Albspirit

Media/News/Publishing

Vita Blloshmi Kozeli: Perdet që nuk u vunë

 

Tregim

– Alo!… Ka një vonesë disaorëshe avioni, kështuqë kthehem nesër në darkë vonë,-u dëgjua nga ana tjetër e telefonit ai zë i dashur që prej 30 vjetësh. Pashë kalendarin dhe i binte ditë e diel.

Liza gjeti një biletë me çmim mjaft të lirë në ofertë dhe shkoi për tetë ditë në Itali, për të takuar djemtë. Jo vetëm pse e kishte marrë malli, por edhe pse Italia i pëlqente. Ka gjithnjë gjëra të reja e të bukura për të parë në atë vend, që, siç thonë, e ka bekuar perëndia me tërë ato bukuri natyrore e vlera kulturore e monumentale që ka. Unë mbeta me djalin e dytë, të cilin vetëm darka e mbledh në shtëpi, sepse si pjesa më e madhe e rinisë sot, ai rri gjithë ditën lokaleve me moshatarët e miqtë e vet. Thotë se kështu e shijojnë më mirë rininë, sikur ajo po u ikën nesër. Personalisht nuk jam dakort me këtë mënyrë të organizimit të kohës së lirë, por të rinjtë e sotëm dëgjojnë më shumë njëri-tjetrin se sa prindërit.

Kur iku, Liza nuk më dha asnjë porosi, siç bëjnë rëndom gratë kur ikin gjëkundi si për shembull “mbaje pastër shtëpinë”, apo “mbylli dritaret se hyjnë pluhura nga jashtë” etj. Në fakt do të ishin porosi të tepërta, sepse nga natyra jam vetë i rregullt dhe i kam merak pastërtinë e estetikën e gjërave nëpër shtëpi. Madje nganjëherë më duket se e teproj, ngaqë edhe në bibliotekën e familjes dua që librat, përveçse të jenë të shpluhurosur, i vë edhe në radhë sipas formatit e trashësisë së tyre. Po, kam një difekt që ia njoh vetes, se nuk më jepet të gatuaj. Ndaj, edhe këtë radhë ajo i mori masat, duke ma mbushur frigoriferin me gjëra të gatshme apo gjysmë të gatshme, si speca të mbushur, fasule, ullinj të përpunuar me rrota preshi e limoni, djathra, vezë, sallam etj. Pa harruar frutat e ndryshme që asnjëherë nuk mungojnë në shtëpinë tonë.

E, megjithëse e dija veten goxha të përgatitur edhe për raste vetmie, që në ditën e dytë e kuptova se shumë gjëra nuk dija t’i bëja e që e evidentonin më shumë mungesën e gruas. Kështu për shembull nuk dija të vija lavatriçen në punë e as lavastoviglien, megjithëse unë ia kisha përkthyer gruas instruksionet për përdorimin e tyre. Dy gjëra jo pak të rëndësishme, përpara të cilave çdo burrë do të ndihej i çarmatosur e në siklet. Se duhet t’i laja si rrobat, ashtu edhe pjatat me dorë. Si t’ia bëja?… Për rrobat mund të them se e gjeta njëfarë zgjidhjeje origjinale. Zgjidhje prej dembeli, për të cilën gruaja do më qortonte ose do më vinte në lojë, po ta dinte. Kështu, rrobat e brendshme që merrnin erë djersë, sidomos tani në verë, edhe për faktin se unë bëja vrap dy herë në ditë, i vendosja të thaheshin në diell duke i varur rreth një koshi prej plastike, ku zakonisht mblidhnim rrobat që duheshin larë. Kjo, që ato me kalimin e ditëve të mos mykeshin e të prisnin derisa të vinte Liza për t’i futur në lavatriçe. Kurse për pjatat nuk kisha nga t’ia mbaja. Ato pak pjata, lugë, gota etj. që përdorja i laja vetë me dorë sapo mbaroja së ngrëni, pa i lënë të grumbulloheshin. I fshija dhe i vendosja në vendin e tyre.

Nga dita e katërt apo e pestë, nuk i pashë rrobat që kisha varur tek koshi. Shkoj në ballkon dhe i shoh të ndera në mënyrë të çrregullt, që po t’i shikonte Liza ashtu, do më bënte namin. Sepse ajo i var sipas një rregulli të caktuar: çarçafët, këmishat, bluzat, pantallonat, fundet në pjesën e përparme, kurse të brendshmet në pjesën e pasme, që të mos dukeshin nga jashtë. I mblodha shpejt e shpejt dhe i hodha në krevatin tonë të madh. Në mbrëmje vonë, kur u kthye djali, mësova se me larjen e tyre ishte marrë ai. Kishte pyetur në telefon të ëmën për përdorimin e lavatriçes dhe ajo i kishte dhënë instruksionet për temperaturën, numrin e xhirove etj.

Duke qenë i sigurtë që Liza nuk do ta pëlqente mënyrën se si e kisha mbajtur shtëpinë (edhe kur bëja maksimumin ajo do të gjente të meta e difekte), vendosa që të merrja një pastruese. U kujtova që në pallat kishim një komshije që kishte mbetur pa punë dhe pastronte hyrjen tonë me një pagesë 300 lekë në muaj nga çdo familje. Dire, e quanin. I shoqi punonte shofer me makinë të madhe, trajler dhe kthehej gjithnjë vonë në shtëpi, madje nganjëherë edhe nuk vinte fare në darkë. Nuk ndiheshin fare dhe ishin njerëz që shikonin punën e tyre. Kishin vetëm një vajzë, rreth 17 vjeçe, që ishte shumë e bukur dhe vazhdonte shkollën e mesme në një gjimnaz publik. Dola nga shtëpia dhe e takova nëpër shkallë tek pastronte. Nuk i kisha folur ndonjëherë e nuk e kisha parë kurrë me vëmendje. E përshëndeta dhe ajo ndërpreu punën e u drejtua, duke më përshëndetur në mënyrë të sjellshme. Vura re që ishte një grua rreth të dyzetave, e kolme pa tepri (ashtu siç më pëlqenin mua femrat, jo si ato thatësirat manjake pas dobësimit që tunden e shkunden e përdridhen nëpër shkallë sikur çoç janë), kishte një fytyrë të pastër ngjyrë gruri, si ato që sapo janë kthyer nga pushimet në det, flokë të zinj e të dendur, mbledhur pas koke me një llastik, përtej të cilit derdhedhin pafund kaçurrelat deri në fund të shpinës. Një përparëse disi e gjerë që mbante veshur nuk më linte të krijoja një ide të saktë mbi trupin e saj, sidoqë dukeshin linjat e saj të rregullta dhe drita që vinte nga hyrja e pallatit gati ravijëzonte ca këmbë të bukura. Po unë, ku i kam patur sytë deri tani, pyeta për një çast veten, duke harruar që ajo po priste fjalën time…

– Më falni, desha të kërkoja nëse keni kohë e mundësi të pastroni hyrjen time, me themel, meqenëse nesër vjen ime shoqe nga Italia. Natyrisht, me pagesë, – i thashë disi i ndrojtur, duke menduar se ajo edhe mund të refuzonte.

– Me gjithë qejf, pa merak,-tha ajo me një ton zëri të ëmbël. – Ja, sa të mbaroj këto punë që më kanë mbetur, apo është urgjente?

– Jo, jo, nuk është urgjente. Kur të mundeni. Unë po ju lë çelësat e shtëpisë dhe numrin tim të celularit. Kur të mbaroni më thërrisni në telefon. Tek kafja poshtë pallatit jam…

I lashë çelësat në dorë dhe zbrita shkallët. Shkova në kafja dhe u takova me ca shokë, me të cilët më rrëmbeu muhabeti me nga një gotë raki përpara e nuk po e ndjeja kalimin e kohës. Nuk di sa kohë kishte kaluar, kur më ra telefoni. Ishte ajo. Më tha që kishte përfunduar punët. U ngjita dhe kur hyra pashë që shtëpia ishte dritë e në rregull nga tërë anët. Epo dukej dora e një gruaje të kujdesshme. Kurrën e kurrës nuk do ia kisha dalë t’i bëja kështu.

Ajo ishte tek dhoma e gjumit. Pranë kishte shkallën që përdornim ne për punët në lartësi.

– Ju lutem, mund të më mbani pak shkallën sa të heq perdet dhe të laj pak xhamat? Kam pak frikë nga lartësitë, – më tha. Tek më fliste më hodhi edhe një vështrim, që bashkë me zërin ishin po aq të pasigurtë, si frika e saj nga lartësitë. Pas këtyre fjalëve u ngjit në shkallë. Unë, i shtyrë pak edhe nga kurioziteti i mashkullit, ngrita kokën dhe… një i nxehtë më mbuloi gjithë trupin… Ajo ktheu kokën e unë, si i zënë në faj, i thashë:

– Jo, jo, mos rreziko, i heq unë perdet.

Ajo, si të kishte pritur këto fjalë, nisi të zbresë nga shkallët dhe kur arriti në dysheme, trupat tanë u ndodhën aq afër, sa gjoksi i saj preku gjoksin tim. Ishte një gjoks mesatar, jo shumë i fryrë, por i fortë. Edhe fytyrat tona ishin shumë afër e tani po konstatoja më mirë që ajo ishte një femër e bukur, me tipare tërheqëse, ku spikatnin sytë e mëdhenj e të zinj, me një vështrim depërtues. Qerpikët e mëdhenj ua shtonin hijeshinë. Buzët e saj ishin të plota e mishtore me një ngjyrë rozë të këndshme dhe lëkura e fytyrës dhe e qafës shumë e lëmuar. Dukej si një frut i freskët dhe i paprekur e jo si një grua që kishte lindur një herë e dështuar dy herë të tjera, siç përflitnin ca plaka në pallat.

I thashë të ulej në kolltukun e dhomës së pritjes që t’i bëja një kafe. Ajo më pa në sy pastaj doli pa fjalë dhe u drejtua për tek kolltuku. Vetëm atëherë vura re se ajo i kishte palosur bukur e me delikatesë ndërrest e mia që i kisha hedhur rrëmujë mbi krevat dhe kjo më bëri të skuqem pak. Megjithatë bëra sikur nuk kisha vënë re dhe shkova në kuzhinë e përgatita kafetë. Ndërkohë ajo po i hidhte një sy ambientit, librave në bibliotekë, objekteve të zbukurimit që ishin të shumta.

Po pinim kafetë dhe në dhomë kishte rënë një heshtje varri. Isha si i hutuar, por edhe ajo nuk fliste e për më të shumtën e kohës i mbante sytë mbi filxhan. Një përskuqje e lehtë vallëzonte mollëzave të saj. Nuk dija ç’të bëja. Më vinte t’i hidhesha e ta mbuloja me puthje në ato mollëzat e përskuqura dhe në buzët mishtore. Dëgjohej vetëm një mushkonjë trime që me sa duket i kishte shpëtuar ilaçit që unë vija çdo mbrëmje për t’i shpëtuar bezdisë së tyre. Në një moment mushkonja vajti e u ndal në krahun e saj e ishte gati ta pickonte. Ajo sikur nuk e vuri re. Unë u ngrita instinktivisht nga vendi dhe vajta të trembja mushkonjën. Ajo e ndoqi lëvizjen time duke më vështruar thellë në sy.

– Po të pickonte mushkonja,-i thashë duke e vështruar me buzëqeshje dhe ia zura krahun aty ku ishte ndalur mushkonja. Ajo buzëqeshi dhe më tha me gjysmë zëri: – Jeni shumë i sjellshëm.

Po e vështroja gjatë në sy dhe kisha harruar t’ia lëshoja krahun. Ajo nuk po lëvizte. E ngrita lehtë dorën dhe me kurrizin e saj i përkëdhela faqen. Pastaj e ngjita më lart mbi flokët dhe gishtat e mi u ngatërruan nëpër kaçurrelat e zinj. Sërish asnjë lëvizje nga ana e saj. E kalova dorën tjetër rreth belit dhe e afrova pranë vetes. Nuk kundërshtoi dhe nuk bëri asnjë reagim që të ngrihej e të ikte. I ngriti sytë e i zhyti tërësisht në të mijtë. Tani ata ishin të lëngshëm e të bukur si sy kaprolli. Po e vështroja edhe unë, pa e ditur se ç’të bëja më tej.

– E shuam… Jam e tëra zjarr, – tha ajo befasisht dhe ndjeva buzët e saj të ndezura mbi të miat. Puthte mrekullisht dhe pa e kuptuar u gjendëm në divani që ishte përballë. Vërtet ishte e tëra zjarr dhe gjithçka ndodhi me një shpejtësi marramendëse, saqë nuk po e kuptoja më ku ndodhesha. Nuk di sa kohë vazhdoi, u përmenda plotësisht kur pashë që ishim sërish bashkë në dhomë, por të ulur në dy kolltukë të ndryshëm. Thjeshtë sa për të bërë diçka mbusha dy gota me konjak metaxa dhe ia zgjata njërën.

– Edhe konjakun e paske shumë të mirë, siç ishe vetë sot, – tha pas pak me një buzëqeshje prej shejtanke.

M’u bë qejfi nga këto fjalë. Kishte kohë që nuk i dëgjoja. Mbase ngaqë mes bashkëshortësh pas disa vite martesë komentet rreth çasteve intime sikur harrohen. Ndoshta ngaqë hyn rutina në këto lloj marrëdhëniesh. U desh ta dëgjoja nga kjo grua këtë koment të ëmbël që të kuptoja rëndësinë e tyre dhe sa vlerë kanë ato një një raport qoftë edhe të gjatë mes bashkëshortësh. Të rrëmbyer nga rutina e jetës së përditshme e lejojmë rutinën të hyjë edhe në atë çka është e shenjtë dhe e mban gjallë dashurinë mes bashkëshortësh me kalimin e viteve. Nuk thashë asnjë fjalë vetëm vajta e i dhashë një puthje të gjatë mirënjohëse. Ajo më puthi dhe më mbështolli me një përqafim.

Pastaj ajo u ngrit të dilte. Kur po i drejtohej derës, futa dorën në xhep të nxirrja paratë. Ajo ma mbajti dorën, u skuq paksa dhe tha duke me vënë gishtin në buzë: – Do të më ofendosh? Nuk erdha për lekë… Unë i dhashë edhe një puthje të lehtë e kur po dilte u kujtua e tha: – Harruam perdet. Por nuk ka gjë. Vij nesër në mëngjes. Gruaja jote vjen në darkë, kurse ai imi është në punë.

– Dakort, – i thashë.

Ajo doli dhe unë mbylla derën pas saj.

Fillova të provoj ndjenja të përziera. Ajo kënaqësi e papritur dhe e paparashikuar që kisha provuar, po ia linte vendin njëfarë pendese. Si ndodhi ashtu? Nuk isha tip që nuk më pëlqenin femrat, por e njihja veten si tip të përmbajtur. Nuk e kisha tradhëtuar gruan ndonjëherë. Edhe pse rastet nuk më kishin munguar. Një herë u takova me një ish shoqen time të fakultetit, me të cilën kisha patur edhe një histori në vitet studenteske. Patëm një tendencë afrimi, por duke qenë të dy familjarë, nuk po e bënim asnjëri hapin e parë. U takuam disa herë për kafe e asgjë më shumë. Një herë tjetër në mbrëmjen e një shoqate ku do dekoroheshin dy kolegë qëndrova tërë mbrëmjen e vallëzova me një femër të bukur. Edhe pse dëshira ishte, ajo u shkri bashkë me pijet që pimë në tavolinë. Po tani, si ndodhi kështu? Pikërisht në ditën e fundit, kur unë po bëhesha gati t’i mburresha gruas se isha sjellë shumë mirë… Por, gjërat që duhet të ndodhin vjen një moment e ndodhin, u përpoqa të justifikoj vetveten…

Me këtë luftë mendimesh vazhdova deri në mbrëmje vonë.

Kur shkova në krevat të flija, në krevatin tonë bashkëshortor, ku nuk kisha futur kurrë një femër tjetër, instinktivisht dora vajti tek telefoni dhe formova numurin e Dires.

– Alo! – u dëgjua zëri i saj nga ana tjetër.

– Jam unë, – i thashë

Ajo nuk foli asnjë fjalë. Por dëgjoja frymëmarrjen e saj. Ishte një frymëmarrje e ngashëruar. M’u duk sikur nga telefoni më lagu loti i saj. Ajo po qante.

Qëndruam ashtu në heshtje për disa çaste. Pastaj e mbylla telefonin me fjalët: – Mos eja nesër…

Please follow and like us: