Albspirit

Media/News/Publishing

Lajçak: Shpresojmë që në Ohër do ta kemi pajtimin për zbatimin e propozimit evropian

Prishtinë, 9 shtator 2023 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, u takua të enjten pasdite në Prishtinë me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me Kryeministrin Albin Kurti.

Lajçak tha se qëllimi i vizitës së tij dyditore në Kosovë është të dëgjojë qëndrimin e Kosovës lidhur me propozimin evropian, për të cilin palët janë pajtuar në takimin e 27 shkurtit, në Bruksel, në mënyrë që në takimin e radhës, më 18 mars në Ohër, palët të mund të bëjnë hapin e radhës, atë të finalizimit të marrëveshjes.

Ai bëri të ditur se ka ardhur në Prishtinë për të biseduar lidhur me planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve me Serbinë, gjë që do ta bëjë edhe në Beograd, në fillim të javës së ardhshme.

“Qëllimi kryesor i kësaj vizite është që të marrë informacione se si Kosova e sheh zbatimin dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mia në këtë kontekst. Unë do të jem në Beograd të hënën dhe të martën me të njëjtin qëllim, që të dëgjojmë nga Serbia se si e shohin zbatimin e atij dokumenti”, tha Lajçak, pas takimit me kryeministrin Kurti.

Lajçak e cilësoi “konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm” takimin me Kurtin dhe shfaqi shpresën se palët do të pajtohen me planin e zbatimit të marrëveshjes në takimin e 18 marsit në Ohër.

“Ne shpresojmë se do të arrijmë të kemi një dokument për të cilin palët do të pajtohen më 18 mars në Ohër. Tash për tash është e pamundur të thuhet më shumë”, theksoi ai.

Lajçak tha se BE-ja është e përqendruar në atë që ai e quajti “hap i dytë” që ka të bëjë me finalizimin e planit të zbatimit, ndërsa hapi i radhës është formalizimi.

“Do ta diskutojmë këtë në Ohër, por synimi është që ta finalizojmë dhe ta finalizojmë udhërrëfyesin për zbatim”, theksoi ai.

Sipas Lajçakut, në këtë fazë duhet të dihen hapat dhe afatet se si do të zbatohet marrëveshja e propozuar nga Bashkimi Evropian, e cila synon të çojë palët gtë ecin drejt një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme.

“Në të kundërtën, [propozimi evropian] do të jetë vetëm një dokument i obligueshëm në aspektin politik, por jo zyrtarisht i obligueshëm”, theksoi Lajçak.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian do të takohet edhe me përfaqësuesit e partive politike opozitare dhe me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.

Please follow and like us: