëndroi vëmendjen tek fjalët që përhapeshin në të gjithë dhomën e saj.

– Mora vizën motra. Vizën amerikane… Më dëgjon, motra?

– Po Eda, të dëgjoj shumë mirë.

– Valixhet i kam bërë gati, sikur e dija që vizën do ta merrja shpejt. Po futuroj nga gëzimi… motër!…

Ajo vazhdonte të fliste dhe dhoma e Meritës mbushej me të qeshurat e gëzuara dhe fjalët e Edës që vinin nga Tirana, të cilat ishin plot plane e ëndrra për Amerikën që e priste. Por, në fakt ajo e shtrirë në shtrat, ndërsa fjalët e Edës i vinin parreshtur, kujtoi  papritur Filloretën nga Korça, që kishte bërë gati valixhet dhe tre herë ishte matur të kthehej, plakën e restorantit dhe sidomos ëndrrën e çuditshme të shqiptarit në festën e Pavarësisë. Ajo ëndërr e “makthshme” plot enigma e valixheve në qiell, që iknin e vinin mbi Atlantik…

 

Naples, FLORIDA, 3 mars 2023.

Please follow and like us: