Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: PUNA, NDERI, FAMILJA DHE SHTETI!

Në ditët e sotme fjala punë, nder, familje dhe shtet kanë marrë tjetër rrugë dhe drejtim.
Është në nderin e njeriut të respektojë familjen. Është në moralin e familjes të ruaj nderin dhe dinjitetin. Është familja ajo që edukon me ndjenjën e punës dhe të nderit brezat që trashëgojnë origjinë dhe prosperitet. Po shteti, si operon në këtë zinxhir, i cili nuk duhet të këputet, por të qëndrojë i fortë dhe i pathyeshëm pavarësisht kohërave që shkojnë e vijnë?
Në formimin e brezit të ri guxojmë, por edhe frikësohemi. Guxojmë drejt vlerave dhe frikësohemi ndaj antivlerave. Por pyetja që ngre çdo prind në këto kohë është: a kemi frikë për të ardhmen e fëmijëve tanë? Apo jemi imunë ndaj çdo ndryshimi me të cilin na përball jeta?
Nuk jemi brezi i adoleshentëve që rriten me formim teknologjie, por përshtatshmëria është çështje intelekti.
Intelektualët mësohen me gjuhën e teknologjisë. Shtresa e mesme mundohet të kapë atë që nuk e kupton. Shtresa e varfër vështron e nuk kupton. Kjo analizë i përket kujtdo që e gjen veten brenda saj.
Megjithëse intelektuali e ka më të lehtë përshtatshmërinë, asnjëherë nuk mund të themi, se gjuha e teknologjisë është e lehtë dhe jo e vështirë. Marrim një shembull: Dy intelektualë që sfidojnë një fshatar do të thotë: dy minus një. Por në rast se një fshatar sfidon dy intelektualë do të thotë: një minus dy. Rregull i artë është të pjestosh dy me një, por rezultati është i njëtrajtshëm edhe për, një pjestim për dy, që do të thotë:
Nëse gjuha e teknologjisë është e njëjtë si për intelektualin ashtu edhe për fshatarin, atëherë njerëzimi ende nuk e ka kuptuar se, TEKNOLOGJIA ËSHTË E PAMËSHIRSHME PËR TË GJITHË, PA DALLIM! Detyra e çdo njeriu është të përballet me vështirësitë që krijon teknologjia, sepse si për intelektualin që ushqehet me gjuhën e teknologjisë, ashtu edhe për shtresat e mesme apo të varfra, ka ardhur koha, ku teknologjia do të depërtojë në çdo qelizë të jetës së tyre, duke transformuar kështu jetën drejt një etape të re, atë të diktatit dhe jo të pavarësisë.
Dallimi nuk mund të kryhet nga dëshira, por nga imponimi që po i bëhet çdo qenieje njerëzore, për ta futur në grackën e mendimit dhe të perceptimit teknologjik, duke anashkaluar atë liri mendimi dhe ndjesie, e cila nuk mund të zëvendësohet për sa kohë ekziston Krijuesi i krijimit, i ekzistencës së krijimit.
Të luash me mendimin se jemi të pavarur në këto kohë është papërgjegjshmëri njerëzore, sepse varësia po bëhet ushqim vrastar për çdo lloj moshe. Mënyra e ekzekutimit të kësaj lloj varësie, është imponimi i saj në çdo kohë dhe orë të ditës.
Nëse një shoqëri është e ekspozuar ndaj varësisë, atëherë duhet të kuptojmë sa nuk është ende vonë, se rreziku ka hyrë brenda shtëpive tona, dhe po na përze nga shtëpia jonë duke na rrokullisur drejt humnerave të panjohura më parë nga ne.
Të luftosh mendimin e lirë njerëzor, është kundërshti e hapur dhe e mbrapshtë ndaj lirisë që sjell mirëqenie dhe zhvillim.
Të burgosësh ndjenjën e lirë njerëzore, është luftë e hapur me forcat e errësirës.
Të kuptosh dallimin mes këtyre dy fakteve reale dhe të qënësishme në jetën tonë të përditshme, është detyrë për çdo njeri që jeton dhe merr frymë në liri ekzistence.
Nëpërmjet punës dhurojmë më të mirën e vetes sonë, duke u shpërblyer për atë çfarë japim dhe marrim. Nderi i njeriut është të kuptojë dhe të pranojë, se bashkëekzistenca sjell mirëqenie materiale dhe shpirtërore, duke zbatuar rregulla të cilat forcojnë familjen dhe e ndihmojnë atë të fuqizohet në çdo kohë dhe përballë çdo sfide. Pararojë dhe mbështetje bëhet vetë shteti, i cili me fuqinë e tij ndihmon dhe zhvillon çdo kategori shtetasi, i cili në mënyrë koherente bashkëvepron me çdo qelizë të shtetit, si institucionale ashtu edhe shpirtërore. Me anë të kësaj analize mund të kuptojmë, si merr rrugë dhe zhvillim familja kur mbështetet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga hallkat zinxhir që e lidhin me shtetin dhe funksionin e tij. Nëse ky bashkëpunim çalon, atëherë rreziku është tepër i madh, që funksionimi midis shtetit dhe shtetasve të tij të bëhet rrezik duke cënuar vetë familjen dhe nderin e saj, punën e çdo individi, duke rrezikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë brezin e ri, i cili sot gjendet i varur në duart dhe thonjtë e mprehtë të teknologjisë, duke shitur gjithçka me vlerë që kemi dhe zotërojmë nga vetë Krijuesi ynë.
Nëse nëpërmjet kësaj analize kam dashur të shpreh sadopak shqetësimin që na bashkon në jetën e përditshme, e bëj sepse humnerën e kemi nën këmbët tona. Nëse nuk e shohim, quhemi qorra me sy në ballë.
Të ruajmë fëmijët tanë, nderin e familjeve tona dhe vetë familjen tonë, është këmbanë alarmi që duhet të buçasë nga çdonjeri prej nesh.
Të ruhesh nga i keqi, është detyrë e përditshme dhe jo e përkohshme.
Të kuptosh rëndësinë e lirisë është inteligjenca më e madhe që ndriçon mendjen e çdo njeriu pa dallim.
Të kuptosh rëndësinë e të jetuarit në liri, është domosdoshmëri jetike që na bën krijesa të lira në ekzistencë.
Jeta vazhdon…
28 qershor 2023.
Please follow and like us: