Albspirit

Media/News/Publishing

Prishje dhe ndërtim nga e para e pallateve të vjetra dhe të amortizuara?

 

Edmond Vlashaj

Prishje dhe ndërtim nga e para e pallateve të vjetra dhe të amortizuara?

Po!

Përse po?

  1. Sepse është garanci e ndërtimit me standartet më të mira mbrojtëse edhe ndaj tërmeteve.
  2. Sepse ndërtimet e reja garantojne një ambjent më të mirë dhe të shëndetshëm për jetesë, duke përjashtuar lagështirën që sot sëmur banorët pa përjashtim, por në veçanti fëmijët, gratë shtatzëna dhe pleqtë.
  3. Sepse ndërtimet e reja garantojnë standartet e kursimi të energjisë, duke përfshirë këtu edhe standartet e ngrohjes në dimër dhe freskimit në verë.
  4. Sepse ndërtimet e reja garantojnë lëvizjen nga kati në kat edhe me ashensore, çka është një domosdoshmëri për njerëzit në moshën mbi 50 vjeç, si dhe për gratë shtatzëna. Ndërtimet e vjetra dhe të amortizuara nuk kanë ashensore, kanë veç ca shkallë të ngushta, krejt jashtë standarteve.
  5. Sepse ndërtimet e reja ndikojnë në përmirësimin dhe standartizimin e ambjenteve të përbashkëta ndërprivate apo publike të brendshme dhe të jashtme, siç janë sistemet e ujrave të bardha apo të zeza, parkingjet, lulishtet, etj.
  6. Sepse ndërtimet e reja garantojnë një hapësirë shpëtimi të mundshëm në rast lufte të mundshme, në hapësirat e nëndheshme të parkingjeve apo kantinave.
  7. Sepse ndërtimet e reja, rrisin vlerën e pronës aktuale.

Cili do të ishte mekanizmi për marrëveshje të kënaqshme me banorët e apartamenteve në pallatet e vjetra?

Një ligj i drejtë ku parashikohet pagesa e qerasë në një banesë të përkohshme ndërkohë që ndërtohet pallatit i ri.

Dorëzimi me çelësa në dorë i banesës me planimetrinë aktuale të poseduar dhe të dokumentuar me certifikatë pronësie.

Dhënia e mundësisë së parablerjes së një posti parkimi nëntokësor, përmes kreditimit dhe lehtësimin të këtij kreditimi përmes fondit të garancisë shtetërore.

Realizimi me PPP (Partneritet Publik Privat) do të ishte krejt i favorshëm, i dobishëm dhe i pa asnjë të metë apo të sharë.

Vetëm garantimi i ndërtimit të shpejtë të ambjenteve të nëndheshme që në kohë paqe funksionojnë si parkingje, ndërsa në kohë lufte do të ishin strehë të domosdoshme për mbijetesë, është më se justifikues për ndërtimin e tyre të shpejtë me çdo mënyre financimi, qoftë edhe me PPP.

Për të qenë rentabël dhe fitimprurës këto projekte ndërtimore kanë nevojë për tu pajisur me leje ndërtimore me më shumë kate, nga sa kanë aktualisht. Mirëpo kjo është më se e pranueshme kur përllogariten benefitet publike.

Natyrisht krahas kësaj inisiative duhet të vazhdojë paralelisht, pastrimi i hapësirave publike, apo edhe hapësirave private kryesisht shtëpitë njëkatëshe apo dykatëshe mes pallateve, te cilat më pas do të shërbenin si lulishte, etj.  I gjithë ky pastrim i hapësirave private me qëllimi përdorimi publik duhet të bëhet përmes kompensimit të drejtë dhe të ligjshëm.

Të gjjtha parkingjet e sotme mbi tokë duhet të kalojnë në mënyrë urgjente si parkingje nëntokësore, ndoshta mënyra më shpejtë e financimit duhet të jetë me PPP.

Çdo ambjent i parkingjeve mbi tokë, duhet të shndërrohet në lulishte publike.

Këto inisiativa mund të ishin disa zgjidhje të mundshme në Tiranë dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë për të lehtësuar dhe për të garantuar një jetesë të shëndetshme në banesat e ndërtuar rishtazi, për të lehtësuar trafikun, për të lehtësuar çështjen e parkingjeve, si dhe për të garantuar mbijetesën në kohë lufte, çka nuk është më një përrallë, porse një kërcënim real tashmë pas agresionit rus në Ukrainë.

Please follow and like us: