Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: Idhujt rrëzohen përherë…

 

Zejen e sajimit të mbramë të idhujve,

nuk e shpikën grekët, as latinët e lashtë.

Me vegim ringjallje, gjasmime ëndrrash,

shenjtorë në udhëkryqe e pleq vetmitarë.

 

 

Kur lufta nis, a s’janë aty, bust e shtatore,

që heshtin për gjërat qesharake të botës?

Mashtrimin e përjetshëm, pasqyra të thyera,

i sjellin ca këmbë të plakura idiotësh!

 

 

Ngritja dhe rrënia ciklike e idhujve

me gjethet e pemëve kurrësesi nuk ngjan.

Një idhull na qenka një Zot portativ,

disponueshëm çudi, kur qesh dhe kur qan!

 

 

Nuk ka si të jetë fanitje syri as dhe njē huti,

kur idhulli rrëzohet, bëhet copash për dreq.

Shkërmoqet në varr pluhurisht dhe vështirë,

pa njolla, të qepura, në piedestal ta ringresh!

 

 

Zejen e sajimit të mbramë të idhujve,

nuk e shpikën grekët, as latinët e lashtë.

Me vegim ringjallje, gjasmime ëndrrash,

shenjtorë në udhëkryqe e pleq vetmitarë.

Please follow and like us: