Albspirit

Media/News/Publishing

Vita Blloshmi Kozeli: GJURMËT E KOHËS

Tregim

 

-Prindërit e Serenës duan t’iu njohin, -tha me qetësinë më të madhe Aleksandri, ndërsa po përtypte fileton e pulës që mami Anila e kishte gatuar enkas për të. Arditi shikoi djalin me një krenari prej babai, meqë djali po i besonte një “mision” kaq të rëndësishëm dhe pastaj shikoi Anilën, së cilës i kishte ngrirë luga në dorë.

-Ç’ke kështu moj, që u bëre meit? – qeshi Arditi. – Apo nuk do që të bëhesh vjehrrë kaq shpejt?

-Jooo, po nuk është një çikë si shpejt, more bir i mamasë? -tha sikur po i lutej ajo. -Ti s’ke shumë që na the që po njihesh me një vajzë.

-E vërtetë, o ma,por unë këtë vajzën e njoh që në gjimnaz dhe tani jam në përfundim të fakultetit…

Anila uli sytë si me keqardhje. I vinte keq që nuk kishte kuptuar më parë që djali shoqërohej me një vajzë. Për kohët që kishin ardhur i dukej ende i vogël. Le të mbaronte studimet njëherë, të sigurohej në ndonjë punë e pastaj të mendonte edhe për këto gjëra. Vërtet familja ndërtohet mbi bazën e dashurisë, por do edhe një bazë ekonomike. Ajo shprehja e vjetër e romantike “dy zemra dhe një kasolle” duket e kapërcyer në kohë me pretendimet e sotme të të rinjve e me rritjen e standartit të jetesës. Përveç kësaj, ajo nuk kuptonte pse kishte një lloj ankthi… Mbase nga që ishte gëzimi i parë në familje, apo ndoshta nga që nuk i njihte ende vajzën dhe sidomos familjen e saj.

-Më kanë thënë që të dielën tjetër jemi të ftuar për drekë. Kështu ti mami mund të shuash çdo lloj kurioziteti mbi prindërit dhe atë që po të “rrëmben” dashurinë tënde, – tha Aleksandri dhe i shkeli syrin të atit. Anila buzëqeshi, por përsëri kishte diçka që as ajo nuk po e kuptonte çfarë ishte…

Java kaloi shpejt dhe erdhi e diela. Aleksandri ishte pak nervoz edhe pse mundohej të ishte i qetë.

-E njoh këtë lloj shqetësimi, – qeshi kumbueshëm Arditi dhe i rrahu shpatullat, siç bëhet mes miqsh të vjetër.

Anila kishte veshur një fustan me lule. Flokët e prerë shkurt e tregonin më të re. Megjithëse nuk ishin ata flokët e gjatë, të dendur e të bukur të vajzërisë… Ngjitën shkallët e pallatit dhe sakaq u gjendën para hyrjes së Serenës. Anila mbante në dorë një ëmbëlsirë, ndërsa Aleksandri një tufë me lule të freskëta. Derën e hapi Serena, e cila përqafoi në fillim Arditin e Anilën, pastaj Aleksandrin, duke e falënderuar për lulet.

-Urdhëroni dhe mirëse na keni ardhur! – dëgjoi një zë nga fundi i koridorit, që iu duk i njohur Anilës. Para tyre u shfaqën prindërit e Serenës.

-Arseni, kënaqësi që u njohëm, – i zgjati dorën ai Anilës. Për një çast sytë e tyre u kryqëzuan dhe Anila ndjeu një të nxehtë që e mbuloi të tërën. Por përnjëherësh e mblodhi veten dhe iu përgjigj pa i ngritur sytë:

-Anila, kënaqësia ime.

-Ndërsa unë jam Lura, mamaja e Serenës.Hajdeni, urdhëroni e zini vend, – tha ajo, duke i marrë nga duart ëmbëlsirën Anilës.

Anila u ul në poltronin afër Arditit, i cili i shtrëngoi dorën si për t’i thënë “rri e qetë,e shikon, nuk hanë njerëz”. Anila me bishtin e syrit shikonte Arsenin, i cili po ndihmonte Lurën të mbushte gotat e qerasjes… Po po, ai është, i njëjti vështrim, e njëjta buzëqeshje…

-Mirësenaerdhët! – buzëqeshte Lura, ndërsa servirte gotat e mbushura me gliko. -Merrni, janë shumë të mira, i kemi marrë në fshatin e Arsenit, – lavdëronte glikonë Lura, ndërsa vështrimet e Arsenit dhe Anilës u kryqëzuan sërish.

-Unë jam nga fshati, – qeshi Arseni, – dhe Serena, sa ishte e vogël shkonte shpesh aty. Serena bëri po me kokë dhe tërhoqi ngadalë Aleksandrin nga vetja.  Me gotat në dorë u larguan në ballkon.

Nuk paska ndryshuar fare, mendoi Anila, tek po provonte glikonë. Dhe si pa dashje u zhyt në kujtime …Ajo ishte vetëm 16 vjeç dhe në fshatin e gjyshes, ku ajo shkonte shpesh të kalonte pushimet, kishte dasmë. Një kushëri i largët i mamasë martohej. Dhe si në fshatrat e asaj kohe, i gjithë fshati merrte pjesë në dasëm. Kishin filluar përgatitjet dhe Anila habitej kur shikonte të gjitha komshiet që merrnin pjesë në rregullimin e ambientit dhe ndihmonin në organizimin e dasmës. Lyenin muret anash rrugës, shtëpitë dhe një javë përpara, shtëpia ku do të bëhej dasma jehonte nga muzika e hareja. Çdo natë mblidheshin në shtëpinë e dhëndrrit plot njerëz. Burrat uleshin në oborrin e shtëpisë dhe, pasi kishin pirë ndonjë gotë raki të zier dy herë, ja thërrisnin me iso. Anilës i dukej sikur akoma dëgjonte zërat e tyre, ndërsa gratë në ambientet e tyre këndonin duke zënë brumin e bukëve me qiqra dhe atë të  lakrorëve. Ndërsa të rinjtë luanin, ose vallëzonin nën tingujt e muzikës që vinin nga orkestra. Atë mbrëmje në dasëm kishte ardhur edhe një djale i bukur dhe i veshur me shije, disi ndryshe nga djemtë e tjerë. Erdhi bashkë me një çupë dhe Myska, kushërirka e mamasë që dinte gjithçka për secilin, tha që ishte djali i Memit, një komshiu. Ai studionte në shkollën për aktorë në Tiranë, ndërsa ajo vajza ishte e motra. Anila, e strukur në pjergullën e oborrit ku edhe drita binte shumë pak, gati sa nuk dukej,vështronte nga ata. Ai diçka po i tregonte së motrës dhe ajo qeshte me të madhe. Disa herë vështimet e tyre u kryqëzuan, por Anila i ulte sytë me shpejtësi.

Tingujt e klarinetës ia lanë vendin një tangoje. Ai djali, dukej sikur atë çast kishte pritur dhe, si la të motrën,me hapa të sigurtë dhe një buzëqeshje marramendëse u drejtua për tek Anila. Ajo u drodh, se nuk e priste këtë gjë, sidoqë guximi i tij po i pëlqente.

-Mund të vallëzojmë? – e pyeti me një zë që kishte edhe ton burrëror, por edhe një ëmbëlsi të veçantë.

-Po unë… uli kokën Anila… Ndërkaq u gjend në krahët e tij. Ai nuk e la ta mbaronte frazën justifikuese se nuk dinte ta vallëzonte mirë tangon, por vuri dorën në belin e saj dhe e shtrëngoi fort pranë vetes.

Çuditërisht ky shtrëngim e bëri Anilën të ndihej mirë e më e sigurtë. Ai filloi ta rrotullonte me zhdërvjelltësi, kërcente bukur dhe Anila hyri në sinkron fare mirë me të. Kërcenin harmonishëm e  dukeshin si dy valltarë profesionistë . Kur mbaroi vallëzimi, ai e falënderoi dhe e shoqëroi deri në vendin e saj.

Anilës po i dilte zemra nga vendi. Ai djalë po i pëlqente shumë. Nga fundi i oborrit vinin të qeshurat e burrave. Me siguri xhaxha Mania po tregonte ndonjë nga ato bëmat e tij, që i sajonte në moment. Anila ndieu një dorë mbi sup dhe, ndërsa ktheu kokën, pa atë që po i buzëqeshte.

-Si ju duken dasmat tona ju çupave të qytetit?, – dëgjoi zërin e tij të bukur prej aktori.

-Shumë të bukura, – ia ktheu me gjysmë zëri Anila.

-Unë jam Arseni dhe jam student. Ndërsa ti je Anila dhe je në gjimnaz, – vazhdoi ai. – Këtu asgjë nuk kalon pa u vënë re. Aq më pak mund të kalojë pa u vënë re një vajzë kaq e bukur si ju. A mund të kalojë pa u vënë re një kometë e bukur në qiell? Edhe ti je si një trup qiellor këtu në atmosferën e fshatit tonë.

Anilën e bënë të skuqej këto fjalë. Ky djalë vërtet ishte nga fshati, por ishte më galant se djemtë e qytetit. Askush nuk i kishte bërë komplimente të tilla. U ndje sërish mirë, por nuk i ngriti sytë. Megjithëse do të donte të shikonte ngjyrën e syve të tij.

Ndërkaq kishte filluar një valle popullore dhe Arseni e tërhoqi atë në valle. Kërcenin dhe Arseni i shtrëngonte fort dorën sikur të kishte frikë se mos ajo i ikte e largohej siç largohen kometat në qiell në ndjekje të trajektores së tyre. Por ajo nuk donte të ikte. I pëlqente ai shtrëngim dore. Arseni dridhej e përdridhej si një valltar i vërtetë. Anila e ndiqte si drenushe dhe një buzëqeshje e bukur i jepte më shumë dritë e hijeshi fytyrës së saj.  Atë natë ata kërcyen shumë herë sëbashku, aq sa Myska filloi ta ngacmonte… Po Anila nuk e kishte,mendjen tek fjalët e saj. Në një moment ajo u largua të merrte ujë tek pusi, që ishte në cepin e largët të oborrit dhe ku nuk kishte aq dritë. Kur po tërhiqte kovën nga pusi, nën rrotullimin e çikrikut, ndjeu një dorë që e shtrëngoi litarin bashkë me dorën e saj. Ishte Arseni. Anila u skuq, por edhe u përndez brenda vetes. Vështroi përreth mos kishte njeri aty afër, por të gjithë ishin të zënë, dikush duke vallëzuar e të tjerët secili në qejfin e vet. Kur ajo po bëhej gati të ikte, ai ia zuri rrugën, e përfshiu për beli dhe e puthi gjatë në buzë. Në fillim ajo tentoi ta shtyjë, por pastaj e la enën e ujit për tokë, ia hodhi dorën në qafë dhe iu përgjigj puthjes së tij. Në oborr muzika u ndal dhe Anila u shkëput me vrull e u largua nga krahët e djalit…

Dasma mbaroi dhe Anila nuk e pa më kurrë këtë djalë, edhe pse ndonjëherë kur mendonte e kujtonte atë si dashurinë e parë. Dikur Myska i kishte thënë që, pasi mbaroi shkollën ai ishte martuar me një shoqe fakulteti dhe më vonë kishin emigruar, por më tej ajo nuk dinte më asgjë për të…

-Anila! – e solli në vete zëri i Arditit. – Mirë je?

-Mirë jam, – buzëqeshi ajo dhe i shtrëngoi dorën.

Dreka po shkonte në një atmosferë të këndshme dhe shumë gazmore. Arseni dhe Arditi ishin mjaft në sintoni me njëri–tjetrin, gjë që Serenës dhe Aleksandrit u pëlqente shumë.

-Ju bëni ç’të doni, – u tha Arseni në fund të drekës, tek po priste ëmbëlsirën që kishte sjellë Anila,  por mua e Arditit nuk duhet të na hiqni të drejtën të frekuentohemi e ta pimë nga një gotë si krushq që jemi tashmë. Si thoni ju zonja? Dhe ktheu kokën nga Anila dhe e shoqja. Ato qeshën dhe pohuan me kokë.

Gjatë tërë drekës Anila ishte munduar të kapte ndonjë vështrim kuptimplotë nga Arseni. Por ai kishte një sjellje normale e shumë të zakonshme. Asgjë për të sjellë sadopak, qoftë edhe largazi  diçka nga ajo kohë, nga ajo mbrëmje që Anilës i kishte mbetur në kujtesë gjatë gjithë këtyre viteve. Mbase për Arsenin kishte qenë ndryshe, mbase e kishte harruar shumë shpejt, ose mbase nuk e kishte njohur. Ndoshta kjo e fundit ishte më e vërtetë. Kishin kaluar shumë vite e gratë ndryshojnë më shumë nga burrat. Shumë gjurmë koha i fshin si pakuptuar me pamëshirshmërinë e saj.

-Mua më pëlqyen shumë si familje, – tha Arditi tek po ktheheshin në shtëpi. Po ti, Anila, çfarë mendimi ke?

-Edhe mua m’u dukën njerëz të mirë, – ia ktheu ajo. Dhe me vete mendoi: Sa mirë që nuk më njohu Arseni.

Please follow and like us: