Albspirit

Media/News/Publishing

Fitnete Gruda: Fytyra diktatoriale e “partisë – pushtet” gjendet kudo!


Të kërkosh të drejtën në Shqipëri është sikur të kërkosh një pikë drite në errësirë. Ndodh që teksa “Ti” ecën për zgjidhjen e një padrejtësie, hasesh me padrejtësi të tjera, të njëjtat pengesa, me të njejtat mënyra trajtimi, grupe me të njëjtat teknika provokimesh/poshtërimesh, me mospërgjigje apo përgjigje pa përgjigje… dhe të duket vetja sikur je po në atë institucion/mjedis nga ku nisi padrejtësia – ndërsa ti ndodhesh diku tjetër. Në fakt, ndodhesh në mjedise të ndryshme, por me diçka të përbashkët, “kudo gjen fytyrën e partisë – pushtet”- fytyrë aq diktatoriale sa i bën të duken të njëjtë të gjitha institucionet pubike dhe jo vetëm. Madje, këtë fytyrë e “sheh” edhe aty ku duhet të rrijnë aq larg e jo më jo të ndërhyjnë, pikërisht tek instiucionet e drejtësisë. Është pikërisht kjo parti – pushtet që ka bërë që institucionet publike, në  këtë vend, të kthehen në formale.

Partia – pushtet merr çdo vendim dhe institucionet publike vetëm sa i vejnë në zbatim, formalisht. Nga ana tjetër kjo klimë që kanë krijuar, i detyron pushtetarët t’i tremben reagimit qytetar publik, ndaj kujdesen, deri në detaj, që ky realitet të mos kuptohet e pakta deri në përmasat që ka marrë. Por ndodh që e vërteta shpesh qëndron tek e padukshmja. Ndaj vlen kritika, që të zgjojë publikun. Një kritikë e bazuar nuk është thjeshtë një mllef ndaj pushtetit e pushtetarëve të mbrapshtë, në të gjitha nivelet, siç ata mundohen t’ia servirin pjesës tjetër. Këndvështrimi real i kritikës është të ftosh të tjerët, të shohin realitetin nga një këndvështrim i kthjellët – duke kujtuar se dinjiteti i njeriut është shumëi çmuar. Përpos, të kontribuosh që ky realitet të mos mbulohet nga pluhuri i harresës, apo mbulesa e errët që vejnë pushtetarët me anë baltosjes apo kërcënimit ndaj nesh. Mirpo, pikërisht këtë nuk duron dot ky pushtet – “zbulimin e realitetit”. Kësaj i “dridhen” për jetëgjatësinë e tyre në pushtet – jo drejtësisë! Pasi drejtësinë e kanë në dorë; reformën e votuan vetë, më së shumti me votat e partisë – pushtet dhe e bëjnë njerëzit e tyre. Kam parë drejtues shkolla, arsimi, punonjës në institucione të niveleve të ndryshme në arsim që i“dridhen” kritikës (jo, kritikut). Në fakt “dridhen” jo thjeshtë sepo u ikën posti apo përfitimi, por llogarridhënies “padronit” të tyre që i futi në zinxhirin e errët fitimprurës…

Dhe kur kuptojnë se kjo kritikë po zgjon zëra që kujtojnë apo fillojnë të kuptojnë realitetin, ata forcojnë grupin banditesk të sulmojnë kritikun deri në shkatërrim. Sipas meje, kemi arritur në situatën ku një pjesë  njërëzish që të fitojnë diçka ose një privilegj po humbasin ndërgjegje dhe nder dhe për këtë po kontribuon fort partia – shtet me teknikat e saj sepse kjo kategori i intereson këtij pushteti, ta mbajnë afër. Shpesh kur sheh apo përjeton situata aspak njërëzore mendon nëse këtë vend e drejton vërtetë shteti apo krimi!? Sepse krimi – shumëdimensional është sheshit, kudo ku shkelim, jetojmë, kemi punuar/punojmë, mjafton të kesh sy t’i shohësh dhe mendje t’i kuptosh. “Përndjekja dhe kallëzimi” për të nënshtruar ata qëpiketon shteti po kthehet në psikozë dhe modë. Me një fjalë të dhimbshme, është instaluar një rrjetë e rrezikshme ku askush dhe asgjë nuk i shpëton dot dhe të dëmtuarit sigurisht janë njerëzit që nuk janë në rregull me partinë – pushtet. Kjo situatë po konsiderohet një fitore e madhe e pushtetit, e cila përkthehet me fabulën e tyre ”kemi arritje, ndaj njërëzit na mbështesin”. Paçka se përkthimi real i kësaj është “instalimi i frikës në palcë”. Frika lexohet lehtë deri në polici e drejtësi, pasi edhe ata, si ne, njerëz janë; edhe ata, si ne, kanë familje.

Indiferenca  e tyre – edhe pse nuk duhet të ndodh në këto institucione, shpesh mirëkuptohet nga ne, por nuk  mirëkuptohet aspak nëse këta punonjës përndjekin, intimidojnë qytetarin kudo – deri dhe para një kafeje të zezë, sepse kështu e urdhëron partia apo shefi i tyre për interesat e lidhjet e errëta që ka. Aq më shumë kur qytetarët shohin nëpër vendet e punës, apo në komunitete se kush po favorizohet… Dhe ec e denonco diçka tek kjo kategori (!)… dhe shpreso se do t’mund të gjesh drejtësi po të qëlloi kjo kategori! Pale, të të qëllojë dhe ndonjë mbrojtës me sjellje si “shok i krimit” edhe pse ti e ke paguar. Nuk dua ta personalizoj aspak, por ky është mendimi im, për këtë shtet dhe dua të sjell argumenta; këto fjalë më dalin nga thellësia kur përpara proceseve gjyqësore apo pasi je treguar e palëkundur në kërkimin e së drejtës, ndjen presion deri në “mesazhe” kërcënuese tek dera, që unë të mos flas mbi hakmarrien ndaj meje (për shkak të kritikës) të një bande në arsimin e Tiranës – e mbështetur nga  Ministria e Arsimit e s’dihet në çfarë rrjeti tjetër vegjetojnë. E rrjedhimisht edhe mbi familjarët edhe pse ata banditë e dinë mirë që unë nuk hesht! Të gjithë e dinë se çfarë hakmarriesh bëjnë ndaj mësuesve kritikë dhe familjeve të tyre, ndaj dhe shumica e mësuesve durojnë çdo padrejtësi dhe heshtin. Kam hasur, në shkollën ku kam punuar, mësues kritikë që ma kërkonin t’i prisja të dilnim bashkë nga shkolla – nga “frika” e poshtërrimit nga një bandë e krijuar aty e në veçanti nga koka e saj si dhe shprehnin shqetësimin për familjarët e tyre. Pa i paragjykuar – madje duke u dhënë të drejtë e mbështetur fortë, pasi flitej për mbrojtje dinjiteti, por indinjata vjen ndaj tyre, kur për një gradim mohuan këtë të keqe të madhe.

A mund të punohet në të tilla mjedise me mision edukimi pa reaguar!? Aspak! Kisha kohë që nuk shkruaja, por indicien, për këtë sot, e mora pasi lexova diku, përgjigjen e një profesori filozofie që në një debat me temë – “si ta lufojmë korrupsionin”, ishte shprehur: “ Më jepni një ushtri me 100 mësues të ndershëm e të përgatitur dhe për pak kohë ta lufojë korrupsionin”. Ndjeva dhimbje (!)  teksa në vendin tonë – në arsimin shqiptar, kjo kategori mësuesish (të ndershëm e të përgatitur), po fundoset deri në shuarje. Për mësuesin, hapsirat e reagimit janë pothuajse zero dhe vendin e tyre e kanë zënë grupe interesi – patronazhistë të udhëhequr apo të mbi paguar nga partia – pushtet apo banditë të adaptuar si mësues apo drejtues që u tundin mësuesve xhepat plotë dhe nuk dihet nga u vjen ky fitim.

Në institucionet arsimore, në ZVA e deri në Ministri të Arsimit hapsirën e llogaridhënies e ka zën çekani mbi “llogarikërkuesit” e paktë që guxojnë. Trajnimet e mësuesve që bënte Instituti i Kurrikulave dhe Standardeve me specialistë të mirëfilltë tashmë janë në duar të disa OJQ-ve në shërbim të qeverisë – shitës çertifikatash që nuk dihet realisht kush i ka. Partia politike në pushtet merr çdo vendim deri cili mësues do largohet e kush do punësohet, duke kthyer shkollat një vend terrori ndaj mësuesve. Partia – pushtet futet deri tek prokurimet publike –  kush do t’i fitojë e menazhojë, kush pyet se çfarë thotë ligji. Vlera të arsimit etiketohen sahanlëpirësit, parelinjtë, sekserët, horrat, drejtues që kapen për flokësh në oborrin e shkollës në prani të gjithë nxënësve dhe komunitetit, që shesin dëftesa, që shesin drogë në institucion, që krijojnë salla të veçanta “argëtimi special”, keqpërdorin nxënës e prindër duke u kapur pas dobësisë së tyre, dhunojnë nxënësit hapur në korridor e oborrin e shkollës dhe për të humbur gjurmët sajojnë raste dhune ndaj atyre që flasin mbi realitetin, si në monizëm me dy deshmitarë të rremë. Dhe mjerë ata dëshmitarë/kallëzues çfarë heqin se mos vallë zbulojnëata që i përdorën.

Partia në pushtet së bashku me krimin që bashkëjeton shkollat i ka shndërruar në shërbim të interesit të tyre dhe jo të nxënësve. Një regjistër që fliste qartë mbi abuzuesit me nxënësit dhe detyrën, bëri ca vite “xhiro“ në Prokurorinë e Tiranës dhe u mbyll si flluckë sapuni. Të gjitha thuhen e stërthuhen po askush nuk do t’ia dijë. Sa e sa raste të ngritura edhe nga unë. Nëse do shteti –  institucionet e sigurisë çdo gjë e zbulon se çfarë ndodh në shkolla, komunitete e kudo…  Kush ka vesh le të dëgjojë! Qytetarët kaq kanë në dorë- të konstatojnë e të ngrejnë zërin në forma të ndryshme. Pasi dhe nëse ofrojnë teknika zgjidhje ato hidhen në kosh. Unë mendoj që, nëse institucionet përgjegjëse do vazhdojnë të mos dëgjojnë e keqveprojnë, nëse ne do vazhdojmë të heshtim, ky shtet do arrijë të kriminalizojë vendin tërësisht. Kësisoj të gjithë – në veçanti fëmijët tanë, ditë pas dite do të jemi të rrezikuar në shkollë, punë, komunitet e kudo. Heshtim, nënqeshim ndonjëherë dhe kur ndodhin ngjarje që janë lënduar të pafajshëm, të gjithë “prekemi fortë”, ndërsa të nesërmen heshtim sërish, pa ditur që një ditë mund të jemi ne –  ato të pafajshmit e lënduar të këtij sistemi që ka instaluar kjo parti – pushtet me bandat rreth saj. Por, mos harrojnë këta politikanë dhe pushtetarë të pafytyrë e gjakëpirës se, një ditë këto banda – me të cilat u shkatërruan jetën e çfarë mundën shumë qytetarëve, një ditë do t’u ngrihen t’i godasin  ata vetë dhe familjet e tyre.

 

Please follow and like us: