Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder Sherifi: Kujtime interesante me disa personalitete gjenialë

LÉOS CARA” – regjisori i ri francez, super i talentuar, Godardi i ri, sipas kritikës filmike, me familjen e tij shpirtërore, aktorët: JULIETTE BINOCHE – DENIS LAVANT dhe JULIE DELPY…

Po ç’bënte poeti albanez Skënder SHERIFI, në këtë fis galez, komplet të huaj? Dokumenti, zotëri! A keni leje çarkullimi?

Disa kujtime interesante, që ja vlen për t’i ndarë me ju, duke e shprishur së bashku brenda kullës, një pite në tepsi!

 

Zoti Léos Cara, është një regjisor i gjeneratës së re franceze, i konsideruar si super i talentuar, tepër premtues, për të gjithë ata që ia kanë parë filmat e tij të parë dhe i konsideruar nga një pjesë e kritikës hekzagonale si trashëgimtari i Jean Luc Godard, me siguri pak e ekzagjeruar. Por është një personalitet atipik dhe mjaft interesant, i skenës kinematografike franceze, i cili nuk mund ta lejë askënd krejt indiferent. Sepse ka diçka speciale, që nuk e kanë të tjerët! Unë, jo vetëm që ia kam parë të gjithë filmat, bile gjer në metrazhet e shkurtra, ku e kam pas vërejtur talentin e tij evident… por edhe kam pasur privilegjin për ta takuar bile 3 herë, kur dihet që ka qenë ultra i komplikuar në komunikim, u sillte si lugat, duke u mbështetur si hije pas murëve, duke u fshehur, duke heshtur komplet, sepse bënte sikurse i urrente të gjitha kontaktet njerëzore dhe aq më tepër ato me botën gazetareske. Do me thënë, nuk jepte gati kurrë intervista të incizuara apo të filmuara dhe e kultivonte gjer në maksimum si Greta Garbo, Thomas Pynchon, Philipp Roth, e disa të tjerë, atë misterin e tij… Tani, a ishte diçka reale, e thellë apo e sinqertë tek ai, apo vetëm një posturë për ta luajtur një personazh të caktuar? Do ngelet akoma pikëpyetje, ngaqë në këto kohët e fundit, ka filluar për t’u zbutur dhe për t’u humanizuar deri dikund.

Erdhi dy herë në Festivalet e Filmit në Bruksel, për ta prezantuar një vepër të tij, por refuzonte për të ardhur në skenë sa për ta përshëndetur publikun belg, për të folur me njerëz apo nënshkruar autografe, si çdo artist normal në botë, për të dhënë konferenca shtypi apo intervista me gazetarët, mirëpo ishte aty me Michel Piccoli, Denis Lavant, Juliette Binoche apo Julie Delpy… Çudi e madhe! Çka dreqin është ky tip? A t’ia hedhim një kovë plot ujë mbi kokë, për t’ia rikthyer mendt në vend?

Unë isha atje si gazetar, duke shikuar filma, pi kafe dhe birra me disa miq dhe disa nga të ftuarit e Festivalit Internacional të Filmit në Bruksel. E thirra kot për kafe Abdullah Kastravecin, por më tha, kush po pyet për filma, o burrë… kujt i duhen gjë këto marrëzira… nuk kam kohë, se jam i okupuar duke spiunuar Emigracionin!

Ah, bravo të qoftë, vazhdon, se e kemi pasur traditë shekullore, siç duket… Prandaj, nuk i kemi besuar askujt, bile as vetvetes në thelb! A ka kush na këshillon ndonjë doktor në psikologji? Na erdhi një tip i Novosellës dhe na tha, unë jam specialist i doktoruar në Psikoanalizë, në Shkenca Politike dhe në Histori, edhe pse nuk na e konfirmonte regjistri i çfarëdo Universiteti në Belgjikë.  E ftova Hoxhën e Skarbegut për ta këshilluar me ca dovë dhe shehadet dhe për ta qetësuar me një çaj kamomili. Edhe unë, jam djali i Skënderbegut, pasi që e kam emrin Skënder… e pse jo?

Po e shoh Léos Cara-in, të cilin ma caktoj dikush me gisht (“ja ku e ke»!) duke bredhur si lugat nëpër korridoret dhe holin e Festivalit dhe shkova për ta takuar.

Hej zotëri, a mos je Léosi?

– Jo, kush të tha?

Një mik atje matanë. Po, a je apo nuk je, se nuk jemi duke luajtur këtu Shekspirin?

– Po, por harroje sa më shpejt dhe mos fol, se jam këtu incognito dhe dua me qëndruar komplet anonim, a more vesh!

-Mirë, dakort Léos, por a je duke na e prezantuar filmin tënd, o mik?

– Jo, jo, jam vetëm këtu për ta shoqëruar, jam duke e përcjellur dhe kaq… ti a ma ke pa dhe me çka dreqin merresh?

– Me art, me poezi, me aventurë, me drogë dhe trafiqe armesh, si Remboja në Abisini, me mauna të vjedhura, me pula të skaduara, me Mërgatën  e Qyqeve nëpër Skarbeg dhe Molenbeg, me amanetet e pleqve dhe me trashëgimitë kombëtare, me makina ‘Benz’, sahatë luksi dhe mobile në modë…

-Ah, po nga na vjen?

– Nga Albania!

-Jo e pa vërtetë, nga NOWHERE, një no man’s land … por je ka luan me mua, nuk të besoj, më thuaj kush je ose po largohem!

-Shiko, o Cara, jam poet, humanist dhe anarshist dhe këtu figuroj si gazetar, sepse e kam si pasion filmin… jam kineast i dështuar dhe ta lakmoj shumë talentin që ke.

-Ah shit, i urrej gazetarët… mos ja nis për të më bërë pyetje, sepse jam alergjik dhe do sëmurem.

– Jo, jo, rri rehat se jam gazetar sa për formë, për të qenë këtu prezent dhe për të pa vepra arti… pastaj, ty po të lë të qetë, por ndonjë intervistë, jam i detyruar për ta bërë, për nga aspekti profesional, sa për ta justifikuar rrogën dhe pozicionin tim këtu… okay, Léos, do shihemi kur të duash. Ja telefoni im… fol lirisht si të duash, nuk do them se kush je dhe do ta ruaj anonimitetin në Bruksel.

Ishin në Bruksel, Emir Kusturica, Théo Angjelopoulosi, Ken Loachi, Werner Herzogu, Wim Wendersi, Michel Piccoli, miku i Shqipërisë dhe i Ismail Kadaresë. Ia vlente për t’i takuar, pasi që e kisha një ‘Press Card’ të Radio Kontaktit. Pos me dy gjermanët e disponuar, super cool dhe regjisorin grek gjenial, të tjerët ishin pak tepër formalë dhe në botën e tyre dhe nuk kishe se çka me ndarë seriozisht me ta. Ja prezantova një aktore franceze hebreje fillestare, Elsa Zylberstein, mikut tim Théo, që e kam takuar 2 herë edhe në Paris, duke u kënaqur muhabet dhe ia mori bookin. Mirëpo, isha me një shoqe spanjolle tepër e pasionuar pas meje dhe pak eksesive,  e cila për të ma mbaruar qejfin, m’i sillte të gjithë aktoret e bukura dhe seksi në tavolinë, duke ju thënë – po ua prezantoj një poet gjenial, që i njeh të gjithë artistët e botës dhe mund t’iu takon këtu me kënd të doni… ndërsa mua, më thoshte në vesh duke qeshur – je i lirë i dashur për çdo lloj aventure me këto vajza fantastike,  të cilat po t’i ofroj unë vetë me të nderuar! – Ah, bravo të qoftë, Izabela, se ke nderuar 800 shtëpi Krasniqe, 400 shtëpi Berishë dhe 200 shtëpi Vuthaj… hajde e të puthi! Na erdhi Julie Delpy, aktore fillestare e Léos Carait, një bionde sublime, ëngjëllore dhe naive, plot me sharm dhe na u ngjit mua dhe Izabelës… duke thënë, “po e ndiej veten të humbur këtu, nuk njoh askënd, pos ekipit tim të çmendur dhe dua me ndejtur me ju, nëse jeni dakort”!

– Okay, Julie, nuk jemi kundër tresheve. Por sa të adoptojmë ty, e ardhur nga Parisi, më sevap është për ta adoptuar një fëmijë vietnamez apo angolez. Të jemi pak serioz tani… a je këtu për ta promovuar filmin e Cara-it, apo për të lypur strehim?

– Po, por çka duhet për të bërë?

– Qysh, çka me bë? Me kërcyer përpjetë, me dalur mendsh! Me bërë marketing, o vajzë! Eja me mua dhe kur të afrohet dikush për ndonjë kompliment apo autograf, ti vetëm buzëqesh, fol me humanitet dhe firmosja emrin dikund … Kaq, e pastaj do e fitosh një samun me sallatë dhe suxhuk Prizreni!

– A mund të puthi, se je shumë simpatik?

-Po, nëse na lejon Izabela, pyete, se përndryshe, do na hanë Kalukënxha!

-Ah, po më pëlqeni të dy aq më tepër… shyqyr që ju takova, se isha e çorientuar. Kur e mendoj, zhvillimin eksepsional të asaj vajze sot, është për t’u habitur dhe për ta admiruar.

Ka mbrri për të ekzistuar si aktore dhe regjisore, deri në Amerikë. Qysh dhe si, nuk e di, porse ia heq kapelën! Julie Delpy ka lindur në vitin 1969 në Paris 14 dhe sot është 53 vjeçare. Është formuar në ‘Tish school of the Arts’ pranë Universitetit të New Yorkut dhe në ‘Actor Studio’ në vitet 1980. Fillon si aktore në moshën 16 vjeçare në filmin: “Détective” të Jean Luc Godard-it në 1985. Dhe pastaj në filmin “Mauvais Sang” të Léos Cara, në vitin 1986 – për të cilin vjen pikërisht në Festivalin e Brukselit dhe unë e takoj aty Julinë, në moshën 17 vjeçare, në një moment ku nuk e njihte askush.

Pastaj do luaj disa role në rreth 40 filma francezë dhe ndërkombëtarë, si për shembull “Europa- Europa – 1990” me Agnieszka Holland, “The Voyager – 1991” me Völker Schlöndorf, “Tri ngyra – BLU – e pastaj – KUQE”  në 1994 nga Krzysztof Kieslowski, “I love L.A.” në 1998 nga Mika Kaurismaki, “Investigating Se”, në 2001 nga Alan Rudolf, “Broken Flowers” në 2005 nga Jim Jarmush, “Faussaire” në 2007, nga Lasse Hallström. Kurse tani, ajo vet si regjisore na i propozon këto filma kryesorë: në vitin 2002 “Looking for Jimmy”, në 2007,  “Two days in Paris”, në 2009, “La Comtesse” në 2011, “Le Skylab” në 2012, “Two days in New-York”, në 2015, “Lolo”, një komedi në 2021, “My Zoe”, një film dramatik dhe një serial prej 12 epizodesh nga 30 minuta, për televizionin kanadez – Quebec, në vitin 2021, Amerikë, Francë Canal Plus dhe Netflix me titullin “On the Verge”.

Pastaj ka marrë plot shpërblime nëpër Festivale të ndryshme të Botës dhe titullin honorifik nga Ministria e Kulturës Franceze tani në vitin 2022 – “Officier de l’ordre des Arts et des Lettres”, në Paris. Bile, habitem sot me veten dhe fatin tim pak special, sepse i kam pasur pranë meje në një moment të jetës, disa aktore fillstarë franceze, të cilat ishin në startim dhe komplet anonime dhe vinin tek unë, për t’i këshilluar, udhëzuar, guiduar nëpër Bruksel dhe nganjëherë edhe në Paris. Pos Julie-së, kemi edhe Juliette Binoche, e cila sot është në mes yjeve ndërkombëtare të filmit planetar, Florence Darrel, e cila ka bërë një karrierë korrekte në Francë, apo Elsa Zylberstein, që sot konsiderohet si aktore e konsoliduar në Hekzagonë. Ec tani, ec shpjegoje sepse? Po ashtu, kam njohur shumë aktorë belgë, që ishin komplet emra anonimë e të panjohur nga askush, pos profesionit, të cilët u sillnin mes rrugëve dhe lokalëve të kryeqytetit belg, tamam si aktorët tanë në Tiranë apo në Prishtinë, duke punuar aty-këtu për një honorar në teatër apo në një film dhe duke qendruar në asistencë gjatë kohës tjetër.

Njerëz super simpatikë, me të cilët kam kaluar shumë kohë nëpër kafe të qytetit, duke debatuar mbi artin, kulturën dhe temat aktuale të botës, duke shkuar nëpër spektakle dhe premiera së bashku. Bile disa prej tyre, me kanë ardhur edhe në festat e ditëlindjës sime dhe sot janë, mund të themi, gjithë të punësuar gati rregullisht, nëpër Francë, jetojnë së paku prej artit të tyre dhe disa janë mjaft të afirmuar në botën e filmit dhe të teatrit francez. Si për shembull, François Vincentelli, Bernard Yerlès, Christian Hecq, Patrick Descamps, Patrick Bauchau, Philippe Jeusette, Philippe Résimont, Angelo Bison, Daniel Hanssens, etj. Shikone ju vetë, sesi e kanë zhvilluar karrierën e tyre më vonë në Francë dhe deri ku kanë mbrri aktualisht? Pastaj, duke e përcjellur filmin “Mauvais Sang» ishte Carai me aktorin e tij ikonik Denis Lavant, i cili ishte në realitet dyshi i tij, alter-egoja, tamam siç ishte Jean Pierre Léaud, në disa filma të njohur të François Truffaut-së, ku e luante në realitet rolin e vet regjisorit. Mirëpo, Denisi ishte aktor-poet, njeri mjaft i lexuar, por shpirt sllav, gati rus, komplet i alkoolizuar, i cili kalonte nga një eufori e vërtetë gjer në revoltë dhe skandal të paparë, gati një personazh jashtë kontrolli.

Julie Delpy, aktore adoleshente, me pamje engjullore, që pinte qumsht, ujë apo akullore, ju frikësonte atyre tipave borderline dhe ikte sa më larg. Dhe tani, unë isha aty në Bruksel, mes parajsës dhe ferrit… ha… ha… ha…  Julia më pëlqente shumë dhe ishte kënaqësi, për ta menaxhuar nëpër Bruksel. Por edhe Denisi ishte një personalitet mjaft interesant dhe jashtë normave, ashtu siç i dua unë në jetën krijuese… tipa që e kanë një botë, një kërkesë të fortë brenda tyre dhe që nuk bëjnë koncesione me artin e vet, qëndrojnë besnikë ndaj rrugës së tyre hulumtuese gjer në fund. I thashë shoqës sime spanjolle Izabela: “merre ti në shoqëri Julinë dhe nëse do ajo, mund ta ftosh edhe tek shtëpia jote, pa problem”, ndërsa unë, po e shoh se si mund të dialogoj me këtë të çmendur total, që quhet Denis Lavant, se me siguri ky njeri ka diçka speciale. Ishte aty duke thyer gota, duke i sharë njerëzit, duke lehur dhe folur lidhje e pa lidhje, me një pamje me të tmerruar, tamam si këta të kohës PUNK në Londër, vetëm për t’i shokuar njerëzit, me një frizurë të çoroditur të një fisi indian IROKUA, vetëm një kreshtë pule apo këngji mbi kokë! Eh të marroftë Zoti, more djalë… por çka do me na faktuar me këto debilitete adoleshente?

“Merri dy-tri kafe ekspreso dhe fute kokën në ujë të ftohtë, o mik”!

“Po kush dreqin je… a njihemi”?

“Jo, por e njoh Léos-in, dhe Julie-në që luan me ty… Jam poeti albanez frankofon, Skënder Sherifi, mirë se na ke ardhur në Bruksel, me këtë film të mrekullueshëm”.

“A je komunist, se e dëgjoj nganjëherë për zbavitje Radio Tiranën që emeton në valë të shkurtëra në disa gjuhë të botës dhe e kam lexuar Ismail Kadarenë? A ke botuar diçka, a ke ndonjë libër, sa më të lexuar, se do qëndroj edhe nesër në Belgjikë”?

“Po, do ta sjell pa problem. Po më vjen mirë që e njeh Shqipërinë, por unë jam anarshist miku im, pro majit 68 dhe revolucioneve kulturore utopike me ‘Peace and Love’ dhe pa pushkë! Kurse, bravo të qoftë që e ke lexuar Kadarenë, sepse ia vlen».

“A ka njeri se çka me pa në Bruksel… a je i lirë sonte, nëse do, se mund të rrimë së bashku”?

“Po, ma len telefonin tënd Denis. Por me Léos-in, a ke lënë ndonjë program ose me Julie-në“?

“Jo, jo, janë të vaksinuar dhe në punën e tyre… e prezantuam filmin në Festival, i dhamë disa intervista dhe konferencën e shtypit. Nëser do jemi në RTBF… dhe ditën e mirë… adios amigo”!

“Dakort, atëherë shko e pushon bile 1 orë, okay, kthellohu… dhe po vi me të marrur në hotel nga ora 21… dalim së bashku dhe ta sjell një vepër timen”.

“Super, Skënder, por çka do me thënë ky emër”?

“Ah, është një figurë historike dhe ikonike e kombit shqiptar që quhet Skënderbegu, çka do me thënë në disa gjuhë arabo-persike apo turke Aleksandër…“.

“Okay, a mund të thras Aleksandër, se po më pëlqen më tepër…”?

“Pa problem, Denis, thirrem qysh të duash, edhe Mao Ce Dung, nëse do! Atëherë, do shihemi më vonë, okay, por mos u trullav o mik!

Sa për informimin tuaj praktik – dijeni që Denis Lavant  ka lindur në vitin 1961 në Paris, e ka pasur nënën psikologe dhe babain doktor pediatër. Është nga një mes borgjez intelektual dhe ka shkuar për t’u formuar në teatër si aktor, pastaj në shkollën e cirkut dhe të mimit, duke qenë i fashinuar nga Marcel Marceau. Pra, ka kaluar në shkollën superiore të arteve dhe teknikave teatrore në rue Blanche dhe pastaj në Konservatoriumin e madh të Parisit. Ka filluar karrierën e tij në teatër duke e interpretuar Shekspirin me Hamletin dhe Tregtarin e Venedikut. Pastaj, ka qenë në plan të parë të aktualitetit kinematografik, duke i luajtur rolet ikonike që ia ka propozuar Léos Cara”, në 3 filmat e tij emblematikë: “Boy meets Girls” në 1984, pastaj “Mauvais Sang” në 1986 me Juliette Binoche dhe po ashtu në vitin 1991 në filmin “Les Amants du Pont Neuf” – i cili shënon një datë speciale në kinematografinë franceze, aq ka qenë xhirimi i tij katastrofik, gjer në prag të falimentimit global. Tani, imagjinojeni ju vetë, 5 vite pas filmit “Mauvais Sang” dhe do i duhet me pritur edhe 8 vite të tjera për ta gjetur një financim për filmin tjetër “Pola”, i cili ka pas qenë një dështim publik në Festivalin e Kanës në 1999 e më vonë vjen me filmin “Holly Motors» në 2012, prapë me Denis Lavant dhe sa të tjerë, mes tyre edhe Kylie Minogue dhe Annette në vitin 2021… gati tempoja filmike e Stanley Kubrick.

Denis Lavant njihet më tepër si aktor teatri, të cilin e ka me pasion të plotë dhe ku  i ka interpretuar në skenat e ndryshme franceze mbi 50 role të ndryshme, porse ka xhiruar edhe disa filma ku ka pasur role të vogla, apo të mesëme, mirëpo, edhe pse ka qenë prezent në më se 40 Filma, apo 13 për televizion, njihet vetëm përmes filmave të Léos Cara”-it, për sa i përket artit të shtatë. Ka incizuar edhe disa albume muzikore me interpretimin e teksteve të Jean Genêt, Arthur Rimbaud, ose Charles Ferdinand Ramuz, autori zviceran. Është një ndër të rallët aktor, i cili më ka këshilluar për t’i lexuar disa autorë, të cilët unë nuk i njihja fare, si për shembull autori çek nëse nuk gaboj Pavel Rezniçek – me romanin “Tavani”. Ka qenë vet poet, ka botuar edhe tekstet e tij në tre libra, dhe lexues i palodhshëm. Më ka ftuar dy herë edhe tek banesa e tij në Paris, për ta kaluar natën tek ai, sa për t’ua treguar afërsinë që e kam pasur me të. Pastaj unë e kam njohur me mikun tim aktor, gati marsian, Pierre Clémenti në Paris, duke e ftuar për ta pa në teatër dhe u mahnit aq shumë, sa që më falënderoj 10 herë dhe ngeli gati memec pas spektaklit dhe kur e takoj mikun tim, me origjinë korsikane, qëndroj si i droguar. Por u kuptuan të dy, pa folur fare! Dikur erdhi në veti dhe e kaluam gjithë mbrëmbjen së bashku duke ngrënë meze dhe pi verë! Denis Lavant me ka nderuar edhe me parathëniën e tij miqësore, që ma ka shkruar për dramën time “Trio e Përjetshme”. M’i lexonte nganjëherë tekstet e mia nëpër kafe, për qejf… Pra, e dua shumë atë person… kurse tani, ku me ka ikur Julie Delpy?… E thirra Izabelën, por më tregoi që e ka përcellur në stacionin e trenit për Paris, me 100 përqafime për ty… Më tha që mund ta vizitojmë kur të shkojmë andej.

Ah shit … se pata dëshirë t’i kaloja disa momente private dhe atipike më këtë aktore të tipit nordik skandinav, e cila më ka prekur shpirtërisht, aq m’u ka dukur irreale,një lloj Maryline fëminore, por a ishte një lojë apo diçka natyrore? Por në atë moshë 17 vjeçare, nuk mund të ketë aq shumë inskenime, sipas meje… dhe siç thoshte vëllai im shpirtërore simbolik Arthur Remboja – kush mund të jetë super serioz, aq i kontrolluar dhe i përmbajtur në vrullin e adoleshencës, në epiqendrën e rinisë?

Gjatë vitit 1994, një mik belg, zoti Yves Hanchar, të cilin e kam pas njohur mirë, me darka dhe dreka, me vizita tek shtëpia, duke ia pa të gjitha punimet e tij filmike si student i artit të shtatë, me metrazhe të shkurtra… po e fillon tani xhirimin e një filmi serioz të gjatë në Bruksel, me 3 milionë euro buxhet dhe një distribucion gati të pabesueshëm për një film të parë, me Catherine Deneuve, Pierre Richard dhe Denis Lavant në rolet kryesore. Dhe duke e ditur mirë, që jam edhe unë i pasionuar ndaj botës kinematografike, më ftoi për ta kaluar një ditë me të, gjatë xhirimit. Ishte një privilegj i rrallë, sepse kisha në dispozicion gjithë atë ekip njerëzish, të cilët kishin momente të gjata pritje, si në çdo xhirim. Bile shumë aktorë më thonin, që për ata problemi kryesor ishte pritja e mërzitshme mes skenave apo planëve të xhiruara.

Dhe ti tani, e ke para syve të tu një yll planetar si Catherine Deneuve, e sheh duke punuar, duke u përgatitur, duke pritur, sesi sillet? E ke Pierre Richard-in, një ndër aktorët më të njohur dhe popullor të Francës, për sa i përket filmave komikë. Dhe mikun tim Denis Lavant mes tyre, si me pas ardhur nga Marsi! Më mungonte vetëm helmeti i kaltër i Kombeve të Bashkuara… Catherina më përshendeti me buzëqeshje dhe më tha: “Zotëri Sherifi, a mos jemi takuar dikund, më dukesh fytyrë e njohur”?

– Po, zonja Catherine, jemi takuar para pak vitesh këtu në Bruksel, por në sallonin ndërkombëtar të Antikuarëve, ku keni qenë e ftuara e nderit dhe kemi biseduar ca minuta rreth një kupe me shampanjë. Tani, jeni këtu në duart e mikut tim të ngushtë zotit Hanchar, por ta ndihmoni se është filmi i tij i parë profesional dhe mund ta imagjinoni stresin dhe sfidën që ka mbi supe?

– Po, por tani ai vetë e ka zgjedhur atë përgjegjësi dhe le ta bajnë me shëndet… është mjaft i rritur! Waouw!

Kurrfarë mëshire, as humaniteti, pos robotizmit profesional… Me zonjën Deneuve, është vështirë për të dalë prej shinave borgjeze klasike, ose duhet për ta shkundur dhe shokuar si surrealistët, dadaistët apo bitnikët amerikanë, pa e pyetur fare. Kaloi mirë, nëse jo dhe dështova, punë e madhe… do ia kishte vlejtur për ta provuar, sinqerisht, si në filmin e Luis Bunuelit “Belle de Jour”domethënë “E bukura e ditës” duhet për ta dhunuar diqysh, për ta nxjerrë nga ajo zona e saj e konfortit. E dija mirë, por duke qenë me mikun tim Yves Hanchar dhe i ftuar special i tij në xhirim, nuk mund ta riskoja një skandal eventual me Catherine Deneuve, sepse mund të ikte direkt prej xhirimi dhe ta anulonte kontratën, duke na sharë të gjithëve, ose do na përqafonte me falënderime dhe do bënte siç i themi ne, pa asnjë kalkulim!

Por ishin aty disa miliona lekë në lojë, dhe e imagjinoj një çun të ri para asaj peshe…

Fola pastaj më lirshëm me Pierre Richard-in, aktor dhe njeri simpatik, hajgarexhi, spontan, aventurist, ngaqë jetonte në një anije buzë lumit Senë të Paris-it… folëm për udhëtimet tona, për jetën, artin, femrat dhe më tha, që e kam një të fejuar të re, e cila do vjen tani dhe na erdhi pas 40 minutash me një çantë ‘Vuiton’, një femër bukuroshe dhe provokante franko-algjeriane rreth 25 ose 30 vjeçare në maksimum, për të më përshëndetur duke më puthur në faqe spontanisht dhe duke e përqafuar me plot dashuri Pierre Richard-in, i cili më tha – “A po e sheh, pse jam i lumtur tani në këtë moshë”?

– Po, i thashë, ja vlen po aq sa çlirimi i Algjerisë!

Dhe ia plasi gazit, duke më thënë: Ik sa më shpejt se po të pushkaton… ha… ha… ha… edhe ajo qeshi dhe pastaj më tha: “E njeh ti Algjerinë”?

– Po, zonjushë e nderuar, kam qenë 17 ditë andej dhe e kam njohur mirë situatën.

– Po ti nga vjen, jeni belg”?

– Po, formalisht po, por jam me origjinë nga Shqipëria.

– Keni problem me Kosovën, çka është gjithë ai bordel andej, se nuk merret vesh asgjë në gjithë atë çorbë, me të gjithë ata popuj të Ballkanit … çka duan në realitet”?

– Waouw, stop o vajzë… se nuk jam profesor i Shkencave Politike dhe do shumë kohë ajo punë për t’u sqaruar! Merru më mirë me dashuri dhe do gëzosh mbështetjen time. Duam edhe ne për t’u çliruar sikurse ju Algjerianët… kaq dhe kalofsh bukur në qytetin e Brel-it!

E pyeta Denisin, kur e përfundon për sot xhirimin?

Tha, pas 1 orë e gjysmë besoj!

Mora një sanduiç dhe e prita me një birrë ‘Stella’ belge. Po sa doli, u përqafuam me regjisorin Yves Hanchar dhe u mora unë vetë me Denis Lavant nëpër Bruksel. A ke ngrënë, o mik? Jo! Tani, apo më vonë? E morëm një karbonadë flamane dikund rreth Bursit dhe pastaj e çova me qëllim tek kafja ‘COBRA’ që e mbante miku im Fitim Pagarusha, vëllai i Nexhmije Pagarushës, bilbili gjenial i Kosovës, që rrinte në vitin 2012, kur më pat ftuar tek apartamenti i saj në Prishtinë, me 40 dollarë pension mujor, të dhuruar nga shteti i saj, e po ashtu edhe zoti Idriz Ajeti, drejtori i qendrës albanologjike të Kosovës në Prishtinë… një turp i pafund, me ngelur pa fjalë!

I thashë Fitimit:  “Ky është miku im, aktor francez nga Parisi, zoti Denis Lavant dhe  e solla tek ti për qejf.  Ai pinte birra dhe vera zakonisht… por po i thotë: “Provoje këtë liker që e kam shpikur unë dhe vendosur në këto shishe me etiketa… është formula unike e imja, kjo pije quhet – Helmi i Kobrës – Le Venin du Cobra. Tani, provoje një gotë prej meje me Skënderin dhe më thuaj sinqerisht se çka mendon”?

Pasi e piu Denisi atë helm, po i thotë: “Shiko, më ka pëlqyer kjo alkimi e jotja, ma sjell një shishe se do ua ofroj një gotë disa miqve të mi, në Paris, sa për t’i befasuar. Po pse e ke thirrur Cobra, kafën tënde, ti zotëri, po e pyet Denisi? A je i pasionuar pas gjarpërinjve?

– Jo, jo, është në shenjë homazhi me rrymën e pikturës Cobra! A i njeh Karel Appel, Jasper Johns dhe Pierre Alechynskin? Ah, bravo të qoftë, kam menduar, që pos Sherifit, të cilin e njoh tash ca vite dhe e admiroj si poet madhor, shumica prej jush si albanezë, merreni vetëm me piratëri dhe me trafiqe…

Jo, jo Denis, merremi edhe ne, si gjithë bota me gjëra krejt normale, punojmë, jetojmë, i shkollojmë fëmijët tanë, i paguajmë takstet shtetërore dhe mbyllim fundin e muajit. Kurse një minoritet tepër i mediatizuar merret me këtoj lloj aventurash dhe po na dëmton aq shumë imazhin të gjithëve.

Ndërsa, e kam edhe një episod komik apo burlesk me regjisorin Léos Cara, tamam skeç për një show televiziv. Isha në Paris tash ca kohë, në disa aventura private dhe takime më këta të akademive letrare dhe të arteve plastike, më kujtohen akoma Yves Michaux, Alain Jouffroy, René Huyghes dhe Robert Sabatier, autori me çmimin ‘Goncourt’ i cili më pat ftuar tek apartamenti i tij në Paris-in, 16, bulevard ‘Excelmans’. Ishte në depresion, ngaqë i kishte vdekur shoqja e tij dhe më priti në pizhama, rrobe nate në pikë të ditës. E përqafova, ia mora dorën, i thashë “A mund të ndihmoj me diçka… çka do të pëlqente për momentin zoti Robert, me thuaj”?

– Asgjë, jo asgjë faleminderit, për t’u zhdukur përfundimisht për ta rigjetur shoqen time në botën tjetër.

– Durim, o mik se do kesh kohë! Eja, e të dalim dikund përjashta…

“Jo, jo, se jam i shkrehur, të falënderoj për kujdesin tënd, mos u mërzit, se nuk e kam mendjen për ta vrarë veten akoma”!

– Dakort, Robert, po më vjen mirë! A ta sjell një ëmbëlsirë me një kafe?

– Jo, merr ti çka të duash në frigorifer! Shiko, Skënder, mundesh po ashtu me ma lehtësuar bibliotekën time, se me kanë lodhur të gjitha këto libra, nuk kam më vend për t’i radhitur siç duhet… Pra, merr gjithçka të intereson ty me gjithë qejf dhe pa u kursye fare, merri në kujtimin tim, okay!

Dhe dola nga apartamenti i tij me 10 – 12 libra, të cilat m’i futi në një torbë sportive.

I lashë aty ku duhet, për t’i rimarrur pak më vonë dhe u drejtova nga qendra historike e Parisit 5 dhe 6 – mes Shen Germenit dhe Shen Mishelit, Odeon, Panteon, Quartier Latin, etjera… dhe m’u kujtua që Juliette Binoche dhe Léos Cara banojnë andej, nga rue des écoles (rruga e shkollave) dhe i rashë ziles spontanisht, pa i lajmëruar, alla shqiptarçe në kohën e Zogut! M’u përgjigj me parlofon Léosi, duke më thënë, pse vjen ashtu pa lajmëruar Sherif, nuk jemi në Alpet albaneze këtu, por në Paris, ultra të programuar, na telefonon o mik… i kam 40 minuta kohë, eja dhe ngjitu sipër!

“Okay, faleminderit Léos, më fal për këtë improvizim, por isha në lagjen tënde dhe e provova kot për qejf… si je, çka je, si e ke farë e fisin, a ke pasur bereqet sivjet me korrjet e grurit, po bagëtinë si i ke, a i ke qitur akoma nëpër Bjeshkë”?

– Ha, ha, ha, me u pakur duke qeshur, a e ke seriozisht Sherif… a mos e ke ngatërruar shekullin dhe shtetin? Më ke bërë me lotuar duke qeshur! A ta pimë një verë? Nuk je artist kot. Shiko, nuk kam shumë kohë, se kam me shkuar në Grenoble në një Festival. Por a ma ke pa Godardin, filmin e tij të fundit?

– Po, e kam pa, a e ke fjalën për – Soigne ta droite?  Dhe të kam pa edhe si aktorë në filmin e tij King Lear, një delir! Sinqerisht, ti e di që jam fans absolut i Godardit, në përgjithësi, për gjithçka i ka sjellur të re botës kinematografike, por këto kohët e fundit, është duke rrëshqitur keq dhe duke u bërë komplet hermetik, abstrakt dhe i pa deshifrueshëm… E kam zor për ta ndjekur. Në filmin e tij, ka dy-tri momente sublime, që përbëjnë po themi, 5 deri në 7 minuta, në 85 – të tjera konfuze, ku as dreqi nuk merr vesh asgjë? Si puna e atij që do për të hulumtuar diçka, por pa e ditur as ai vet se çka paraprakisht? Pra, hajde e të hulumtoj dhe ju shikomëni mua duke hulumtuar dhe pikë! Problemi, është që nuk funksionon kinematografia mbi këto parametra… dhe dikur, kur ta takoj, do ia them pa hezituar, me argumente të shëndosha. Po ashtu edhe King Leari është një çorbë totale, por më ka bërë për të qeshur, nga ana qëllimisht groteskte e filmit, i karikaturuar në ekstrem, me pretekst të modernizimit të temës dhe sidomos, kur na vjen vet Godardi, me frizurën rasta të Bob Marley-të… si një UFO!

Kurse, filmi yt “Mauvais Sang” është vepër poetike dhe romantike madhore, diçka sublime, e cila do ngelet në kujtesën filmike… timën, po se po! Ti kam pa të gjitha veprat, i dashur Léos, deri edhe metrazhin tënd të shkurtër në vitin 1980 me titullin “Strangulation Blues” ku e kam dalluar menjëherë, që jam para një kineasti me një univers artistik autentik. Dhe pastaj, të kam ndjekur me shumë kuriozitet, se kam pritur diçka origjinale dhe interesante prej teje… Por e di që për ty, kjo e krijon një presion dhe një përgjegjësi artistike evidente. Edhe filmi profesionalë i parë “Boys meet Girls” është fantastik. Mirëpo, tani duke biseduar me të në apartament, po më shkon automatikisht syri, tek dy palë këmbë delikate, të një femre, e shtrirë për tokë, por e mbulluar komplet si një mumie egjiptiane me një tapi (ose qilim oriental).

Dhe ne flisnim si të ishte çdo gjë normale… por nuk mund ta injoroja atë imazh të këmbëve, e cila m’u bë gati si një fiksim. Dhe po më thotë dikur Cara “Skënder, nuk e ndien vetën mirë, a ke ndonjë shqetësim? A do ta çeli dritaren, ke ndonjë turbullim intestinal? Merre këtë hap me ujë, se të kalon”!

– Jo, jo, por po më pengojnë këmbët e kësaj femre, e shtrirë këtu 2 metra larg prej nesh…

-Ah, mirë, por mos u mërzit, harroje atë punë, sepse është Julieta duke fjetur, nuk ke sepse për t’u shqetësuar.

– Po mirë, Léos, nuk ka shtrat ku me fjetur Julieta?

-Po, po, por nganjëherë, ka qejf për t’u mbuluar si mumie egjiptiane me qilim dhe për të pushuar ashtu në tokë.

-Dakort, po e supozojmë… por shiko, miku im, jam dëshmitar okularë këtu dhe nuk dua me u përzier me një çështje juridike. Nëse, e ke asgjësuar dikënd Iks dhe të duhet tani për ta hedhur kufomën e tij dikund, si mik malësor, jashtë dëshirës sime, por sipas besës dhe fjalës kanunore, mund të ndihmoj, por prit sonte pas mesnate, që mos të na shohin shumë njerëz. A ke një furgon mjaft të madh?

-Ha, ha, ha, me vdekur duke qeshur, po ma inspiron tani një film, miku im. Je i çuditshëm, ke imagjinatë të fortë. Po është Julieta duke fjetur, more idiot, a more vesh, se më qite mendsh! Mirëpo, je i fiksuar, po e shoh që ke dyshime dhe që nuk po më beson fare. A do me ta faktuar, se je gati për psikiatri, më duket?

-Po, se do ma heqësh merakun…

Dhe tani ja dha një shkelm të fortë qilimit oriental, i cili filloi për t’u shpalosur komplet dhe dikur na doli Julieta në brekë dhe gjysmë zhveshur, e shtrirë, pak e hutuar dhe e trullosur, si ai që del nga gjumi i sforcuar dhe filloi për të na sharë të dyve me britma dhe për të na gjuajtur me nallane dhe çka i vinte afër dore.

I kërkova 100 herë falje dhe i thashë sesi mund ta riparoj këtë dëm? A e do një masazh special nga unë? – Hup e mos të shoh, more horr muti! Pse ma prishe pushimin? Dhe po intervenon për zi, Léosi, duke shtuar – “Shiko, e dashura Julietë, isha i detyruar prej Sherifit për të shpalosur, sepse dyshonte a mos të kam vrarë, ngaqë u fiksua në dy këmbët e tua, por nuk i shihe pjesët e tjera të trupit, pos tapinë… dhe m’u desh për t’ia faktuar që je akoma gjallë duke fjetur”?

-Ah, ju hangërt dreqi të dyve, se jeni tepër të luajtur… Po Sherif, çka të duhet ty sesi fjej? Nuk mund të qetësoj duke ta ofruar një strip-tease privat tani! Me çka merresh, apo me budallëqe të tilla?

-Me art, me poezi, me delikatesë, me romantizëm, me flijë dhe me tepsi, me rapsodi…

-A po na këndon diçka nga xhunglat e tua?

– Jo, se mund të bjerë shi pastaj ! Por mund t’i ofroj ca poezi të mia, si kujtim…

-Shiko Sherif, tani Léosi ka për të shkruar 2 ditë në Grenoble. Nëse do, mund të vish sonte këtu dhe do hamë një darkë së bashku, kështu, që do njijemi pak më mirë. Merre një shishe me verë se do kuzhinoj unë vetë për të dy… dhe na tha Leosi, “pse jo, ide e mire”!

Por konkretisht, nuk erdha se kisha ca angazhime të tjera. Kur e mendoj sot me distancë, i them vetës, që kam gabuar rëndë, ngaqë edhe me pas qenë një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme, për Juliette Binoche, apo për çiftin e Julie Delpy-së, çdo gjë tjetër merritonte për t’u anuluar. Nje rast unik krejt i dështuar, për principe të pa rëndësi, çka mund t’u rregullonte me një telefon… Ku me e ditur tani, se çka do kishim përjetuar me Julietën gjatë një mbrëmbje komplete gjer vonë? Do ngelet një mister, një enigmë pa përgjigje…

Léos Cara, me emrin Alex Dupont, ka lindur në vitin 1960 në Paris. Ka bërë vetëm 4 filma me metrazh të shkurtër dhe 6 filma profesionalë të gjatë. Është gati siç ka qenë dikur Orson Welles, apo Michael Cimino në Amerikë, tip mjaft i komplikuar për ta menaxhuar në projekte filmi, ngaqë dalin mendsh producentat dhe stafi komplet me mënyrën sesi vepron dhe punon. Ka qenë po ashtu aktorë në 10 ose 12 filma dhe ka punuar pak edhe në muzikë. Ka marrë disa çmime në disa festivale. Porse tani, me reputacionin që ka, xhiron shumë rrallë… Ka premtuar shumë, se është me një potencial mbi të tjerët, super i talentuar dhe i kultivuar, artist i vërtetë, por tepër i krisur dhe jashtë normave. Në fillim, një pjesë e kritikës franceze e ka pas konsideruar si pasardhësi i Godard-it, porse nuk është dhe kemi dalur pak të zhgënjyer, më në fund. I pata thënë – Leos, po pse e ke ndryshuar emrin, o burrë?

M’u përgjigjë:  Po me të thënë ty tani – shko për ta pa filmin e Alex Hamamit ose Askushi, a do shkosh? Sepse, emri Dupont është tepër banal dhe i rëndomtë këtu në Francë, tingëllon sikurse Gashi apo Berisha në Shqipëri, ku ka me mijëra njerëz… dhe vendosa për ta krijuar një emër pak më enigmatik, i cili shtron disa pikëpyetje. Se me Aleks Hamamin, je i dështuar pa ia filluar akoma punës. Ti je mirë me Skënder Sherifi – diçka që merr erë arti, origjinë arabo-italiane, për nga tingulli dhe shkrimi”.

Në art, nuk mund të paraqitesh me banalitete të rëndomta, a more vesh? Pastaj 4 libra janë botuar mbi veprën e Léos Cara-it, (ese studimorë) dhe një dokumentar, ku flasin gjithë ata që kanë punuar me të, por jo vetë regjisori. Ndërsa, ju e dini që tani Juliette Binoche, është bërë aktore gjigante e nivelit ndërkombëtar, me një karrierë tepër të pasur. Ka lindur në Paris në vitin 1964. Ka luajtur në 60 filma profesionalë dhe ka marrë disa çmime si aktore, si për shembull një Oscar, pastaj British Academy film award, Arushën e argjentë në Festivalin e Berlinit,  çmimin e interpretimit në Festivalin e Cannes, Kupën Volpi dhe një Cesar të Akademisë së Filmit francez. Kjo tregon që në çfarë rangu ka arritur kjo aktore fantastike, që unë personalisht e dua shumë, edhe pse e kam takuar vetëm 2 herë në jetën time. Por çuditërisht, nuk e di pse, më ka pas mbajtur në mend dhe më ka befasuar sinqerisht, kur një ditë pas disa vitësh që nuk ishim pa askund, ma dërgoi një kartolinë të bukur, të prekshme dhe enigmatike, plot poezi prej nga Parisi… me dy fjalë: “Shikoj avionet duke fluturuar… përqafime, Julieta”.

Dhe ngela gojë hapur, i fashinuar dhe hezitova sesi me reaguar? A ta marr trenin e parë për Paris dhe t’i bie ziles tek banesa e saj, kinse për të kërkuar “azil politik»? Do ishte çuditur me siguri, por a do kishte funksionuar? Nuk jam i sigurtë… Në atë kartolinë, të cilën e kisha kolisur mbi shtratin tim, gati i ikonë, e ndjesha prezencën e saj dikund, afër meje. Ishte me ngjyrë bardhë e zi, si diçka e vjetër, por me plot poezi dhe histori përbrenda… u pante një çift ulur së bashku dorë për dorë, por me shpinë, mbi një lloj muri me gur, para një peizhazhi komplet të hapur, buzë një deti në horizont dhe me një avion që kalonte shumë lart mbi qiell, por nuk u dukte në detaje. E tani, imagjinata e jote vinte në pyetje për ta interpretuar siç të duash ti: pra, çfarë sensi, do t’i japësh ti vetë, asaj skene të fotografuar bardh e zi, si të ishim në fillimin e shekullit apo të fotografisë, në kohën e Brassait dhe të pionierëve të këtij arti të bukur. Dhe pse ma çoi pikërisht mua, Juliette Binoche këtë kartolinë?

Akoma sot në vitin 2023, nuk e di saktësisht, por i kam hartuar disa hipoteza intime. I kam dashur gjithmonë femrat me një mister, me diçka enigmatike, me një thellësi poetike dhe metafizike brenda tyre, me anën e të cilës, mund t’i kapin pa problem shenjat, valët, energjitë dhe mesazhet sekrete apo intime që qarkullojnë, pa pasur shumë nevojë për të folur mbarë dhe mprapshtë, lidhje dhe palidhje. Ose, krejt e kundërta, ngaqë jam vetë paradoksal që nga lindja: më kanë pas tërhequr edhe ato femrat provokuese, pak surrealiste apo dadaiste, komplet të dekompleksuara dhe të cilat me befasonin me guximet e tyre në të gjitha fushat… mirëpo, e keqja ishte, që ato u deshifronin për 5 minuta, porse e kompensonin me anën e tyre super seksi dhe provokuese. Më thoni: kush mund t’i rezitojnë Marylin Monroe-së, Brigitte Bardo-së, Ava Gardner-it, apo Sofia Loren-it? E pra, nuk janë filozofe, as intelektuale, as poete, as mistike? Porse, e kanë një energji tepër unike të tyrën, diçka speciale që të flet!

Me Juliette Binoche, më ka ndodhur diçka enigmatike, të cilën, ec e merr vesh pse, nuk e kemi konkretizuar ( ju kujtohet ajo darka e dështuar) çka më shtyri për ta refuzuar,  e pse ma propozoi, pasi që na shau, mua dhe Leos-in?… diçka ka ngelur e shënuar dikund në hapësirën qiellore… pikërisht, si ato avionët fluturues.

Julieta është një ndër aktorët më inteligjente dhe e kompletuar, ngaqë kur ia sheh rrugëtimin kinematografik, e kupton që ka favorizuar filmat hulumtues të autorëve, të cilët kanë pasur kërkesa të mëdha artistike dhe aventurat me regjisorët e jashtëm të cilët iu janë dukur asaj mjaft interesantë. Do me thënë, që nuk pranon çfarëdo roli apo projekti, vetëm për lekë. Për shembull, ka luajtur në 2 filma me Leos Cara-in dhe 2 ose 3 me Jean-Luc Godard-in, pastaj me Anthony Mingella, 3 filma me ato 3 ngjyrat e Kieslowskit, regjisorit të famshëm polak, me Jacques Doillon, Chantal Akerman, Amos Gitai, regjisorin izraelit, me Hou Hsiao Hsien, me John Borman, Cédric Klapish, Abbas Kiarostami, regjisorin iranian, Michael Hanneke, Lasse Hallstrôm, David Cronenberg dhe në vitin 2016, çka pak kush prej nesh mund ta dijë, ka luajtur në një film të koreografit tonë në Paris, zoti Angjelin Preljocaj, bashkë me Valérie Muller “Polina, danser sa vie” të cilin akoma nuk e kam pa, por e kam pa informacionin në televizionet franceze. Pra, këto ishin kujtimet e mia me bandën apo me familjen e Leos Cara-it … por tani, të gjithë e kanë vazdhuar rrugën e tyre. Por ka qenë privilegj i madh për mua, me qenë mik i tyre, e sidomos aq i afërt me Denis Lavant. Nuk do më shlyhen kurrë nga kujtesa ime natyrisht, asnjëri prej tyre…

Tani, për t’i nderuar, mund ta fusim një këngë mitike të grupit Rolling Stones -“Satisfaction“ let’s go to the dancefloor! Jepi gaz, Elmaz…

Bruksel, me 10 mars 2023.                                

Please follow and like us: