Albspirit

Media/News/Publishing

Shefqet Meko: Mësuese Mita, një dritë nga e shkuara ime

– Dy momente që dëshmojnë ‘pushtetin’ absolut të mësuesit tek nxënësi. ‘Gërmime’ në kujtesë me rastin e 7 Marsit 2023.
– Kushtuar mësueses sime të viteve 70-të, DHIMITRA LALA BUKA
Çdo 7 Mars, nuk kam harruar kurrë të uroj tim vëlla, Çelnik Meko, që mbetet ‘mësuesi’ i fëmijërisë dhe adoleshencës sime. Tani që nuk e kam më, u përpoqa të sillja kujtime të tjera ‘me mësues’ të shekullit që iku, kur Ata tanë ishin xixëllonja dhe shembuj të frymëzimit për brezin tim…
Të kërkosh ‘të rritesh shpejt…’
Vitet 70-të. Lajmi më i madh ishte të dëgjoje muzikë në radio. Pasi bënim mësimet dhe detyrat e shtëpisë , që ishin të përditshme, dilnim rrugëve të fshatit e takoheshim me shokët në lagje. Lojërat tona ishin të thjeshta: Ose ‘lojë luftash’ ose cingël… Nodhte të ngjiteshim në kodrinat pranë fshatit dhe aty fantazonim e rrëfenim përralla njëri-tjetrit. Shpesh shkonim tek vatra e kulturës në mes të fshatit, ku gjenim libra, biseda me më të rritur dhe këngë me fizarmonikë e klarinetë. Kur të gjitha këto kishin mbaruar, ne grupoheshin nëpër strehëza shtëpish dhe flisnim me njëri-tjetrin… Aty shpesh mbinin edhe veset. Cigaret ishin të ndaluara, por jo të pagjindshme. Më kujtohet se bashkë me disa shokë provova të pija duhan dhe për herë të parë vërejta se si tymi të nxiste kollën… “Provoje prap, do të të pëlqejë… Nuk do kesh kollë…”, më thoshte një shok. Unë mbaja cigaren në duar dhe nuk di pse më dukej vetja burrë i rritur… Mezi prijsa të futesha në radhën e burrave dhe me duar që më dridheshin thitha prap cigaren ‘Partizani’… Nuk di se ç’fisnim, por unë shpesh harroja të thithja tymin e bardhë, ndërsa cigarja gati më digjte gishtat… Kërkoja ‘të rritesha sa më shpejt’ dhe nuk e dija se ai tym i bardhë më krijonte një iluzion burrash të rremë. Ne qeshnim dhe nuk kuptonim rrezikun e ‘tymit të bardhë’. Ishin netë të një kotësie të habitshme…
Të nesërmen unë do shkoja serioz në shkollë. Isha në klasë të 5-të. Mësuese Mita, siç e quanim vajzën simpatike dhe po aq serioze nga Pogradeci, hyri gjithë autoritet në klasë. U çuam të gjithë më këmbë duke i thënë ‘Mirëmëngjez’ mësueses që e deshëm të gjithë. Ajo bëri shpejt e shpejt apelin dhe mbasi mbylli regjistrin duke i hedhur një shikim gjithë klasës, vështrimin e nguliti tek unë. Ndieva një frikë dhe më dukej sikur cigarja e një nate më parë po më digjte duart…
“Po sikur ta ketë marrë vesh mësuesja”? pyetja veten i hutuar. Unë me krenari desha të isha më i miri dhe më i pakritikueshmi i klasës. Brenda meje ishte ‘një karrierist i vockël’ që unë bëja kujdes ‘ta përkëdheja’… Por ajo ditë mësimi filloi krejt ndryshe. Mësuese Mita me një mënyrë depërtuese dhe po aq pedagogjike bëri ‘sulmin’ anonim ndaj meje. Me sy të ngulitur tek unë, ajo filloi të fliste:
-Ju të gjithë do rriteni një ditë, dhe kjo moshë nuk do u kthehet kurrë… A e kuptoni fjalën “kurrë”?…
Mësuese Mita nuk po më hiqte sytë. Vetëm një moment vështroi të tjerët në klasë dhe përsëri ngulitur tek unë me atë shikim të habitshëm vijoi:
– Por në këtë moshë ka një rrezik të madh që njeriu merr vese… Ju e kuptoni vesi është ves. Nuk ka ves të mirë… Ka këtu mes jush, që hiqen si më të mirët, më të dalluarit, më të shkëlqyerit, por në mbrëmje, larg kësaj klase ku kërkojnë notën 10-të, fillojnë e gërmojnë për vese… Pinë duhan se duan të duken të rritur ose ku di unë… Nuk po ja them emrin, po ai e di…
Ajo sërish m’i kishte ngulur sytë mua. Nuk e desha veten. Unë nuk do desha kurrë të ‘denoncohesha nga mësuesja si duhanpirës, si tymator strehëzash. Isha gati të bërtisja” “Mos ma thuaj emrin…Jam unë…Të lutem mos…”.
Por zëri i saj i qartë, i mprehtë dhe po aq i rreptë vijoi:
– Do rriteni dhe nuk do të mund të korigjoheni nga veset… Atij dhe ndonjë tjetri do t’u thosha: mos gënjeni veten. Ne mësuesit u mësojmë vetëm gjëra të mira. Ky është misioni ynë për moshën tuaj, nga e cila erdhëm edhe ne… Do rriteni një ditë dhe do më kuptoni më mirë…
Në klasë të pestë unë sapo kisha filluar të krijoja profilin tim. Isha më i miri në klasë. Isha zgjedhur kujdestar i klasës, isha fëmijë që kudo ‘flitej mirë’. Nën pushtetin e fjalëve të mësuese Mita, unë sikur dridhesha. E dija se ajo kishte mësuar ‘tymosjen’ time një natë më parë. Dëshira ime atë çast ishte që emri im ‘mos njollosej’ dhe që atë moment, ku fjala-pushtet e mësueses kumbonte në sallë, i thashë vetes: “Kurrë më cigare, kurrë…”.
Mësuese Mita nuk e përmendi kurrë emrin tim. Madje edhe kur ndeshesha me të dhe prisja të më ‘qortonte veçmas’ ajo nuk e bëri kurrë. Vetëm se ato fjalë, ai qortim pa emër, ajo mënyrë e ‘asgjësimit’ të tendencës sime për ‘veset e rrugës’ kishin pasur një efekt të jashtëzakonshëm… Dhe nuk kam harruar kurrë atë ‘pedagogji diktatoriale’ që më shpëtoi… Sa herë shoh njerëz që pijnë duhan, unë nuk mund të rri pa kujtuar Mësuese Mitën që mbeti në kujtesën time si një “dritë” që më rrëfente të ardhmen aq thjesht, aq bindshëm…
Kot isha në ngutje ‘për tu dukur i rritur’… Mësuesja ime më shpëtoi nga një ves i hidhur, pa harruar edhe orët interesante të mësimit me Mësuese Mitën… Ishte gati gjysëm shekulli më parë.
Ku e ka shtëpinë mësuesja ime Mita?
Ne e dinim që ishim të varfër, por pasuri kishim shpirtin dhe fjalën, dashamirësinë mes njëri-tjetrit. Mësuesit që vinin nga Korça dhe Pogradeci, ishin ‘ura miqësie’. Unë isha nxënës që kërkoja të shkëlqeja në çdo lëndë dhe në çdo drejtim. Tashmë që mësuese Mita kishte mundur të më shpëtonte nga ‘tymi i bardhë’, unë e kisha kthyer çdo gjë në energji për të qënë ‘i pari’ kudo…
Ato kohë, në ndërrim të viteve, bëhej një festë e madhe në qytetin e Pogradecit me nxënësit më të mirë. Una pata fatin që të isha në një mbrëmje të tillë diku në vitin 1971-1972. Ishte një nga ato lloj festash që ka mbetur në kujtesën time, jo thjesht se zbrisja në qytetin e Pogradecit, por ishte një lloj program ku nxënësit më të mirë të rrethit bashkoheshin, njiheshin me njëri-tjetrin dhe ndaheshin dhurata. Është e vështirë ta sjellësh me fjalë atë lloj ndjesie. Qyteti ishte rrethuar me paqe dhe dashuri. E veçanta ishte se shumica jonë nuk mund të flinin nëpër hotele dhe konvikte, ndaj sipas një shorti na ‘ndanin në baza’, dmth në shtëpi pogradecare ku do të bujtnim një natë pas festës. Mua më qëlloi në një familje me mbiemrin B. E di saktësisht pozicionin e shtëpisë edhe tani. Së fëmijë isha shumë kureshtar të mësoja se si do ishte një mbrëmje në një familje qyteti.
Me ndrojtje ndoqa bujtësin pasi aktiviteti kishte mbaruar. Në fshat unë kisha lënë një shtëpi, që sapo ishte ndërtuar, ku nuk kishim mundur të vendosnim as dyer, as dritare. Në vend të tyre vareshin së flamuj dëshpërues ca batnije të trasha. Thjesht po vija nga një shëtpi me mure të saposuvatuar, ku ‘ç’frynte jashtë, hynte brenda’. Një natë në ‘shtëpi qyteti’ do të ishte për mua si sot në hotel me 5 yje…
Por ju nuk mund ta besoni. Sapo u futëm në atë shtëpi me tulla të kuqe, një hije e rëndë pllakosi. Vetja mu duk si një ‘diversant në Mal të Thatë’ dhe u ndjeva sikur shkelja në ‘copa akulli’. E kuptova. Ajo familje nuk mund të t’i ofronte bujtinë një ‘nxënësi nga fshati’. Isha gati të dilja në rrugë dhe të gjeja një makinë rasit për të më çuar tek shtëpia ime, që edhe pa dyer e dritare, ishte aq e ngrohtë… Desha të dilja me vrap, por më dukej mosmirënjohje në pocizionin tim. Në duar mbaja dhuratën e çmuar të vitit të ri dhe e shtrëngoja fort nën frikën se dikush mund të ma vidhte në atë shtëpi ku filluan britmat e pakuptimta… Çdo gjë ndodhte për shkakun tim. Me dhimbjen e të pafajshmit tërhoqa mënjanë atë që më mori për dore nga mbrëmja e rrethit dhe i thashë: “A e di ku jeton mësuesja ime Mita?… Unë dua të shkoj atje… Ajo më pret dhe do gëzohet”.
As vetë nuk e di se si u shpjegova ashtu. Unë as që kisha biseduar për diçka të tillë me mësuesen time të dashur, por e dija se ajo do të më priste dhe do të buzëqeshte… Isha një ‘refugjat’ në qytetin tim, fjalë që nuk e njihnim ato kohë. Një nga familja bujtëse e dinte saktësisht shtëpinë e mësues sime Mita dhe unë ndoqa në heshtje në rrugicat e Pogradecit. Nëpër errësirë prisja buzëqeshjen e ndritur të mësues sime që me mençurinë e vet më kishte shpëtuar nga veset dhe më kishte nxitur të ‘kërkoja ëndrrat e mia’. Me qesen në dorë ku ishte dhurata ime e çmuar, në dukej se ‘cigarja’ e dikurshme po më përvëlonte duart.
Një derë e madhe u hap. Njeriu që shoqëronte tha: “Ky është nxënësi jot që mori pjesë në një mbrëmje rrethi… Nuk ka dëshirë të rrijë tek ne. Kërkonte shtëpinë e mëseuses…”.
Mësuesja ime e dashur m’i hodhi duart në qafë. Mua më shpëtuan ca lotë që sikur i ndiej edhe sot. Ajo ishte një nga mbrëmjet e paharruara të adoleshenencës sime. Isha mysafir tek mësuesja ime që për brezin tim shënonte modelin e veçantë të kohës. Mësuese Mita ishte një autoritet serioz pedagogjik, por edhe modeli i një qytetareje që sillte një kulturë të re në fshatin ku mësonte fëmijët. Kujtoj se ajo ishte aq e dashur dhe aq e preferuar mes bashkëmoshatarëve të mi, saqë një komshiu ynë, vajzës që lindi në ato kohë ia vuri emrin Mita dhe askush nuk tha se ky ‘nuk është emër mysliman’. Mëseuse Mita ishte bërë njëlloj simboli nga qyteti. Ishte një solidaritet me të mirën e kohës që iku…
Epilog…
Mëseuse Mitën, nuk e kam harruar kurrë. Vitet na ‘flakën’ në drejtime të ndryshme dhe unë nuk pata asnjë shans të shihesha përsëri më mësuesen nga Pogradeci që ‘më shpëtoi nga veset’ dhe më fali impulset që kishte nevoja mosha ime. Përherë mirënjohja për atë dhe shumë të tjerë të Brezit të Mësuesve, mbetet brenda meje si një lloj energjie që mban të ri dhe përherë ‘kokëulur’ ndaj Tyre. Kujtoj se një ditë do pyesja Viktorin, bashkëmoshatarin që ‘më spiunoi’ për ‘cigaren nën strehë’, djalin e çifit legjendar të mësuesisë, Edip dhe Florie Mulla, për ndonjë mundësi kontakte me mësuese Mitën, por pa fat. Kisha humbur çdo shpresë se një ditë mund të kontaktoja mësuese Mitën… Por nuk ishte tamam kështu. Në postën time elektronike lexoj këtë mesazh, që më nxiti të shkruaj sa më sipër: “Përshëndetje z . Shefqet. Lexova libin tuaj ‘Viza amerikane’. Më lejoni t’u përgëzoj dhe t’u uroj për rrugën e bukur të artit P. S.: Unë kam punuar mësuese në Pretushë. Me respekt Dhimitra”.
U befasova dhe u ndjeva fajtor. Ishte surpriza ndryshe e pranverës 2023. Mësuese Mita më gjeti e para. Pikërisht një ditë para 7 Marsit. Ishte libri im që na bashkonte dhe për moment ndieva se mësuese Mita ishte “bashkëautore” në çdo rresht. Faleminderit mësuesja ime! Gëzuar 7 Marsin, e dashur mësuese Mita!
Minneapolis, 6 Mars 2023.
Please follow and like us: