Albspirit

Media/News/Publishing

“SPAK BROS” – Tregim nga Avdulla Kënaçi

Ishte një ditë shumë vështirë dhe e gjatë për shqiptaro-amerikanin, Alfred Ahmeti. Ai më në fund e kishte marrë tapinë e truallit buzë detit. Vërtetë që nuk arriti të blejë pesëqind metra katrorë vend, aq sa kishte bërë ndërmend kur u nis nga Florida, por përsëri edhe me 300 metra mund të ndërtohej një shtëpi, ndoshta një vilë e vogël. Kishte harxhuar plot dyzeteshtatë ditë duke u marrë me atë aferë. Kishte bredhur nga një zyrë në tjetrën, nga një kadastër në një hipotekë, sorollatje pa kufi. Më në fund kishte siguruar atë dokument të bekuar, me dy vula përsipër, hipotekën me emrin e tij.

Kishte harxhuar goxha para, aq sa nuk e merrni me mend. Ishte i detyruar. Ishin kursime të grumbulluara në më shumë se dhjetë vjet, sidomos nga të ardhurat prej kompanisë së picave “Spak Bros”. E shoqja, Miradia dhe disa miq, para se të merrte rrugën për në vendlindje, e kishin këshilluar të mos jepte asnjë kacidhe nën dorë, edhe sikur të kthehej duarbosh, mirëpo Alfredi është një tip i tillë që kur vendos të bëjë diçka, s’ka burrë nëne që e kthen mbrapsh. Atë lloj pune do ta mbarojë me çdo çmim.

Disa herë ishte bërë gati të merrte avionin e nga sytë këmbët; të mos kthehej më kurrë këtu, por ishte diçka tjetër në mes që e mbante të mbërthyer fort; përpara kishte 20-vjetorin e të birit, student i shkëlqyer me mësime. Kishte vendosur t’i bënte një dhuratë të jashtëzakonshme, një vilë buzë detit, ekzakt tek “Gjiri i Rosave”. Një mbasdite, akoma pa emigruar, për herë të parë, në atë gji deti, i kishte propozuar Miradies për martesë. Ishin të dy mësues, ajo sa kishte mbaruar Institutin e Elbasanit dhe Fredi Fakultetin e Shkencave të Natyrës, më saktë degën e Fizikës. Ai peisazh i mahnitshëm i asaj mbasditeje nuk i shkulej nga kujtesa. Ishte një perëndim i paharruar kur lëmshi i zjarrtë i diellit rrokullisej tej në horizont, mbi syprinën e kaltër të detit. Bukuria e bregdetit dhe puhiza që vinte nga larg i kishte dehur që të dy. I kujtohej si tani.

Ideja për t’u kthyer përsëri këtu, i lindi kur lexoi njoftimin në disa portale shqiptare se po shitej truall në “Gjirin e Rosave”. Me sa mbante mend, denbabaden ai vend nuk kishte pasur zot, por qënkej ndryshe, kishin dalë plot tridhjetë e një pronarë. Histori të fshehura që nuk diheshin. Çudi, ai e dinte hapësirë publike. Si ishte e mundur që për gjysëm shekulli nuk ishin ndjerë të zotët, por gjatë demokracisë një nga një nxorrën kokë? Ai mendonte se i gjithë ai bregdet, mbushur me shkurre dhe kum të hedhur midis, nuk i përkiste askujt nga që nuk vlente as për kullotë e as si tokë bujqësore, por ja që kishte pasur zot. Dhe shitej me 500 dollarë metri katror. Sikur të mos e kishin rënduar ryshfetet, mund të blinte dyfish, por Shqipëri hesapi, nuk bëhej ndryshe. Pikërisht kur ishte i dëshpëruar në kulm, i hidhëruar e pa shpresë, një ish shok fakulteti, Ajazi, iu afrua dhe i tha:

– Po pse vjen vërdallë si kali në lëmë, o Fredi vëllai, shko në burim, merru vetëm me kryetarin e Bashkisë, e ka ca dorën e rëndë, por të mbaron punë.

– Kam dëgjuar, djalë i ri, kam kërkuar takim dy-tre herë, por nuk më ka pritur, – iu përgjigj Fredi.

– E di i biri i kujt është ai? I rojes së shkollës së mesme, është i biri i xha Fadilit. E mban mend? Tako një herë atë, të atin, – e këshilloi duke i hedhur miqësisht dorën mbi shpatull. U kujtua, ishte roja që kishte përcjellë disa breza nxënësish me të cilin kishte një histori jo fort të këndshme, por le ta provonte njëherë.

Ashtu bëri. I thanë se ish-rojën e gjimnazit e gjen çdo mëngjes në kafen e madhe, përpara Bashkisë. I zuri pritë herët, por e kishte harruar si fytyrë, gati nuk e njohu. Xha Fadili ishte i plakur e i rëgjuar, por memorien e kishte top.

– A pizeveng, më erdhe në dorë, – i tha gjysëm me shaka, – të kujtohet si ma dogje gazetën me shkrepse kur e lexoja ulur në stol tek dera e shkollës? Desh të futën në politikë atëherë dhe do ma kishe marrë të keqen, por unë këmbëngula tek sekretari i partisë se deshe të më ndizje cigaren e të shpëtoi dora. Nuk u ankova unë, por të spiunuan, mor djalë. A çamarrok, çamarrok i dreqit, po ç’kemi andej nga juve?

– Nuk ta harroj, por kam ardhur për hall. Lëre që kam harxhuar një thes me para, por nuk kam mbaruar as punë. Të më zësh nga hunda, shafran kulloj.

– E po kapitalizëm, këtë kërkuat, këtë morët. Njeriu për njeriun është ujk, apo lere se këtë e ka thënë ai qoftëlargu, – pastaj ndërroi ton, e bëri zërin më miqësor, – hë mo, hë se keni para ju të Amerikës, ç’të bëjmë neve këtu, pa ju…., – dhe ngriti telefonin celular, i ra një numri, e vuri në vesh, priti pak, diçka dëgjoi matanë receptorit, por pasi e mbylli dhe e futi në xhep, tha:

– Është i zënë, do më marrë vetë, sillu njëherë vërdallë, shiko çfarë ka bërë në tre vjet djali im. Ky qytet ishte i pari që ngriti dy gishtat lart, por për njëzetë vjet mbeti me gisht në gojë. Vetëm gishtat i mbetën… Të gjitha çfarë sheh janë bërë në vitet e fundit; kanalizimet, trotuarët, pemët, të gjitha u ngritën që kur Bashkinë e mori në dorë djali im.

Pavarësisht se Fred amerikani, siç i thoshin, për një muaj e kishte shëtitur pëllëmbë për pëllëmbë qytezën, nuk e kundërshtoi xha Fadilin, tundi kokën në shenjë pohimi, u ngrit, bëri drejt unazës së qytetit, por ndërroi mendje; shkoi dhe u ul në një kafe tjetër.  Aty priti rreth një orë, gjersa dikush nga Bashkia i telefonoi dhe i tha se e priste në takim kryetari. U habit si ia gjetën numrin e telefonit. Ai nuk mbante mend t’ia kishte dhënë ndonjë punonjësi bashkie. U nis vetëtimthi. Tek dera e jashtme e godinës e priste një vajzë e re, topolake, flokëkuqe, veshur me minifund i cili ia bënte të vështirë ngjitjen nëpër shkallë.

“Zotëri, kini parasysh të mos ndizni cigare, në asnjë mjedis të Bashkisë nuk lejohet duhani”, e porositi ajo shoqëruesin me një zë lutës. Hyri e para, pa trokitur tek zyra kryesore dhe tha me një frymë: “Zoti Kryetar, e solla amerikanin”. Ai ia bëri me shenjë t’i linte vetëm, pastaj u ngrit nga tavolina, bëri dy hapa përpara, shpërveshi buzët duke nxjerrë një palë dhëmbë të rregullt dhe tha: “Më mori babai në telefon, kam kanceluar një sërë takimesh për t’ju pritur, na vjen së largu, urdhëro, rehatohu”. Dhe i tregoi me dorë një palë kolltuqe të zinj prej lëkure. U ulën përballë njeri-tjetrit. Kryetari i Bashkisë ishte ndër më të rinjtë e vendit, sa kishte kaluar të tridhjetat.  Kishte punuar fort në Itali, për një dekadë, biznesi i kishte ecur dhe në zgjedhjet e fundit bashkiake konkuroi duke sakrifikuar një pjesë të pasurisë. Fitoi me një diferencë të vogël votash. Disa thoshin se i kishte blerë zgjedhjet me para të pista. Fjalë, më sa ndalen dallgët e detit, ndalen edhe thashethemet në këto qytetet e vogla, por le të kthehemi tek qëllimi i vizitës.

– Zoti Kryetar, jam mërzitur sa nuk bëhet, kam një muaj që më sorollatin zyrtarët e arkivave, hipotekës, seksionit të bujqësisë e me radhë. Është fjala për atë tokën afër detit, por nuk po e marr vesh: është në shitje, s’është në shitje… Nuk e kam hallin tek çmimi, por tek dokumentat, dua të jenë të rregullta. Unë dua t’i bëj veprimet sipas ligjit, sikundër në Amerikë.

– Të kuptova, por kam dy pyetje, – tha kryetari – për ku bëhet fjalë dhe për çfarë qëllimi e kërkon, për banim apo për biznes?

– Për banim, dua që fëmijët e mi të mos shkëputen nga Shqipëria. Siç dihet, këtu kemi klimë të lakmuar, det të mrekullueshëm, Mesdhe hesapi. Le të këtë edhe im bir një copë truall, një kujtim nga i ati. Një shtëpizë buzë detit që do ta mbajë të lidhur me vendlindjen e prindërve të tij. Nuk është se e kërkoj falas, por nuk dua ta lë litarin zvarrë, dua veprime ligjore me bankë dhe me noter.

– Punë e mbaruar, – i tha prerë Kryetari – nesër jam në mbledhje në kryeqytet, pasnesër do të merremi me hallin tënd. Rri pa merak.

– Më çlirove, o zoti kryetar, si nuk të takova dot që në fillim, – i tha i mallëngjyer thellë në shpirt. Vetë kryetari, kur e pa ashtu të prekur, e përcolli deri në fund të korridorit me dorën në sup, një përjashtim që nuk e kishte bërë për asnjë tjetër. Kaq ishte biseda. Doli në rrugë, mori frymë thellë dhe iu kujtua shoku i fakultetit. I duhej dhënë një drekë. “Nuk ka mësime falas”, mendoi. Gjeti një taksist, e pyeti se ku mund ta kërkonte profesorin e fizikës, Ajazin. “Rri këtu, për pesë minuta ta sjell”, i premtoi ai. Dhe ashtu ndodhi. Dy shokët e vjetër, pasi u përshëndetën, taksisti u tha: “Ma lini mua në dorë lokalin”, dhe i çoi në një restorant peshku buzë detit. Ishin bashkëmoshatarë, por profesori dukej si nja dhjetë vjet më i madh; me ata flokët e rënë, eshtrat e faqeve që i theksoheshin aq shumë dhe kurrizin e përkulur si shkronja e madhe S. Xhaketa i rrinte e gjatë tek mëngët. Mall i falur, mendoi Fredi dhe i tha me zë të ulët:

– Kryetari m’u duk djalë i mirë, i shkathët, pa burokracira, veshur shik, krejt i lirshëm. Duhen djem të rinj nëpër zyrat e shtetit.

– Po atë orën “Rolex” ia vure re, sahatin, pra, fusha e të cilit merr ngjyrë sipas kostumeve, daytone – iu kthye profesori duke shkelur syrin me djallëzi. Dukej ashiqare që nuk e kishte qejf kryetarin.

– Jo, por vetëm i pashë në pëllëmbën e djathtë një si gjurmë, shenjë nga një e prerë thike. U habita.

– Po, ai ka braktisur gjimnazin në vit të tretë dhe nuk ka qenë djalë i keq me mësime. Iku në Itali, por rob i zgjuar, punëtor dhe kurajoz. U kthye i kamur, shumë i pasur, më rruat profesorllëku mua.

Kaq ishte biseda rreth kryetarit, pastaj të dy miqtë e vjetër iu rikthyen kujtimeve nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës.

***

Të pasnesërmen, aty afër drekës, po i njëjti zë nga Bashkia: “Zotëri Alfred? Tek restorant “Aragosta” ju pret kryetari…”. E gjeti menjëherë lokalin, ishte nga më luksozët e qytetit. Binte në sy që atje tej me vetratat prej xhami dhe dritat shumëngjyrëshe, vezulluese në mbrëmje. I thanë se duhej të ngjitej në katin e tretë, aty ku u shërbehej vetëm VIP-ave apo zyrtarëve të lartë që vinin nga kryeqyteti. Kryetari ishte ulur me një bashkëmoshatarin e vet, një rrondokop kokërruar, veshur sportiv. Fredi hezitoi të ulej, por kryetari nuk vonoi ta prezantojë me mikun e vet: “Njihuni, ky është shoku im më i ngushtë, në të mirë e në të keq. Së bashku kemi qenë në Itali, këtu e kam krahun tim të djathtë, organizon fushatat elektorale. Quhet Idriz, mbaje mend, si Idriz Seferi…”, dhe Kryetari qeshi me të madhe duke tundur supet. Pastaj ra qetësi në të gjithë sallën, dëgjoheshin vetëm përplasjet e filxhanëve që kamarierja shplante në lavaman. Heshtjen e prishi po zëri i kryetarit i cili duke theksuar e rrokëzuar çdo fjalë, tha:

– Idriz, e ke hartën e “Gjirit të Rosave”? Na trego çfarë parcela kanë mbetur pa shitur.

Idrizi u ngrit pupthi, u zhduk pas një kthine dhe pas pak u kthye me një dosje të kuqe në duar. Prej andej shpalosi hartën e gjirit të detit dhe nisi të shpjegojë:

– Ky trualli këtu, më afër detit, është 550 metra katrorë dhe shitet me 1200 euro metri, ky më lart, 400 metra katrorë, me 1000 euro metri katror, ky tjetri…, – Sa më shumë largohej nga deti aq më shumë ulej çmimi, pastaj e mori fjalën kryetari:

– Zgjidh miku im, ti e njeh terrenin dhe vër gishtin, vetëm duhet të dish se parcelat shiten në bllok, sipas përkatësisë që kanë pronarët.

– Realisht janë çmime të kripura, por unë do të preferoja me 500 euro metri katror, – u përgjigj Fredi disi i lëkundur.

– Idriz, ka me këtë çmim?

– Ka, por është pas kodrës, është vetëm një, janë treqind metra.

– Duket deti? – pyeti Fredi.

– Po, duket po qe se vilën apo shtëpinë e bën dy apo tre kate, – shpjegoi Idrizi.

– Në rregull, unë mund ta marr, – tha Fredi.

– Pagesa duhet bërë menjëherë, sa të marrësh tapinë në dorë.

– Sa mund të zgjatë si kohë?

– Maksimumi një javë, – tha Kryetari – me këtë punë merret Idrizi. As mos e vra mendjen fare, o amerikan, ke rënë në dorë ustai, – dhe qeshi me të madhe.

Me rrondokopin që quhej Idriz këmbyen numrat e telefonave dhe të dy palët u ndanë të kënaqur. Që nga ai moment, shprehja e fytyrës së Fredit u çel, dukej se në fund të tunelit kishte dritë. Sa mbeti vetëm, në telefon i dha sihariqin të shoqes, Miradies. Por ajo nuk e besoi. Dhe kishte të drejtë. Nuk qënkej aq punë e lehtë për t’u mbaruar tak-fak. Pronari i asaj parcele për të cilën u ra dakort, me të mësuar se atë vend kërkonte ta blente “një amerikan”, ngriti çmimin, e bëri me 600 euro metrin katror. Fredi u vu në siklet. Duhej pyetur Ajazi, si mund të dilej nga kjo situatë?

– Kam frikë se do të më nxjerrin fishek, Ajaz vëllai, – i tha me një zë të zvargur, – ata më siguruan se do ta mbaronin shumë shpejt këtë punë.

– Çfarë bisede keni bërë tek “Aragosta”, u ke treguar se ç’punë bën?

– Po, u kam thënë se punoj në një laborator bërthamor, më ndihmoi fizika, por m’u desh të bëj një kurs njëvjeçar dhe në fundjavë i vij në ndihmë time shoqeje, Miradies, ti e di që ajo ka një piceri? Unë merrem me furnizimin e saj të shtunën e të dielën. Nuk t’i fal njeri dollarët në Amerikë po nuk djersite. Të vërtetën u kam thënë.

– Ky laboratori është ushtarak apo civil?

– Është civil, por ka rregulla të forta, jo çdokush mund të punojë aty.

– Unë mendoj se ky Idrizi “do kuar”, duhet t’i japësh diçka, – tha Ajazi duke hedhur nga njera anë në tjetrën ato pak flokë që i kishin mbetur mbi sheshin e tullës. Nuk ishte fort i sigurt në parashikime.

– Po sa?

– Dhjetë përqind të shumës që do të blesh truallin, kaq, me të dëgjuar e kam.

– I bie 20 mijë dollarë…

– Po, ndryshe nuk ke për ta marrë kurrë. Të rinj janë këta zyrtarët e sotëm, por ustallarë të regjur në këto punë, kanë mbaruar shkollën e shejtanit.

Këto fjalët e fundit të shokut të tij të besuar e trishtuan pa masë. Ta anullonte blerjen? Punë që nuk bëhej. Kishte harxhuar shumë kohë, energji dhe para. Duhej takuar patjetër Idrizi. E gjeti si gjithmonë në lokalin e tij “Aragosta”. Fillimisht, me lezet, ia solli rrotull bisedën, pastaj i propozoi:

– Unë e di që këto punë këtu nuk bëhen aq lehtë, por pata besim tek ti qëkurse më prezantoi dhe më garantoi kryetari. Veç blerjes kam në dispozicion edhe 15 mijë dollarë, a mjaftojnë për ta mbyllur këtë mesele?

– Dëgjo, or mik, këtë nder unë e bëj për hatër të kryetarit, nuk dua lekë për vete, sidoqoftë, ta provojmë.

Pas një jave gjithçka ishte gati, me kontratë shitblerje dhe hipotekë. Nuk thonë kot që paraja e kthen lumin përpjetë. Këto të gjitha mendonte i vetëm Fredi, i ulur në një stol të Gate 5 në aeroportin e Rinasit, pas 47 ditësh, i gatshëm të ngjitej në fluturim. E kishte marrë malli për familjen, sidomos për dy fëmijët. Tapinë e truallit e kishte siguruar në çantën e dorës. Për atë copë letër kishte hequr të zitë e ullirit. Por nuk ishte e thënë të mbaronte me kaq.

***

Ra zilja e telefonit. Njohu numrin e celularit të kryetarit. Nuk i kishte telefonuar kurrë ai vetë. Si duket do t’i uronte udhëtim të mbarë, por jo: “Kancelo urgjentisht fluturimin dhe kthehu këtu, është bërë një gabim në dokumente. Shyqyr që të kapa në kohën e duhur…”, i foli prerë, alarmues dhe nuk priti përgjigje. Kjo ishte si një rrufe në qiell të kthjellët. Të anullonte udhëtimin? E po si nuk kanë të sosur kurrë telashet në këtë vendin tonë të bekuar? Nuk kishte çfarë të bënte, tërhoqi valixhen dhe doli përgjatë parkingut të aeroportit. Kontrolloi portofolin për të ditur sa dollarë i kishin mbetur. As njëqind. Ndoshta me atë shumë do të pranonte ndonjë taksist ta kthente tek kryetari. Duhet të shkonte drejt e në zyrën e e tij. Gjatë gjithë rrugës ndjehej si në kllapi, kushedi sa i kishte shkuar tensioni. Pas një ore, ja ku u gjend përpara Bashkisë. U kujtua që nuk kishte lajmëruar në shtëpi për anullimin e fluturimit. Duke ngjitur shkallët, i dridheshin gjunjët, gati po i binte të fikët. Edhe pse orari zyrtar kishte mbaruar, kryetari po e priste. E qeshura i ishte larguar nga fytyra. Dukej i zymtë, serioz dhe shumë i shqetësuar.

– Problem i vogël, qetësohu, zoti Fredi, ti ke blerë nga një pronar fals 300 metra katror truall. Trualli është hapësirë publike, pa pronar, është i yni, i Bashkisë. E kapëm me vonesë, është gabim i Idrizit. Shitet me 15 euro metri katror, vendim qeverie. Ja ku i ke paratë e tua. Bëra çmos të t’i kthej mbrapsht. Idrizin e vura përpara përgjegjësisë. Jemi shtet ligjor, nuk lejojmë allishverishe, as vëllain tim nuk fal. Ne duam ta bëjmë Shqipërinë si Amerika. Tani merru me juristin e Bashkisë të bësh dokumentat e reja. Do ta firmos vetë. Më mirë kështu. Je miku im. Edhe ti do ta bëje për mua kaq gjë, apo jo?

Fredi nuk dinte si të sillej, të gëzonte apo të hidhërohej. Shqiptaro-amerikani ishte në siklet të madh, si kurrë ndonjëherë. Kishte nevojë për ajër të pastër. Doli përjashta, në oborr të Bashkisë dhe ktheu fytyrën në drejtim të horizontit, në perëndim, andej nga binte deti. Prej së largu po vinte një erë e freskët, e mbytur në jod.

***

Fredi kishte pronotuar një dhomë hoteli ndër më të shtrenjtat. Kishte kaluar mesnata, por sytë nuk i mbylleshin, gjumi i ishte arratisur s’di se ku. Gjysma e së keqes, të paktën një pjesë e mirë e parave i ishte kthyer në dorë. Nuk po e kuptonte se çfarë loje po kurdisej. Shqipëria, vend i habirave. Dora vetë kryetari i Bashkisë të të kthejë paratë? Çudi. Ashtu, turbull e mundi gjumi aty afër mëngjesit. Sa u zgjua, i pari mendim që i erdhi në kokë ishte të pyeste Ajazin, mikun e tij të vjetër. Profesori i fizikës, kur mori vesh se i ishin kthyer paratë, vuri duart mbi gjunjë dhe e qeshura e tij u ngrit në kupë të qiellit, pastaj si në një orë mësimi, tha:

– Gjithë qyteti e di se të tridhjetë e një pronarët, farefis me njeri tjetrin, kanë marrë tapi falso. Ata kanë tre vjet që shesin e blejnë toka për llogari të kryetarit të Bashkisë. Pseudopronarëve u mbetet edhe diçka për vete nga kjo aferë. Po çfarë ka ndodhur me ty, Fred, nuk e them me siguri. Mos vallë ta kanë vënë re atë dokumentin me foto “Spak Bros” që mban në portofol? Duhet të dish se pritet të mbërrijë një agjent nga FBI i cili do të ndihmojë SPAK-un shqiptar për të kapur peshqit e mëdhenj. E di ç’është SPAK? Është Strukturë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, SPAK. Njësi e pavarur e cila do të hetojë pesëmbëdhjetë kategori zyrtarësh, natyrisht edhe bashkitë.

Aha, po Spaku im nuk ka fare lidhje me këtë njësi, është logo, si punë dinstiktivi, është baxha ime personale “Spak Brothers”, brothers (vëllezër), shkurt Bros, kompani picash në Florida…

Profesori drejtoi trupin, ndjeu se hoqi nga kurrizi një peshë të rëndë. I ndritën sytë dhe u çel në fytyrë. Ia dha përsëri të qeshurës me të madhe, pastaj sikur i falej zotit, tha: “Bekuar qofsh, Amerikë, minjtë nga frika po braktisin hambarët, na kthe buzëqeshjen…”

© Avdulla Kënaçi

*Ky tregim është botuar për herë të pare në gazetën “Dielli” – SHBA, në shkurt të vitit 2018.

https://flasshqip.ca/komunitet/krijimtari/8385-spak-bros-tregim-nga-avdulla-kenaci?fbclid=IwAR0W9bqFJ8S_Rvppr_WjXlamt9NmNIh_sfMKPrsEwrkLf6mMuauWDrvwSSA

Please follow and like us: