Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. As. Dr. Bernard Zotaj: Një jetë plot gjallëri e fiseve Ramaj e Llakaj

 

Për kontributin e patriotëve të Krahësit

Në librin “Fisi Ramaj dhe Llakaj i Krahësit të Tepelenës”, të autorit Reit Sefedin Ramaj përshkruhet kontributi atdhetar i Ramajve e Llakajve, por dhe i fiseve të tjerë të Krahësit. Autori Reit Ramaj e ka prurë në kohën e sotme tërë jetën dhe veprimtarinë e një popullsie prej më shumë se dy shekuj. Në vazhdën e historisë krahësiotët në përgjithësi, nuk janë kursyer, por kanë dhënë kontribut për mbrojtjen e trojeve, të pavarësinë dhe të çlirimit të atdheut, duke shënuar akte trimërie e heroizmi. Është i njohur atdhetari Jonuz Zenelin, i cili ka marrë pjesë me armë në dorë në çetën e Shahin Matrakut kundër turqve në vitin 1905.

Ndërsa në Teqenë e Harakopit, në vitin 1911, ku shërbente Baba Sulo Ramaj u zhvillua mbledhja e përgjithshme e fshatit nën kryesinë e babait, ku dolën 73 komitë, midis tyre dhe figura kryesore patriotike Kalo Brahimi. Në Kuvendin e Fierit të zhvilluar më 13 gusht 1912 nga patrioti i shquar Ismail Qemali, nga Tepelena morën pjesë 28 delegatë, ku ishin dhe përfaqësues të Krahësit si mësuesi atdhetar Ibrahim Selimi dhe Tafil Zeqo Rama. Kurse në ditën e shpalljes së Pavarësisë dhe në Luftën e Vlorës 1920 morën pjesë 53 luftëtarë krahësiotë ku u dalluan Dervish Medini, Jonuz Zeneli, Sulo Selmani, Kalo Brahimi, Çelo Zeqo, Qazim Maliqi e Tafil Zeqo.

Dritë mbi rolin e bektashizmittë trevës

Autori Reit Ramaj ka hedhur dritë dhe për rolin që kanë luajtur babatë e teqeve në zonën e Krahësit. Një figurë e shquar e bektashizmit shqiptar ishte dhe Baba Sulo. Ai lindi në Ramaj në një fis me tradita patriotike duke filluar Jonuz Zeneli, nipërit Çelo e Tafil Zeqo dhe që së bashku kanë luajtur një rol të madh në pavarësinë e Shqipërisë. Babai krahas shërbimit ndaj perëndisë, shfaqi vlera të spikatura atdhetarie. Në Teqën e Harakopit, ku shërbeu Baba Sulo në vitin 1911, u bë një mbledhje e përgjithshme e Krahësit për organizim dhe për të luftuar pushtuesin. Në vitin 1911 në një nga mjediset e Xhamisë, u hap shkolla e parë shqipe në Krahës.

Në libër hidhet e plotë drita për rolin e institucioneve të bektashizmit dhe të klerikëve në trevën e Krahësit. Vend të rëndësishëm zënë Teqetë e Koshtanit, të Turanit dhe të Harakopit, ku janë zhvilluar veprimtari të vazhdueshme, si për frymën e shenjtë të bektashizmit, por dhe për frymën patriotike.

Në histori më mirë se çdo herë tjetër, autori qartë dhe saktë ka pasqyruar rolin e klerikut Baba Sulo Ramaj. Ky klerik, krahas shërbimit me përkushtim dhe devotshmëri për përhapjen e bektashizmit dhe të frymës së shenjtë, ka organizuar dhe zhvilluar veprimtari patriotike për mbrojtjen e trojeve, të lirisë e të pavarësinë së atdheut, të përhapjes së gjuhes dhe të arsimit shqip duke bashkëpunuar ngushtë me patriotët e Rilindjes si vëllezërit Frashëri, Mihal Grameno, Dervish Hima etj. Libri sjell një fakt se nga tetë myhibe, gjashtë prej të cilave para vitit 1935, i përkasin fisit të Ramajve. Më i përkushtuari dhe më i dëgjuari ishte Baba Sulo, për të ka shkrime dhe dokumenta, ku revista “Urtësia” organ i Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore, e ka quajtur “Margaritar i urtësisë”. Në libër pasqyrohet vlerësimi dhe nderimi për këtë klerik, ku me rastin e 102-vjetorit të shpalljes së pavarësisë është vlerësuar me titullin “Nderi i Bashkisë Tepelenë”.

Pjesëmarrje masive në luftë

Kuptimplotë dhe domethënës pasqyrohet në libër periudha e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri dhe në trevën e Krahësit, ku jo vetëm fiset Ramaj e Llakaj, por të gjtihë krahësiotët, krenohen me ndihmesën e dhënë nga burra e gra trima e atdhetarë.

Në Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare bijtë e bijat e Ramajve, Llakajve, Xhaferajt dhe të Krahësit luftuan me heroizëm jo vetëm në trevën e Tepelenës, por në gjithë Shqipërinë. Disa prej tyre kaluan dhe jashtë kufijve në ndihmë të popujve të Jugosllavisë, në Kosovë, Mal të Zi e Bosnje-Hercegovinë ku luftuan me heroizëm Gani e Gjysh Tafil Ramaj, Hysni Latifi, Demir Xhaferi, Teki Sulo Pashaj, Hazis e Ramo Medin Shehu, ndërsa Qani Isufi u plagos gjatë luftimeve.

Ndër fshatrat e rrezikur të digjej nga fashistët ishte dhe Krahësi, si një nga bazat e fuqishme të asaj luftë, por falë zgjuarsisë së parisë së tij, nuk u dogj i tëri. Nuk i shpëtuan djegjes shtëpitë e Kalo Brahimit, Bajram Medinit. Në Teqenë e Harakopit shërbeu kleriku i dëgjuar Baba Fejzo, si dhe Adem Baro Ramës, Zano Hysenit, Dino e Lame Muharrem Salajt dhe e Zenel Baro Mertirajt.

Mbledhjen e parë në fund të gushtit 1942, në Mallakastër, Mehmet Shehu e bëri në komunën e Krahësit, me patriotët Kalo Brahimi, Bajram Medini e Hasan Çelo. Kalo Brahimi ishte anëtar i shtabit për mbrojtjen e Mallakastrës, të formuar në prill 1943 me komandant Mehmet Shehun dhe komisar Bilbi I Klosin.

Nga qershori 1943 deri në çlirimin e vendit Riza Jonuzi ishte komandant i çetës vullnetare teritorriale të Krahësit e Krahësit të Sipërm. Në dhjetor 1943-dhjetor 1944 Hasan Çelua ishte kryetar i Këshillit Nacionaçlirimtar të krahinës Krahës-Bus.

Më 20 shkurt 1944 në Krahës u formua batalioni partizan i rinisë “Baba Fejzo”, me komandant Reshat Zano Ramaj. Në ditën e formimit të këtij batalioni bënin pjesë 198 partizanë nga krahinat e Krahësit, të Mallakastrës dhe të Beratit. Në batalion Gjysh Tafili dhe Demir Kalua ishin komandant kompanie. Batalioni ka zhvilluar luftime në Zhulaj, Fratar, Rabie, Gllavë, Rehovë të Beratit, në Qafën e Kiçokut etj. Batalioni “Baba Fejzo” e ushtroi veprimtarinë luftarake nga 20 shkurti 1944 deri me 25 qershor 1944. Pas kesaj date partizanet e ketij batalioni ju bashkuan Br. V, VI S dhe Grupit te Kurveleshit.

Shembull të lartë trimërie e besnikërie shpalosi në luftë çeta vullnetare territoriale e Krahësit me 69 luftëtarët e saj. Kjo çetë u gjend në luftime të ashpra në qafën e Miricës, në Rabie dhe gjatë gjtihë kohës së luftës ruajti dhee siguroi Spitalin partizan të Krahësit ku u mjekuan mbi 500 partizanë dhe civilë të plagosur nga zona e Tepelenës, Mallakastrës dhe Kurveleshit. Në libër përshkruhet qartë kujdesi dhe ndihmesa që kanë dhënë Ramajt e Llakajt dhe gjithë krahsiotët për ruajtjen, trashëgimin dhe pasurimin e traditave të mira luftarake nga brezi ne brez.

Në luftë dhanë jetën për çlirimin e atdheut nëntë dëshmorë, të cilët i përkasin Krahësit dhe Krahësit të Sipërm. Ata janë: Islam Ismaili, Sami Qazim Çelaj, Xhemal Yzeir Hadaj, Gani Xhafer Hysi, Muhamet Muharrem Zitaj, Reiz Zano Hysi, Fejzo Muço Xhezairi, Bektash Shaban Shytaj dhe Zyber Brahim Zyja-Velika.

Kështu në vite Ramajt dhe Llakajt kanë ruajtur traditën e unitetit e të solidaritetit, të mikpritjes, të bujarisë, si dhe punën e luftën për dije, për shkollim e arsimim. Ramajt kudo që ndodhen kanë ruajtur të paprekur unitetin mes tyre, kanë forcuar dashurinë për pronën e punën, si dhe i kanë kushtuar e vazhdojnë t’i kushtojnë rëndësi të veçantë arsimimit e specializimit të tyre. Në libër jepen mjaft shembuj dhe statistika për këto fise.

Toponimet në territorin e fiseve

Libri përshkruan me hollësi dhe mjaft toponime brenda perimetrit të këtyre fiseve. Kështu nga perëndimi në lindje gjejmë toponime si sheshi i Xhamisë, lisat e Shehut, sheshi i Hoxhës, kamina e Çelo Zeqos, bigaçet e Zano Zeqos, gropa e Muharremit, stanet e xha Shefitit e xha Rizait, murishtat e xha Sefedinit, tokë arë dhe pyll etj.

Më tej përshkrohen ullishtat e Mesores, ullinjtë e Kalos, Shefitit, Sefedinit dhe Hasunit. Shulja e Ramos, shkoza e Mino Malos, maja e Shishkait, ulliri i Hajriut, gropa e Mustafa Malos, qafa e Hasan Barjamit. Më tej flitet për Shkozën e Madhe të Shefit Tafilit, kolupja e xha Hasanit, moçali i Shkozës së xha Rizait, gropa e Ullirit, kamina e Çelos, përroi i Shkozës, vreshtat etj.

Në bregun e Shkozes, ku kalon një rrëke e vogël uji, lisat e vegjël me 5-6 m gjatësi, ullinjtë e Teqesë të Baba Sulos, të cilët ekzistojnë dhe janë të veçantë për nga madhësia. Në krahun e djathtë të ish-ullinjve të Teqesë ishin dy shuljet e xha Rizait. Në lindje kanë qenë koritat ku u hidhnim kripë dhive dhe lisat e xha Hasanit. Drejt lindjes ishte moçonuzi i Isuf Jonuzit, më tej një tek udha e madhe ka qene një Përrall i Vogël dhe përfundon tek Ulliri i shkodranit…

Njohje me jetën dhe veprimtarinë e Reit Ramaj

Reit Sefedin Ramaj ka lindur më 6 janar 1936, ditën e “Ujit të Bekuar” në fshatin Krahës të Bashkisë Memaliaj. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe më tej në vitin 1953 shkon vullnetar në ekspeditën gjeologjike në Memaliaj. Në vitin 1954 kreu një kurs 6 mujor në Tiranë në specialitetin e gjeologjisë dhe emërohet në ndërmarrjen Gjeologjike Naftë-gaz-bitumit në Vlorë duke punuar në ekspeditën e Selenicës dhe të Fushë-Krujës.

Arsimin 7-vjeçar e kreu në Fushë-Krujë dhe vijoi studimet në shkollën e mesme Politeknikumi “7 Nëntori”, ku u diplomua teknik i mesëm gjeolog në vitin 1959. Pas mbarimit të shkollë emërohet në Tiranë në ndërmarrjen Hidrogjeologjisë ku punoi deri në vitet 1980. Në këtë periudhë ndoqi studimet e larta në Fakultetit Gjeologji-Miniera pa shkëputje nga puna dhe diplomohet në vitin 1974 inxhinier gjeolog. Në vitet 1977-1978 thellon studimet në fushën Hidrogjeologjisë në një kurs me shkëputje nga puna.

Në periudhën 1980-1992 punon drejtor në Ndërmarren e Ujësjellësit të Tiranës ku përfshihej qyteti dhe rrethi. Ndërmarrja punoi në aksionin kombëtar për furnizimin me ujë të pijshëm të çdo lagje në qytet dhe në fshatra duke qenë një nga ndërmarrjet pararojë në vend. Nga janari 1998-2001 drejtoi shërbimet Publike në Prefekturën e Tiranës.

Me daljen në pension ka vazhduar aktivitetin me shoqatën atdhetare kulturore “Treva e Krahësit”, duke kryer detyrën e kryetarit të degës së Tiranës në vitet 2004-2014. Ka kantribuar në vazhdimësi duke dhënë ndihmesë në pasqyrimin e promovimin e vlerave të fshatit Krahës në median e shkruar. Është bashkëautor i librit “Historiku i fshatit Krahës” dhe autori i librit “Fisi Ramaj dhe Llakaj i Krahësit të Tepelenës”.

Reit Ramaj dhe sot është një ndër miqtë më të mirë të Shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë”. Ai ende jep ndihmesë si anëtar i Këshillit të Moshuarve pranë Këshillit të Bashkisë Tiranë.

Please follow and like us: