Albspirit

Media/News/Publishing

Shenja dhe simbolika jetësore e mungesës dhe mallit në një poezi të Kadaresë

 

Emi Krosi

Të kuptosh apo imagjinosh mjë tekst kënge, apo një poezi hit ose disa vargje që mund të vërshëllehen nga persona të panjohur, në një çast pritjeje, besimi, malli, mërzitjeje, në çastin e një kohe me shi, në çastin kur në rrugë kalon një vajzë e bukur, apo kur në një cep të një kafeje, i/e vetmuar, sodit dhe numëron pikat e shiut, koha dhe hapsirat, herë ngushtohen dhe here zgjerohen dhe ashtu në formë përsiatëse duke menduar, kujtohesh për mallin apo mungesën e një të dashuri/të dashure përmes poezisë “Mall” (Kadare: 2003: 75). Papritur një:

– vramendje për ca pika shiu,

– përsiatje e shiut mbi qelq,

– paradigmë e beftë e mallit.

Rrafshina e qelqit dhe rënia e shiut janë ‘parimi i realiteti’, ku qenia njerëzore i nënshtrohet shtypjes, që Frojdi e quan ‘parimi i kënaqësisë’ përmes mallit, ku heroi lirik ‘kundron’ nga kënaqësia, si represion i një ‘gjendjeje psikoze’, ku lidhja ndërmjet ego-s dhe botës së jashtme shpërthen me pavetëdijen, nga ku fillon të ndërtohet dhe krijimi i një realiteti alternativ (Eaglenton: 1996: 140).

Ca pika shiu ranë mbi qelq.

Për ty unë befas ndjeva mall.

Jetojmë të dy në një qytet,

Dhe rrallë shihemi sa rrallë.

Edhe m’u duk pak e çuditshme

Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.

Qiejt e ngrysur pa lejlekë

Dhe shirat pa ylber në mes.

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit

Seç m’u kujtua sot për dreq:

‘Të zgjuarit janë bashkë në botë,

Kurse të fjeturit janë veç’.

Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,

Që dot s’po zgjohemi vallë?…

Ca pika shiu ranë mbi qelq

Dhe unë për ty seç ndjeva mall.

Mall, 1967.

Kjo poezi në dukje si poezi malli dhe mungese, dashurie dhe pritje, me nënshtresë lirike dashurore, sendërtohet shprehësia artistike, ku si element kyç është gjuha shenjore metaforike dhe simbolike, një lloj tëhuajëzimi përmes konceptit individualist, se “individualizmi” është konfiguracion ideologjik modern (Dumon: 1997: 18). Kjo poezi ndërtohet mbi bazë të këtyre topikave:

topika e shenjës së shiut: shenjat e natyrës, si shiu, është një shenjë që shihet si simbol, jo thjesht një dukuri e natyrës, por shiu është shenja që përdoret si dukuri ujore (Avdyli: 2012: 177). Shiu në vetvete përfaqëson: vetmi/mall/pikëllim/dashuri/pritje. Shiu si pikë: ca pika shiu…, rrjedhja përmes pikave të shiut lidhet edhe me elemente të simbolit kryetipor të natyrës dhe përfytyrimeve apokaliptike biblike (Fraj:1990 :194). Simbolika e ujit ka po ashtu katër aspekte ciklike të ujit, si katër periudhat e jetës, (rinia, pjekuria, pleqëria e vdekja) shiu/uji është një dukuri natyrore që rilind jetën, por edhe si pastrim moral dhe katarsis, apo si pagëzim, që për besimi e krishterë/ortodoks simbolizon rilindje dhe pastrimin emocional nga Gjon Pagëzori.

 

topika e shenjës së mallit: konsumimi i mallit, nuk është vetëm një topikë malli për një të dashur, por përmes mallit lëviz Uni poetik në dy dimensione: kohë/hapsirë. Koha subjektive në tekstet poetike është një ndeshje mes fenomenit si “moment i të tashmes” dhe përfitimit të kohës së katërt, që quhet “dimension i katër prustian” (Rugova: 2005: 8), përmes vargjeve: për ty unë befas ndjeva mall. /Jetojmë të dy në një qytet, /Dhe rrallë shihemi sa rrallë. Qytetit = mallin + shiun + mostakimi. Nëse malli është lexuesi emplicid për autorin, shiu është lexuesi ekplicid i ‘ndalesës’, ‘mungesës’. Bota jetësore sipas perceptimit të mallit, nuk është e njëjtë me realitetin subjektiv, dhe që përceptohet nga subjekti invidual jo vetëm i mungesës por edhe i teprisë së vetes që lidhet me (mërzitjen/dyshimet/vetminë/pritjen/ vonesën/kujtimet) për kohën studentore, të dashurat e huaja etj. Transformimi në kohë, apo siç njihet në kritikën letrare “arratisja prej kohës”, shtrihet mëpërtej betejës ekzistenciale për të mbetur dhe jetuar (Cani: 2010: 37).

Por dimensioni kohor (Zhenet: 1985: 56), ku S/Z e Bartesit, nuk e “ndryn” kohën Sosyriane të “lexuesit model” të Eco-s, na kumton këto përmasa shenjore, që janë:

a) shenjat e kohës: [kjo vjeshtë/ ky mëngjes.],

b) shenjat e shpendëve: [pa lejlekë],

c) shenjat kozmike[qiejt e ngrysur ],

d) shenjat e fenomeneve të natyrës: [dhe shirat/ pa ylber]

Malli, vizaton dilemën, mungesën dhe kujtesën a) të kohës së shkuar, b) të kohës reale, c) bashkëkohësisë, të mërzitjes, vetmisë, pritjes, habisë, ankthit, shpresës. Pikat e shiut vizatojnë imazhin dhe mirazhin e një femre përmes [malli/mallrave(shumës)], pse jo dhe të kufijëve mes nesh dhe të tjerëve, mes Shqipërisë dhe Kosovës këtej dhe andej Drinit. Një receptim i plotmërisë së imazhit të figurës së pasqyrës ku dokudo ‘vizatohet’ dhe vetvetja.

-topika e shenjës së qytetit. Qyteti pa emër. Qyteti dhe kryeqyteti, hapsira gjeografike dhe kontinentale (që kumton largësinë). Qytete të reja dhe të vjetra, qytete muze dhe moderne, qytete depresive me pak hapsira, qytete të zhurmshme dhe të qeta, qytete të njohura dhe ato të harruara, që vijnë pas kronologjisë së zhvendosjes në strofën: dhe thënia e vjetër e Heraklitit /Seç m’u kujtua sot për dreq: /’Të zgjuarit janë bashkë në botë,/Kurse të fjeturit janë veç’. Kjo thënie ju kujtua në qytetin X, duke e vendosur në planin e kontrastit dhe në planin e shprehjes, bashkë me planin e përmbajtjes, bashkëlidhet edhe në marrëdhënie figuraliteti gjysmësimbolike, permes thënies/fjala (shenjëzim biblik: e para ishte fjala: dhe thënia e vjetër).

QYTETI = HAPSIRË + DISTANCË FIZIKE +RUTINA+ MONOTONI+ MEFSHTËSI, perms vargut: [rrallë…sa rrallë]

FJALA = lidhet me nënvetëdijen e heroit lirik (IDI) dhe vetëdija përmes kujtesës (Uni) NËNDETËDIJA (IDI)

FJALA [THËNIA E VJETËR E HERAKLITIT]

VETËDIJA, (UNI): [të zgjuarit janë bashkë në tokë/ kurse të fjeturit janë veç], subjekti letrar në njohurinë dhe (vetë)sigurinë e tij, vetë- vetëdija mund të krijohet si çlirim i njeriut ndaj vetvetes (Kant: 1980: 43). Qëndresa në gjumë është trullosja kolektive e ndarjes së truallit shqiptar në dy pjesë dha pamundësia për mosreagim. Kjo lloj mefshtësie del perms vargut: kurse të fjeturit janë veç. Edhe pse ka rimarrje ose përsëritjen e vargut, nën ritmin e kohës duket si një frymënxjerrje pas vrapimit drejt të panjohurës, ku takimet me të njohurit po rrallohen (ndoshta edhe ndalesa estetike e disa poezive të poetit) apo edhe ‘largimi’ i miqve të tij për hir të moskuptimit për letërsinë):

a) për kohën ku të gjithë ruheshin dhe kontrolloheshin,

b) për frikën e manipulimit të së vërtetës,

c) shmangia nga realiteti,

d) krijimi i një realitet të ri mungese, pritjeje dhe mërzie. Personifikimi i simbolizmit të vërtetë, me përdorim të bollshëm të metaforës simbolike, mbi të gjitha “simbolet dominuese” përmes shprehjes, që karakterizon vetë letërsinë si “differentiae”. Vetë simboli, në këtë poezi është “i fshehur”, që nënkuptohet nga operimi i studiuesit në tekst. Simboli i qytetit, here sendërton dhe shprish, trajtat e mirazheve reale, me detaje të ftohta, të një trajektoreje gjithëkohore të zhvillimeve sociale dhe shoqërore, sidomos në mbipopullimin e kryqendrave (kryqyteteve), si aftësi të lidhura në mënyrën specifike dhe me perceptimin ndjesor të poetit:

– qyteti si metaforë njerëzore: (për ty unë befas ndjeva mall)

– qyteti si metaforë e papërcaktuar: (ndodhemi në një qytet/ Dhe rrallë shihemi sa rrallë.)

– qyteti si qenësi fizike/kohore: (si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes),

– qyteti si qenësi natyre: (qiejt e ngrysur pa lejlekë/…/ Dhe shirat pa ylber)

– qytetet si shenjë semiotike: (ca pika shiu ranë mbi qelq).

topika e shenjës së ëndrrës, vjen nëpërmjet vargjeve: në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq, /Që dot s’po zgjohemi vallë?… teoria frojdiane e interpretimit të ëndrrave, si projeksion i ndrydhjes së jetës së përditshme, se nuk ndodh e njëjta gjë me raportin e përjetimit dhe unit (Elio: 2020), shoqërohet me një pyetje retorike. Pse? Bota jetësore sipas percetimit, nuk është e njëjtë me realietin subjektiv, një realitet i përjetuar dhe përceptuar nga subjekti individual, ajo që poeti e tejkalon përmes vargjeve; të Heraklitit: [ jeta / vdekja vs malli / pritja]. Përsëritja e dyvargorit të parë në fund: ca pika shiu ranë mbi qelq /Dhe unë për ty seç ndjeva mall, fuqizon edhe më shumë mungesën, tashmë një mungesë poetike… ndoshta gjysmëshekullore. Metafora/metonimia e mungesës është e qëllimtë. Vargu: në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq, është semiotika e ligjërimit onirik, apo njihet si gjendja e “jermit” të vazhdueshëm, që e zotëron qenien e tij dhe luan me vetëdijen e tij, për të arritur çlirimin nga vetia, nga personalja dhe bërja gati e trupit dhe e mendjes për gjendje të reja. Tofjalëshi: kemi rënë kaq keq, vetëdija e tij është e mpirë, se modeli rrëfimor poetik, endet mes agonisë, “gjumit dhe zgjimit” si një procedim i qëllimshëm ose jo, me strategji të gjendje së dikotomisë së ëndrrës dhe arsyes (Fromm: 2002: 43). Poezia ka një “harmoni” përmes autorit dhe situatës së tij shoqërore, si dhe përzierja e botës së natyrshme, dhe lidhja e një figure fizike si: shiu/qelqi (xhami) në formë katakreze, na jep një “metaforë mase”, ku raporti midis Unit të tij dhe Tjetrit si “përvojë poetike”, përcakton edhe marrëdhëniet përmes mënyrave të perceptimit të objektives dhe subjektives poetike. Poezia është një katrenë me formë vargimi [abab] me dominacë të rrokjes polisilabike dyrrokëshe [pi/ka /rra/llë], trerrokëshe [shi/he/mi etj.]

Së fundmi: shumë studiues që kanë rrokur dhe dekoduar poetikën e Kadaresë, madje deri në përimtësim, secili ka një qasje apo një këndvështrim për një poezi kaq unike, ku lexuesit shqiptarë e kanë si motiv të çdo dite, apo edhe si motiv për mesazhe dashurore. Uni lirik dhe uni poetik rrëmbimthi marrin dhe japin mes vetes, të rrokshmen dhe të parrokshmen, të madhërishmen dhe të pamjaftueshmen e misionit të një poeti, që rreket të hirnojnë mendjet e lexuesit të pakohë. Një poezi që saora udhëton… udhëton drejt ardhmërisë dhe mbetet si perla e gjithë arsenalit poetik shqiptar në të gjitha kohërat.

BIBLIOGRAFIA

  1. Avdyli, Merxhan. (2012): Poezia e Ismail Kadaresë – Format, Shenjat, Figurat, Prishtinë.
  2. Cani, Defrim. (2010): “Dielli i vështirë” dhe koha e poezisë, “OMBRA GVG”, Tiranë.
  3. Dumont, Louis. (1997): Ese mbi individualizmin, “Korbi”, Tiranë.
  4. Eagleton, Terry. (1996): Literary Theory An Introduction: University of Minnesota Press.
  5. Elo, Arb. (2020): Shi dhe qelq: mbi poezinë “Mall” të Kadaresë, “ExLibris”, Tiranë. https://exlibris.al/shi-dhe-qelq-mbi-poezine-mall-te-kadarese/
  1. Fraj, Northon: (1990): Anatomia e kritikës, përkth: Avni Spahiu, “Rilindja”, Prishtinë
  2. Fromm, Eric. (2002): Psikoanaliza dhe feja. Përkth: Afërdita Stefani, “Plejad”, Tiranë.
  3. Genette, Gerar. (1980): Narrative Discourse: An Essay in Method. Cornell Universiteti Press, Ithaka, New York.
  4. Kadare, Ismail. (2003): Ca pika shiu ranë mbi qelq, “Onufri”, Tiranë.
  5. Kant, Emmanuel: (1980): The Critique of Judgement, Trans. James Meredith, Oxford: Oxford University Press.
  6. Qosja, Rexhep. (2005): Shkrimtarë dhe periudha, Akademia e Shkencave, Tiranë.
Please follow and like us: