Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Një shekull më pas humanisti i madh Eugen Pittard rivjen në Shqipëri

NJË LIBËR I PUBLICISTIT KUDRET ISAJ, QË SHPALOS FIGURËN E SHKENCËTARIT ZVICERAN DHE POLITIKANIT TË NJOHUR NË MBROJTJE TË SHQIPËRISË.

Pas më shumë se një shekulli, një humanist i madh rivjen në Shqipëri. Është shkencëtari dhe antropologu zviceran Eugene Pittard, i cili një pjesë të madhe të jetës së tij e lidhi dhe me Shqipërinë, kohë kur në fillimet e shekullit XX ai mbështeti fuqimisht shtetin e ri shqiptar për të përballuar luftën që i bëhej nga fqinjët dhe politikat shoviniste e hegjemoniste. Që nga vizitat e para të Prof. Pittard, veçanërisht ato të vitit 1921 dhe në vitin 1924 e deri në fund të jetës së tij, Shqipëria mbeti tek ai në anën e zemrës, të përkushtimit, të aksionit dhe të ndihmës konkrete, duke rrezikuar madje dhe jetën e tij. Pittard renditet në historinë shqiptare krahas miqve të mëdhenj të Shqipërisë si senatori francez Justin Godart, nobelisti i Paqes Paul d’Estournelles de Constant, Edith Durham, Aubrey Herbert, Lady Carnarvon, Lord Robert Cecil, poeti Henry Spiess e shumë misonarë të tjerë europianë të cilët iu gjenden Shqipërisë në kohrat më të vështira të ekzistencës së saj. Publiçisti Kudret Isaj, duke sjellë këtë libër para lexuesit të gjerë dhe historianëve shqiptarë kushtuar Eugene Pittard, i bën një shërbim të madh historisë shqiptare duke na shpalosur faqe të reja të saj. I shkruar me profesionalizëm dhe një përkushtim të veçantë ndaj kësaj figure, duke kërkuar nëpër arkiva të shumta, dokumente historike, letra, gazeta, raporte zyrtare të kohës, etj., që lidhen me misionet e humanistit të madh, në emër të shqiptarëve, ai i bën një homazh të mrekullueshëm mikut të shqiptarëve. Roli i Prof. Pittard ishte i veçantë dhe vendimtar në krijimin e Kryqit të Kuq Shqiptar si dhe në kohën e Konferencës së Gjenevës, kur Shqipëria do të pranohej si anëtare e Lidhjes së Kombeve dhe kur çështja shqiptare mbrohej nga Fan Noli dhe politikanët e tjerë shqiptarë. Në libër, autori dëshmon gjerësisht ndihmën e tij dhe të gruas së tij Noëlle Roger, alias Helene Pittard, gjatë kohës së krizës së madhe të bukës në vitin 1924, kohë kur anije me misër zbarkuan në brigjet shqiptare për të shuar urinë e fshatarëve të varfër.

Bashkë me gruan e tij publiçiste dhe romanciere mjaft e njohur në atë kohë, Pittard mori shkopin e pelerinit duke bredhur nëpër fshatrat e largëta shqiptare, veçanërisht në veriun shqiptar si në Kukës, Dibër, Dukagjin, Shkodër apo Lezhë, çka e lexojmë dhe në shkrimet e tij Letra nga Shqipëria. Ngado pritja e tyre nga shqiptarët ishte proverbiale çka mund ta gjejmë dhe në përshkrimet piktoreske të tyre si Rrugëve të ShqipërisëTirana, etj. Artikujt, thirrjet, intervistat e tyre për çështjen shqiptare u botuan në gazeta të rëndësishme të Europës, duke sensibilizuar opinionin europian në mbrojtje të shqiptarëve dhe integrimin e tyre në koncertin e kombeve. Mjaft interesante janë në këtë libër takimet dhe bisedat e tij me politikanët shqiptarë dhe figurat intelektuale si me Mithat Frashwrin, At Gjergj Fishtën, Ahmet Zogun, Pandeli Evangjeli, Hil Mosi, Sotir Kolea e shumë të tjerë. Me shumë interes është dhe intervista e panjohur e Helene Pittard (Noëlle Roger) me Kolë Idromenon, çka na shpalos mendimet e piktorit dhe të fotografit të madh shqiptar. E prekur nga zemrat shqiptare, gjatë udhëtimeve të tyre ajo i kushton poezi të shumta Shqipërisë. Në një nga to ajo ka shkruar: « Nëpër rrugë ndjeva se si rrihte / zemra krenare dhe e plagosur e Shqipërisë / E njoha e do ta marr me vete. / Dashuria e saj do ta mbështjellë jetën time. Të shumta janë gjithashtu artikujt dhe intervistat e Pittard mbi Shqipërinë, siç janë dhe pwrshkrimet piktoreske e plot humanizëm si Rrugëve të Shqipërisë, apo Tirana ku na jep tablo mbresëlënëse të jetës së përditshme shqiptare, të një shoqërie të shkëputur nga feudalizmi që shikonte tashmê drejt Perêndimit. Nga studimet dhe kërkimet e tij të palodhura gjatë një dekade, Isaj e vendos veprimtarinë shqiptare të Pittard në raport me sfondin e zhvillimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, me gjendjen sociale e peizazhin politik, në kuadrin e marrëdhënieve të vështira e konfliktuale të qeverisë shqiptare me fqinjët e saj kur cënohej integriteti i kufijve tashmë i dhunuar që më parë nga Fuqitë e Mëdha, etj. Ai na sjell faqe të panjohura, që lidhen dhe me personalitete të tjera shqiptare të diasporës siç është dhe ajo me intelektualin shqiptar në Stamboll dhe Gjenevë, Arif Dino, nipi i Abedin Pashë Dinos dhe biri i Rasih Dinos, të cilin, në dhjetorin e vitit 1912, Ismail Qemal Vlora e dërgoi të trokiste në kryeqytetet e kancelarive të Fuqive të Mëdha për të bërë të njohur Pavarësinë e Shqipërisë. Me shumë interes është gjithashtu dhe misioni shkencor i prof. Pittard në zbulimin e periudhës së vonë neolitike në Tren të Prespës si dhe konkluzionet e tij lidhur me llojin e kafkës së prototipit shqiptar, vëzhgime që ai i botoi dhe në revistën antropologjike të Parisit apo në shkrimin e tij Treguesit encefalikë tek 116 shqiptarë të viseve të ndryshme shqiptare. Udhëtimin e çiftit Pittard në shpellën e Trenit buzë Prespës dhe zonat përreth, e gjejmë si në shkrimet e profesorit zviceran ashtu dhe në reportazhin e bukur të Noëlle Roger ‘Buzë brigjeve të Prespës‘, botuar në gazetën La Suisse. Përmes fotografive, përshkrimeve dhe kujtimeve të shumta, lexuesi i sotëm do mund të krijojë në imagjinatën e tij figurën e plotë të këtij shkencëtari të shquar dhe humanisti i orëve të para, ku spikat njëkohësisht thjeshtësia dhe dashuria për shqiptarët e varfër e krenarë, të cilëve ai u fliste me besim për ardhmërinë e tyre në historinë e kombeve të Europës. Ky njeri i madh la gjurmë të pashlyera në kujtesën e historinë shqiptare dhe ky libër voluminoz e bën mëse të dukshëm veprën monumentale të këtij njeriu, që ka mbetur gjithnjë në zemrat tona.

Pas botimit në janar të vitit 1991 në Tiranë të librit për Edith Durhamin me titull: “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët” botuar nga shtëpia botuese “8 nëntori” përgatitur për botim nga Kudret Isaj, me redaktor Prof. Dr. Xhevat Lloshin, studjuesi i apasionuar Isaj i rikthehet sërish temës së tij të preferuar, albanologjisë dhe vjen sot para lexuesve me një vepër të re të këtij profili, rrjedhojë e një pune të gjatë krijuese dhe shteruese shumëvjeçare në arkivat dhe në bibliotekat e Gjenevës, të Lozanës dhe të Tiranës. Shtëpia botuese “Les livres Rama” sapo nxorri nga shtypi në Tiranë librin e ri të autorit Kudret Isaj me titull: “Udhëtimi i mbramë i Helene dhe Eugene Pittard në Shqipëri. Gjenevë-Tiranë. Në gjurmët e Kryqit të Kuq shqiptar në Gjenevë”. Duke ndjekur hap pas hapi udhëtimet dhe veprimtarinë e antropologut dhe etnografit të shquar zviceran nga Gjeneva, konsull i përgjithshëm i nderit i shtetit shqiptar në Gjenevë në janar të vitit 1921, themelues i Kryqit të Kuq shqiptar në Tiranë në 4 tetor të vitit 1921, i deleguar i Lidhjes së Kombeve në Shqipëri në vitin 1924. Kudret Isaj përpos që përvijon të njohë lexuesit me dokumente të panjohura dhe të pabotuara më parë për Shqipërinë dhe shqiptarët të zbuluara në arkivat zvicerane, arrin gjithashtu të rrokë me mjeshtëri publicistike, me nota dhe me përsiatje poetike, kontributin e tij dhe të bashkëshortes së tij Helene Pittard e njohur me pseudonimin Noëlle Roger në studimet antropologjike për Shqipërinë, në krijimin e një shoqërie bamirëse për të vobektët në Tiranë, në kapërcimin e krizave humanitare dhe në botimin e artikujve tronditës dhe mbresëlënës në faqet e shtypit zviceran dhe francez. Kjo vepër albanologjike, e cila është konceptuar si një histori e marrëdhënieve parashtetërore dhe shtetërore midis Shqipërisë dhe Zvicrës para Luftës së Dytë Botërore, në gjysmën e parë të shekullit të XX-të, urojmë që të shërbejë si një doracak udhërrëfyes për të gjithë shqiptarët dhe zviceranët, në veçanti për shqiptarët e Gjenevës, të Lozanës, dhe të Tiranës, urojmë që të shërbejë gjithashtu si një burim serioz, i pasur reference dhe informacioni për studjuesit shqiptarë dhe zviceranë. Vepra është e pajisur me parathënie nga botuesi i saj Luan Rama. Redaktor i librit dhe përkthyes i teksteve nga anglishtja, italishtja dhe gjermanishtja në gjuhën  shqipe është Prof. Dr. Xhevat Lloshi. Përkthyese e teksteve nga gjuha frënge në gjuhën shqipe dhe korrektore letrare e librit është Rina Ccela Grasset. Libri ka 946 faqe dhe është i pajisur me fotografi që prof. Eugene Pittard ka realizuar në Shqipëri në vitin 1921 dhe në vitin 1924. Ky libër është shtypur në shtypshkronjën Emal në Tiranë në janar të vitit 2023. Libri sapo ka dalë në libraritë e Tiranës dhe të qyteteve të tjera të vendit.

Please follow and like us: