Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Ass. Dr. Bernard Zotaj: Pesë dëshmorët e familjës Murraj, Smokthinë

 

Familja Murraj nga Bashaj i Smokthinës u aktivizua e gjitha në Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kjo familje u përfshi si një e tërë në luftë, e cila sakrifikoi deri edhe jetën e prindërve dhe të djemëve të saj. Këtë familje patriotike dhe atdhetare lufta e ndau për gjysëm. Babai, Ormëni dhe djemtë Sejdin, Zenel dhe Mete ranë për lirinë e Atdheut, deri në Kosovë, ndërsa në anën tjetër, nëna, Metullaja e cila vdiq në fillim të vitit 1946 nga plagët e luftës la pas katër vajza dhe dy djem.

Ormëni, luftëtar që nga vitit 1920

Ormën Murra ka lindur në vitin 1898 në fshatin Bashaj, në një familje të varfër fshatare, por atdhetare dhe luftarake. Në fshatin e lindje u edukua me traditat e të parëve të fshatit, si të Cane Myftarit, kapedanit dhe luftëtarit të kryengritjeve të mëdha kundër Tanzimatit. Në Luftën e Vlorës të vitit 1920, u rreshtua në çetën e Bashait me komandant Zigur Lelo. Mori pjesë në luftën e Kotës më 5 qershor 1920 dhe pa me sytë e tij si luftonin luftëtarët shqiparë, si dhe rënien heroike të Zigurit më shokë. Luftën e vazhdoi deri në Majë të Vreshtave të Mëdha, në rrethinat e Vlorës, ku dhe u plagos. Plagët i mjekoi me kripë e me gjethe bexge. Vlora u çlirua, por italianët përgjonin nga Sazani me topat gati, që vështronin përsëri për në Vlorë. Gjendja e rëndë ekonomike bëri që në vitin 1921 Ormëni të vendosej në Ujin e Ftohtë në Vlorë. Me shërimin e plagëve të luftës, nisi punën si punëtorë krahu në vijën e hekurudhës Vlorë-Selenicë.

Pushtimi i vendit nga italia fashiste bëri që të rëndohej më shumë gjendja ekonomike e familje së Ormënit, tashmë me dhjetë fëmijë, gjashtë djem e katër vajza. Ndaj patriotët e ndershëm të Vlorës, midis tyre dhe Ormëni, filluan organizimin për të dytën herë, rezistencën e armatosur. Shtëpia e Murrajve u bë bazë e lëvizjes, duke mbështetur veprimet e njësiteve guerile dhe aksionet luftarake, furnizimin me armë e municione. Antifashistë e trakte dilnin nga shtëpia e Murrajve pasi ishte në një pozicion tepër të përshtatshëm. Shtëpia e Ormënit gjendej afër depove të armëve në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Në pranverën e vitit 1943 breshëritë e armëve zgjuan popullin e Vlorës. Uji i Ftohtë dhe Shashica zbardhnin nga prozhektorët. Zinxhiri i predhave të ndriçuara rrëshqiste nga vaporët në mal malin e Shashicës. Njësiti gueril i Kaninës kishte azgjësuar një oficer madhor fashist. Po atë mëngjes ushtria fashiste për hakmarrje arrestoi Ormënin, duke e akuzuar si pjesëmarrës në vrasjen e oficerit fashist dhe e pushkatoi në Bregun e Bardhë.

Mete, 16 vjeç partizan

Mete lindi në vitin 1928 në Vlorë. Nisi shkollën, por me pushtimin e vendit e la shkollën për të punuar dhe për të siguruar jetesën e familjes. U fut në punë si punëtorë në gurore, në shoqërinë italiane “Puriçelli”. Në punë e sipër në këtë shoqëri, duke punuar për thyerjen e gurëve, në vend që ti binte me vare gurit, i ra dorës dhe preu tre gishta. Kështu që e la punën dhe si u shërua ndoqi rrugën luftarake të babait. Mete i vogël doli malit për liri. Në shtator 1943, Mete mori pjesë në Luftën e Drashovicës, por kapet dhe burgoset në Vlorë. Meten e nisnin me një grup të burgosurish për në internim, por Mete u ikën rojeve të burgut dhe fluturoi në mal, në çetën partizane, në zonën e lirë dhe nuk u kthyer më kurrë në Vlorë.

Në operacionin armik të Dimrit 1943-1944, Mete në rreshtohet në BrVS. Ai ishte në përbërje të skuadrës së heroinës Zonja Çurre, ku i takoi të kryente një marshim të gjatë e të vështirë, me borë e me shi në vargmalin e Çikës në drejtim për në Tragjas. Mete ishte i plagosur, i zbathur dhe i uritur, bashkë me shokët e çau borën deri sa u futën në një shpellë mbi fshatin Tragjas. U strehuan në bazat partizane të Tragjasit, por megjithë përpjekjet e personelit mjekësor partizan, nuk mundën ta shpëtonin dot. Ra në dhjetëditëshin e parë të muajit shkurt 1944, së bashku me partizanin Kujtim Hoxha, Lilo Asllani e Azbi Mete. Ai mbeti yll i Luftës Antifashiste në male.

Zejneli, në Brigadën e Parë Sulmuese

Gjashtë ditë pas vdekjes së vëllait, Zejneli ecte me një mitraloz në krah i rreshtuar në BrIS. Njëzetë e një luftëtarëve u ish besuar detyra e praparojës së brigadës. Në mëngjesin e ftohtë të 28 shkurtit 1944, kolona partizane kaloi fshatin Qarrishtë të Librazhdit. Të njëzet e një partizanët e praparojës mbulonin shpatullat e brigadës dhe udhëhiqeshin me shkathtësi nga trimi “Karadaku”, Xheladin Beqiri nga Kosova. Brigadën e ndiqte me shpejtësi një kolonë naziste gjermane, ndërsa nga anët dhe përpara vepronin forca tradhëtare. Kur praparoja hyri në Qarrishtë, nisi një luftë e befasishme. Partizanët ishin rrethuar plotësisht. Por luftëtarët u hodhën në sulm dhe e çanë rrethim, por me çmim të lartë. Ranë në fushën e luftimit 8 partizanë, nder ta edhe djali tjetër i Orman Murrës, Zejneli.

Sejdini, komisari që ra në Junik, Kosovë

Sejdini në vitin 1942, duke kryer shërbimin ushtarak, arratiset dhe rreshtohet në çetat partizane. U ngarkua me detyrë të shkonte ilegalisht në qytetin e Vlorës. Aty diktohet, kapet dhe burgoset. Në një demonstratë antifashiste, njësiti guerril dhe populli i Vlorës thyen hekurat e burgut. Sejdini rreshtohet përsëri luftëtarë në çetën “Plakë” të Vlorës dhe më pas u rreshtua në BrVS. Rruga heroike e brigadës e burrëroi dhe e forcoi Sejdinin. Ai u dallua për trimëri e guxim, frymëzues, drejtues e organizator. Shabi i brigadës e ngarkon me detyrën e komisarit të kompanisë.

Më 25 tetor 1944, në Junik të Gjakovës vazhdonte lufta, ndërsa Vlora ishte çliruar. Në shtëpinë e nënës Metullahes erdhën mjaft luftëtarë të lirisë. Nëna e pa se fytyrat e tyre ishin të prera. Flisni, u tha nëna. Morëm një letër nga Gjakova, ta dërgon shtabi i BrVS. Ndërsa luftëtari me dhimbje në zemër lexoi: “Komisari i kompanisë, Sejdin Murraj ra si trim në Junik. Ai dha jetën e tij për çlirimin e Kosovës”.

Metullaja, nëna e madhe shqiptare që vdiq nga plagët e luftës

Nëna mori letrën, e puthi dhe kapërdiu dhëmbjen e saj. Por vuajtjet e mëdha të operacioneve, goditjet e mëdha të vdekjeve e bënë punën e tyre. Nënë Metullaja e përballoi dhimbjen e madhe që ju shkaktua nga lufta. Familja e saj kishte dhënë në luftë katër burra. Nëna qëndroi si nënë, nuk e dha veten dhe mblodhi rreth saj fëmijët e tjerë. Ajo ju tha bijëve dhe bijave për të vazhduar rrugën që lanë në mes vëllezërit e tyre së bashku me babanë. Kjo nënë e madhe shqiptare, uli kokën dhe vdiq krenare ashtu siç kishte jetuar, në fillimin e vitit 1946. Amaneti, që u la tre djemëve të tjerë dhe katër vajzave ishte ky. “Mendoni sa nder na sollën Metja, Sejdiu, Zeneli dhe babai juaj, ndaj përpiquni të jeni të denjë…”.

Metullahe Sulo Murraj lindi në vitin 1900 në Smokthinë. Metullahja është kryeheroina e nënave të Smokthinës, jo vetëm që lindi dhe rriti 10 fëmijë, por burrin Ormën dhe tre djem Sejdi, Zenel dhe Mete i nisi në luftë ku dhe ranë dëshmorë.

Fillimi i lëvizjes e gjeti shtëpinë e Murrajve në Skelë bazë të saj. Metullaja me burrë dhe djem mbështën veprimet e njësiteve guerile në aksionet luftarake kundër fashistëve, si edhe në furnizimin e lëvizjes me armë e municione. Metullaja i niste djemtë për të shpërndarë trakte antifashiste. Veprimtaria e familjes u diktua nga armiku dhe në prill 1943 fashistët bënë reprezalje në shtëpinë e tyre, arrestuan Ormënin, të akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e agjentëve fashistë dhe e pushkatuan…

Metullaja bashkë me 10 fëmijët vazhdoi veprimtarinë aktivet në ndihmë të LANÇ-it së me fëmijët e saj. Urrejtja për fashistët e bashkëpunëtorët e tyre u shtua dhe më shumë. Shtëpia e saj u vu nën vëzhgimin e spiunëve të fashizmit, djemtë e saj u detyruan të dilnin fillimisht në ilegalitet e më pas partizanë. Zeneli u rreshtua në BrIS, po kështu dhe Sejdiu, ndërsa Metja 15 vjeç në BrVS. Ata luftuan me vendosmëri deri sa dhanë jetën për çlirimin e vendit.

Nëna Metulla para heroizmit të bijëve të vet qëndroi mal në këmbë me kokën lartë si nëna labe dhe hallall u bëri gjiri që u kishte dhënë djemëve se u vranë për liri e për Atdhe. Nëna Metulla iu përkushtua rritjes së shtatë fëmijëve që i mbetën jetimë. Punoi, i rriti, i edukoi, u dha shkollë të katër vajzave dhe të tre djemve. Njëri nga djemtë e saj ish dhe profesori i njohur Xhelo Murra. Ajo nënë e madhe shqiptare, uli kokën nga dhimbjet e shkaktuara nga lufta dhe vdiq në fillimin e vitit 1946.

Populli u ka ngritur shumë këngë kësaj familje dhe luftëtarëve të saj. Kënga më e bukur është vetë historia e tyre. Ormën Murra me tre djem që nga Vlora në Gjakovë, e lau rrugën e lirisë me gjak… Emrin e Familjes Murraj dhe të bijve të saj e kanë disa rrugë e shkolla në Vlorë. Për ta është shkruar vazhdimisht në shtypin e kohës, pasi ata ranë për lirinë e atdheut dhe kanë mbetur yje që ndriçojnë.

Please follow and like us: