Albspirit

Media/News/Publishing

Vlora Obertinca: Pasioni, gjuha e shpirtit që ndihet

 “Pasioni është gjuha e shpirtit, që flet vetëm në një gjuhë që nuk flitet, por vetëm ndihet, gjuhë që përkthehet në ndërdije në 7000 gjuhë të ndryshme për 7 miliardë njerëz në tokë”, Dr. Vlora Obertinca.

“Kur Jul Cezari ishte i sëmurë rëndë nga astma, pothuajse në prag të vdekjes, Kleopatra kishte shëtitur anekënd kontinentin e Afrikës, për të gjetur ilaçin për të dashurin e saj. E magjepsur nga dashuria, mençuria dhe karizma e tij prej perandorit më të fuqishëm në botë asokohe, e bëri Kleopatrën të kërkonte gjithandej erëza të kombinuara, me të cilat do ta shëronte perandorin romak dhe njeriun e zemrës se saj. Pak njerëz e dinë se Kleopatra, ndër shumë studime që kishte mbaruar, përfshihej edhe mjekësia. Ajo jo vetëm që jetonte në kohën antike të Egjiptit të lashtë, por njëkohësisht kishte edhe njohuritë e ligjeve universale, të cilat ekzistojnë që prej ekzistimit të njerëzimit.

Fatkeqësisht, me kalimin e kohës, shumë vende dhe popuj janë zhdukur. Një humbje e madhe për njerëzimin ka ndodhur pas pushtimit të Egjiptit të vjetër dhe vdekjes së Kleopatrës, kur trupat romake, në shenjë hakmarrjeje, e dogjën bibliotekën e Aleksandrisë, e cila besohet të ketë pasur thesaret më të mëdha të zbulimeve shkencore botërore të të gjitha profileve. Nuk thuhet kot në gjuhën latine “Homo homini, lupus est”, që do të thotë “njeriu për njeriun është ujk”. Ky akt barbar i djegies së bibliotekës së Aleksandrisë, fatkeqësisht e ka lënë njerëzimin në errësirë për shekuj e shekuj të tërë.

Sot, jemi në shekullin XXI dhe sëmundja e astmës është ende sëmundje kronike dhe e pashërueshme, ndërsa Kleopatra, që sundonte në vitin 45 para erës sonë (para Krishtit), e kishte gjetur shërimin e sëmundjes së astmës nëpërmjet erëzave, sepse, mbi të gjitha, ajo ishte edhe një shkencëtare e denjë. Sigurisht ky kombinim i erëzave duhet të ketë qenë i shënuar në librat e bibliotekës së Aleksandrisë, sikurse edhe ilaçet e shumta të tjera për shërimin e sëmundjeve të panumërta, por që fatkeqësisht xhelozia e rivalëve të saj ndaj aftësive dhe shkathtësive prej një perandoreje dhe intelektualeje të paparë deri atëherë, ishte fatale për të. Kleopatra kishte studiuar gjeografi, histori, astronomi, diplomaci ndërkombëtare, matematikë, alkimi, mjekësi, zoologji, ekonomi dhe të tjera. Kleopatra ishte poliglote e shkëlqyer, që zotëronte edhe gjuhën e Egjiptit të vjetër dhe kishte mësuar të lexonte hieroglifët, një gjë unike për dinastinë e saj. Përveç kësaj, ajo fliste edhe gjuhën greke, arabe, siriane, hebreje, trogodiatë, medese, gjuhë këto antike të kohës së saj. Ajo madje kalonte shumë kohë edhe në laboratorët mjekësorë, pasi e kishte pasion të madh zbulimin e ilaçeve nga kombinimi i erëzave të ndryshme.

Është e vështirë sot të gjejmë një paralele të një femre në një pozitë udhëheqëse shtetërore, qoftë mbretëreshë apo kryetare, që mund t’i përafrohet aftësive të Kleopatrës, që jetoi me mijëra e mijëra shekuj para nesh.

Fragment nga libri “Vera e shpirtit” të autores Vlora Obertinca.

Please follow and like us: