Albspirit

Media/News/Publishing

Vita Blloshmi Kozeli: PËRTEJ NJË ILUZIONI…

Tregim

Ishte ora nëntë e gjysmë e mëngjesit dhe Sara ishte ende në vaskën e banjës. Bëri shumë mundim të ruante qetësinë, kur dëgjoi të binte pa pushim zilja e telefonit. S’të lënë rehat, mendoi, duke zhytur kokën në vasken e mbuluar me shkumë dhe me aromë vaniljeje. Kishte nevojë të rrinte atje e kredhur edhe ca, ose mbase edhe gjithë ditën… Zilja e bezdisshme telefonit vazhdoi të bëhej edhe më insistuese… Po kush dreqin është kështu, mendoi me nervozizëm Sara… Atë ditë e kishte marrë pushim dhe kishte vendosur të qetësohej ca. Mbase, pasi të dilte nga vaska, do të pinte një çaj, mbase do të vishej dhe do të dilte të bënte një xhiro, apo ndoshta do të kthehej përsëri në shtrat… Po mendonte t’i telefononte ndonjë mikeshe për të pirë një gotë verë, pasi kishte nevojë të rrinte me dikë. Kohët e fundit ishte nbyllur në vetvete e nuk kishte patur dëshirë të rrinte me asnjeri.

Peshqiri i butë rrëshqiste lehtë mbi trupin e saj dhe ajo vjedhurazi hodhi sytë mbi pasqyrë. I pëlqente të vështrohej ashtu si fshehtas kur ndodhej nudo në vaskën e banjës. Ishte një vajzë e kolme, por e bukur. Ndonjë kile e tepërt për syrin e ndokujt, asaj i shkonte e madje format sikur e bënin edhe më tërheqëse. Me siguri kështu e mendonin edhe ata që jo rrallë i bënin komplimente… Përsëri zilja e telefonit i tërhoqi vëmmendjen. Sigurisht ndonjë që nuk pret dot deri nesër, mendoi dhe mori telefonon të përgjigjej. Në display pa që i telefononin nga konsullata.

– Urdhëroni!

– Flas me zonjën Sara Nano?

– Po, unë jam. Si mund t’ ju ndihmoj?

– Ju telefonojmë nga konsullata për t’ ju kujtuar që në orën 11.30 keni takimin me konsullin. Sara mbeti e shtangur… Ajo kishte harruar që për këtë ditë kishte fiksuar një takim të rëndësishëm për një projekt që kishte të bënte me shoqatën që ajo drejtonte..

– Zonja Nano… Jeni akoma aty?

– Ahhh, po po, sigurisht nuk e kam harruar. Ju faleminderit për telefonatën,-u përgjigj Sara, ndërsa shpejtonte të mbyllte telefonatën… Hodhi sytë nga ora e murit dhe pa që kishte vetëm një orë kohë për t’u veshur dhe për të arritur me korektesë në konsullatë. E dinte që për të arritur atje duheshin të paktën 40 minuta… Ohh, Zot, sa vonë,-tha ajo dhe nisi vrapimin kundër kohës… Hapi rrëmbimthi dollapin dhe nxori të parën që i zuri dora, një fund të zi dhe një bluzë me lulka të vogla. I veshi shpejt e shpejt, thau rrëmbimthi flokët dhe kaloi kremin në fytyrën akoma të skuqur nga uji i nxehte… Një buzëkuq të lehtë rozë dhe veshi pardesynë e errët që e tregonte me klas… Mori çantën dhe zbriti me vrap shkallët e pallatit. Donte të arrinte në kohë atje, sepse kurrësesi nuk duhej të bënte figurë të keqe. Projekti që kishte përgatitur ajo ishte shumë i rëndësishëm, jo vetëm për karrierën e saj, por edhe për por edhe për shoqatën që ajo drejtonte. Për fatin e saj të mirë në rrugë nuk kishte shumë trafik dhe ajo mundi të arrinte në kohën e duhur… Tek po merrte ashensorin, u pa edhe një herë në pasqyrë. Edhe pse nuk pati shumë kohë që të përgatitej, ajo përsëri mbeti e kenaqur nga vetja dhe luku që kishte zgjedhur.

U hap dera e ashensorit dhe ajo u gjend përballë me një zotëri shume elegant. Jo vetëm në veshje, por në tërësi. Këtë përshtypje i dha asaj…

– Buongiorno, sono, Sara Nano e ho un appuntamento con console, – tha ajo me nje italishte te bukur.

Zotëria buzëqeshi dhe, me një galanteri që vetëm një italian di ta përdorë, e ftoi të ulej… – Ju lutem, një dokument indetiteti dhe projektin për të cilin do të flisni me konsullin, – i tha ai. Sara hapi çantën të kërkonte kartën e identitet e u kujtua që, nga shpejtësia, kishte harruar dosjen në shtëpi… Ngriti sytë dhe e skuqur në fytyrë, i zgjati kartën e identitetit dhe mërmëriti:- Më falni, unë kam harruar dosjen në shtëpi…

Ai qeshi dhe, me zhdërvjellsinë e një kavalieri, thirri sekretaren. – Ema, të lutem shoqëroje zonjën në zyrën e shefit e të shohim ç’mund të bëjmë për të. – Urdhëroni, – bëri me dorë sekretarja nga një zyrë e madhe ovale, ku nga dritaret e mëdha vinte një drite e bukur pranvere që po trokiste në prag.

-Urdhëroni e uluni,-i tha sekretarja, duke bërë me dorë nga një karrige. Sara u ul dhe po mendonte çfarë mund t’i thonte konsulli për mungesën e dosjes…

U hap dera dhe u shfaq përsëri ai zotëria, i qeshur dhe shumë elegant… – Meqenëse konsulli sot ndodhet jashtë qytetit, do ta zëvendësoj unë, tha ai. Pastaj u prezantua:-Antonio, zëvendëskonsulli, -buzëqeshi përsëri ai.

-Sara Nano, drejtoj një shoqatë të gruas, që quhet “Vishu me kurajo”.

-Komplimenti. Atëherë, meqenëse nuk kemi këtu dosjen për bashkëpunimin tuaj, ju lutem më tregoni çfarë mund të bëjmë ne për t’ ju ndihmuar.

Sara mori frymë lirisht. Antonio po tregohej shumë i mirë me të, duke ia hequr sikletin e mungesës së dosjes. Asaj i mjaftoi kjo për të filluar të fliste me shumë pasion për gruan, për vështirësitë e saj, për ndihmën e madhe që shoqata e tyre u jep grave… Antonio e dëgjonte me vëmendje dhe herë pas here pohonte me kokë… – Dëshiroj të organizojmë një mbrëmje beneficenze, në të cilën vetë gruaja të jetë protoganiste, – vazhdoi Sara, duke folur me pasion për gruan piktore, këngëtare, autore…

-Ok, e kuptoj iniciativën tuaj të rëndësishme,- e ndërpreu, Antonio, por si thua, sikur të kemi edhe dosjen tuaj e kështu jemi në rregull edhe nga ana burokratike? Si mendon, sikur të vini nesër dhe të na e sillni, mund t’ ia lini edhe sekreteres…

Sara pohoi me kokë dhe u ngrit nga karrigeja, duke marrë çantën.

-OK, a domani ateherë, -tha Antonio, me atë theksin e tij tipik jugor. Ah, complimenti edhe për lukun, zonj… Sara buzëqeshi dhe e falënderoi me kokë, duke ndjerë t’i skuqeshin mollëzat e faqeve. Zbriti në rrugë, era e lehtë e marsit të sapohyrë i përkedheli flokët, fytyrën. Ajo ishte e kënaqur, mendonte që projekti i saj në bashkëpunim me një ent kaq të rëndësishëm sigurisht do të kishte frute pozitive. -Duhet t’ia them shpejt Irisit, mendoi ajo, duke u drejtuar për nga makina.

Gjatë ditëve që pasuan Sara pati edhe disa takime të tjera për të detajuar më mirë mbrëmjen dhe çdo gjë tjetër në mënyrë që të gjitha gjërat të shkonin sa më mirë. Sara kishte menduar mirë që çdo grua pjesëmarrëse atë natë të ndihej protagoniste, duke recituar një poezi, duke kënduar diçka, duke ekspozuar një pikturë, duke lexuar etj.

*   *   *

Atë mbrëmje çdo gjë ishte perfekte, gratë ishin më të bukura se kurrë, punonjësit e konsullatës shumë të sjellshëm, lulet, kompleksi muzikor me një repertor fin, kateringu dhe çdo gjë tjetër ok. Vetëm Sara ishte pak nervoze, por në situata të tilla është normale.

-Sei proprio un incanto stasera,- dëgjoi një zë nga pas. U kthye me një buzëqeshje në buzë. Përballë saj, me një vështrim të thellë e domethënës ndodhej Antonio. Ajo buzëqeshi dhe e falënderoi duke u skuqur përsëri. Sa herë që Sara ndeshte shikimin e tij, skuqej. Edhe gjatë javës që po përgatiteshin per mbrëmjen, ajo e kishte takuar disa herë atë dhe ishte ndjerë po kështu.

Mbrëmjen e hapi konsulli, i cili falënderoi shoqatën e grave “Vishu me kurajo” për projektin dhe idetë e ecurisë së mëtejshme të saj.Pastaj e mori fjalën Sara, e cila foli për punën dhe vështirësitë e kësaj shoqate, për qëllimin e objektivat e saj dhe nuk harroi të falënderonte edhe konsullatën për ndihmën dhe mbështetjen konkrete.

U krijua një moment pauze e pastaj organizatorët bënë që çdo grua të ndihej vetvetja… Sara kishte dalë në tarracë për të shijuar disa momente paqje, pas lodhjes së atyre ditëve në përgatitjen e mbrëmjes. Ishte e përhumbur me shikimin që nuk dinte as vetë ku e kishte hedhur, mbase në boshllëk. Dëgjoi mbrapa saj disa hapa të lehtë…

– Është freskët, – degjoi zërin e Antonios, i cili po i zgjaste një gotë me prosecco.

– Ohh faleminderit, jeni shumë i sjellshëm, nuk e fshehu gëzimin Sara për këtë surprizë që i pëlqeu.

– Posso brindare alla più bella dona di questa sera?,- vazhdoi Antonio dhe trokiti gotën me atë të Sarës.

– Gëzuar! Dhe ju faleminderit edhe ju Antonio për ndihmën tuaj… Vërtet jeni njeri shumë i mirë dhe xhentil,-shtoi. Nga salla vinin tingujt e këngës së Ramazzottit “Sei un pensiero speciale”, këngë që Sarës i pëlqente shumë. Ajo ngriti sytë dhe pa që Antonio ia kishte ngulitur vështrimin si për të konfirmuar atë që thonte kënga…

– Bën ftohte këtu, futemi brenda, – tha Sara dhe, pa pritur që Antonio ta ndiqte, me zhdërvjelltësi humbi në mes të njerëzve.

Atë natë vështrimet e tyre u ndeshën shpesh. Madje ai disa herë e ftoi edhe për të vallëzuar…Ajo rrotullohej në krahët e tij e ndihej e lehtë sikur fluturonte mbi notat muzikore. Ishte një mbrëmje e bukur, nga ato që nuk mund të fshihen lehtë nga memoria. Sara ndihej mirë dhe ishte shumë e kënaqur, lumturia i lexohej në sy tek shikonte që gratë atë natë i kishin harruar problemet e tyre dhe ndiheshin disi ndryshe.

*   *   *

Ditët kalonin dhe Sara ishte zhytur e tëra në rutinën e përditshmërisë, gjithë ditën e kalonte thuajse në karrike duke punuar në kompiuter. Koha kalonte dhe ajo gati e kishte harruar mbrëmjen e këndshme me gratë në kosullatë, e cila ishte pasqyryar edhe në gazetat e kanalet TV më të rëndësishme të vendit. Atë mëngjes marsi, tek po shkonte në punë sytë iu ndalën te disa lule kumbulle që sapo kishin çelur nëpër parkun nga po kalonte. Pranvera nuk do të vonojë të vijë, mendoi ajo dhe një gëzim prej fëmije e mbuloi. Filloi të mërmëriste vargje të një kënge dhe as vuri re që dikush po e thërriste nga pas…

– Sara, Sar… Të kam lënë kaq përshtypje të keqe sa nuk na saluton më?

Ktheu kokën. Ishte Antonio, që po i fliste me të qeshur.

– Ohh, më fal, u skuq e tëra Sara,- nuk ju vura re.

– Sigurisht, ju ka rrëmbyer pranvera,- vazhdoi ta shpotiste ai.

– Sinqerisht sot kam pak kohë të lirë deri sa të hyj në punë dhe thashë të shëtis pak me që është ditë e bukur.

-Paskemi patur të njëjtën ide,- tha ai,- po të duash bëjmë disa hapa bashkë.

-Ëhë, pohoi ajo me kokë, -sigurisht po.

Ata filluan të ecnin të dy në krah të njëri-tjetrit sikur të ishin miq prej kohësh. Nisën të flisnin për punën, kujtuan sërish aktivitetin e asaj nate e për të tjera aktivitete që mund të organizonin për të ndihmuar shoqatën e gruas. Biseda mes tyre ishte aq e lirshme sa për një moment Sara u mbështet mbi supin e tij dhe e zuri për krahu.

Antonio bëri sikur nuk e vuri re, por u drodh i tëri. Dukej haptazi që kishin filluar ta pëlqenin njëri-tjetrin. Pa e kuptuar kishin përshkuar gjithë parkun dhe kishin marrë rrugën për t’u kthyer…

– Në atë barin aty lart, tregoi me kokë Antonio,- bëjnë kafenë më të mirë të qytetit, duke vështruar katin e sipërm të një banese…

– Në fakt një kafe do ta pija me shumë dëshirë. Pastaj a mund të refuzohet kafeja më e mirë e qytetit? Edhe unë këtu banoj por nuk e dija këtë lokal,-tha Sara. Ashensori u mbyll dhe ata u gjendën sakaq në katin e fundit. U ulën në tarracë, rrezet e diellit Iuanin mbi fytyrat dhe dukej sikur gjithë qyteti ishte nën këmbët e tyre. Porositën kafe dhe ujë natyral e përsëri filluan të flisnin këtë radhë për vend lindjen e Antonios, për punën, për dashurinë që kishte ai për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dukeshin si dy persona të dashur, që kishin qenë larg njëri-tjetrit per disa kohe dhe tani po rigjendeshin. Në një moment Antonio vuri dorën mbi dorën e Sarës dhe ajo ndieu të digjej e tëra. Një mesazh në telefonin e Antonios e nxori nga situata.

– Ndonjë shoqkë,- qeshi Sara.

– Joo,- buzëqeshi Antonio dhe e fiku telefonin. Me këtë gjest dhe me sy kërkonte t’i thonte që nuk e kupton, unë dua të rri vetëm me ty…..

– Sa vonë, brofi ajo,- më duhet të iki patjetër, kam lënë takim me një grua dhe duhet të jem patjetër…

Antonio mbeti si i pezmatuar nga kjo ikje e shpejtë e saj dhe duke e vështruar gjatë në sy, i tha:

– Si thua, të drekojmë sëbashku këtë fundjavë, dmth nesër?

– Ok,- tha pa u menduar shumë Sara, – më shkruaj për orën dhe ku do të takohemi… Ajo e puthi lehtë në faqe dhe Antonio mbeti si i shastisur nga mënyra se si kjo femër e hipnotizonte…

E nesërmja erdhi shumë shpejt. Sara ishte veçanërisht e bukur atë ditë, kishte veshur një fustan jeshil që nxirrte në pah mirë linjat e trupit. Kur zbriti nga makina pa që Antonio ishte aty dhe, si kavalier i vertetë, i zgjati një tufë me lule dhe e puthi në faqe.

-Queste fiori non rendono giustizia alla tua bellezza,- tha ai. Sara u drodh lehtë dhe, e hutuar, e puthi përsëri, por kësaj here puthja ishte më shumë se falënderim. U drejtuan në lokalin që kishte zgjedhur Antonio dhe, sapo u hap dera, Sara dëgjoi këngën e Ramazzottit “Sei un pensiero speciale”… Ajo shikoi Antonion, ai i shkeli syrin dhe tha që ishte vetëm një koinçidencë,por Sara e kuptoi që nuk ishte ashtu. Megjithatë i erdhi mirë. U ulën dhe porositën për të ngrënë, zgjodhën dhe një verë të mirë italiane që prodhohej në vendlindjen e Antonios.  Antonio, da uomo di altri tempi, bëri që Sara atë ditë të ndihej e vetmja grua në botë… Herë pas here i hidhte vështrime të ëmbla, duke i servirur verën, dhe, ndërsa i shërbente, i ledhatoi dorën. Sara u skuq e tëra, por nuk u tërhoq…. Vazhduan të drekonin dhe të bisedonin për gjithçka, për stinën e re, për punën, për tema të ndryshme dhe të dy ndiheshin si dy adoleshentë…. Ndërsa po mbaronin drekën, Antonio e falënderoi Sarën për shoqërinë dhe e puthi lehtë, këtë radhë në cep të buzës… Ajo uli sytë, por në fakt ndjeu që i pëlqeu shumë. Paguan dhe me afërsinë e një çifti normal dolën nga lokali. Vazhduan të ecnin në krah të njëri-tjetrit dhe qeshnin për çdo gjë që thonin. Sara, jo vetëm nga efekti i verës, por edhe nga afërsia e këtij djaloshi që e tërhiqte gjithnje e më shumë ndihej si në ajër. Antonio ndaloi në një dyqan lulesh dhe bleu disa trëndafila të kuq.- Lule për lulen,- qeshi ai dhe i futi përsëri krahun.

Sara ndihej mirë në shoqërinë e Antonios. Me kalimin e ditëve gati ndihej në faj për lumturinë e saj. Ajo punonte e ndihmote ato gra që ishin të pa fat, ndërsa ajo ishte aq e lumtur…

U takuan edhe disa herë të tjera me Antonion, folën për projekte të tjera me konsullatën dhe historia e tyre shkonte shumë mirë, dëgjoheshin disa herë në telefon, madje Antonio i kishte bërë edhe premtime të rëndësishme…

*   *   *

Kishte më shumë se dy ditë që Antonio nuk ishte bërë më i gjallë. Në sms e fundit i kishte shkruar Sarës se do shkonte një fundjavë në Itali që të shikonte familjen. Ai kishte shkua edhe herë të tjera, por i kishte shkruar që aty. Kurse këtë radhë kjo heshtje misterioze… Kishte diçka që nuk shkonte. Gjithësesi ajo mundohej të gjente ndonjë justifikim… Provoi t’i telefononte ajo, por telefoni i tij rezultonte i pakapshëm. Ajo filloi të shqetësohej. Çfarë mund të kishte ndodhur?

Në një moment ngriti telefonin dhe formoi numurin e konsullates.

-Pronto,- u përgjigj një zë nga ana tjetër.

-Buongiorno, jam Sara, kërkoj Antonion,-tha ajo.

-Mi dispiace, zonjë, -ia ktheu zëri nga ana tjetër.- Antonio nuk punon më këtu,e kanë transferuar në një shtet të Amerikës Latine. Më vjen keq. Mirupashim zonjë.

Sara u zbeh dhe i mbeti telefoni në dorë. Çfarë?- mërmëriti. Si ka mundësi? Ai më kishte premtuar shumë gjëra… Qau shumë atë natë, nuk mund ta besonte. Tani kuptonte më mirë çdo të thotë që një femër të jetë përdorur në këtë mënyrë nga një burrë. Sepse violenza nuk ka vetëm një fytyrë dhe ajo edhe në sferat e larta mund të shfaqet, mbase në mënyrë më të sofistikuar dhe e mbuluar me mirësjellje…

Erdhi mëngjesi dhe e gjeti pa vënë gjumë në sy. Por ajo u ngrit me një vrull e vendosmëri që nuk ia kishte njohur më parë vetes. U vesh dhe u trukua bukur dhe u ndal para pasqyrës. -Sara, ti duhet t’ia dalësh vetë e të bëhesh shembull edhe për të gjitha femrat e tjera,- i tha vetes. Doli në rrugën e gjerë, ku një erë e freskët ia përkëdheli flokët. Ajo i buzëqeshi ditës së re, mori makinën dhe vuri një muzikë gazmore. Makina humbi në vargun e gjatë të mjeteve që shkonin në punë e që i përcillte asaj mesazhin se jeta vazhdon e sjell çdo ditë motive të reja e të bukura për ta jetuar atë…

Please follow and like us: