Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Lulushi: Kur Roma qeverisej nga jo-italianë

Pasi Kaligula u vra në vitin 41 nga kreu i gardës pretoriane, Cassius Chaerea u arrestua dhe u dënua me vdekje. Kërkesa për të vdekur mbi shpatën e tij iu pranua. Kjo ishte “hakmarrje e ëmbël” për ‘të.
Chaerea mund të shihet edhe si tradhtar edhe si hero. Ai e tradhtoi betimin për të mbrojtur Perandorin e Romës, por i dha fund sundimit të tiranisë. Chaerea njihej edhe si bashkëluftëtar i gjeneralit iliro romak Bato Deasitiati, para se ky të kalonte në anën e ilirëve në rebelimin e njohur si lufta e Batos kundër romakëve në vitet 6 – 9.
Përveç Chaereas, burimet romake nuk përshkruajnë sa komplotistë kishte, identitetin e tyre, sa u arrestuan dhe as dënimin e tyre kur u kapën. Komploti ishte me sa duket një nga shumë përpjekjet për të eliminuar perandorin Gaius (Caligula), djalin e Germanicus, dhe linjën e fundit të gjakut me Jul Çezarin.
Gaius ishte një personazh i ndërlikuar. Ndër incidentet më të famshme të mbretërimit të tij ndodhi, kur u përpoq ta bënte kalin e tij senator. Është ende mister pse në mënyrë progresive ai i largoi të gjithë rreth tij, duke përfshirë edhe truprojet.
Kaligula u bë perandor kur ishte 24 vjeç. Një falltar i kishte thënë në mënyrë alegorike se ai do të gjente vdekjen nga kali i tij – Kaligula u vra pas 4 vjetësh nga pretoriani Cassius Chaerea, të cilin e kishte përdorur si kal, duke i hypur në kurriz, kur ishte fëmijë.
Garda e tij gjermane ishte afër dhe me sa duket nuk ishte përfshirë në komplotin e vrasjes. Së bashku me pretorianët, ata kishin gjithashtu përgjegjësi për sigurinë perandorake, por për çfarëdo arsye, nuk ishin në gjendje ta mbronin Kaligulën ose gruan dhe vajzën e tij.
Megjithatë duket se garda gjermane ishte kapur në befasi. Ndoshta të zënë ngushtë nga dështimi, ata u lëshuan duke kërkuar vrasësit që përpiqeshin të fshiheshin. Kërkimi vazhdoi derisa pretorianët, të pa përfshirë në komplot, gjetën rastësisht Klaudin dhe e shpallën Perandor për të shmangur trazirat. Klaudi u bë i pari perandor romak i lindur jashtë Italisë, në Lyon, në vitin 10 pes. Ai ishte i çalë dhe deri diku shurdh, i papërfillshëm, dhe kjo e shpëtoi nga komplotistët. Kaligula kishte qenë nipi i tij.
Suetonius vëren se kur ishte i qetë dhe i ulur, Klaudi ishte një figurë e gjatë dhe me dinjitet. Kur ishte i zemëruar ose i stresuar, simptomat i përkeqsoheshin; belbëzonte, hutohej në fjalimin e tij, llomotiste dhe i rridhte hunda, kur ishte i emocionuar. Seneka thekson se zëri i Klaudit nuk i përkiste asnjë kafshe tokësore dhe se duart e tij ishin të dobëta.
Historianët pajtohen se kjo gjendje u përmirësua me ardhjen në fron. Vetë Klaudi thoshte se i kishte ekzagjeruar sëmundjet për për të shpëtuar jetën e tij. Ai i befasoi të gjithë, duke qëndruar si perandor i Romës për 13 vjet, derisa vdiq në vitin 54.
Garda pretoriane kishte anëtarë të tërhequr nga grupe etnike në të gjithë Perandorinë. Emrat e rojeve krijojnë pak konfuzion. Asnjë nuk përbëhej ekskluzivisht nga gjermanë. Perandorët i besonin Gardës së tyre gjermane më shumë se Pretoriane, sepse ajo nuk kishte lidhje keqdashëse politike ose familjare me fisnikërinë romake. Klaudi gjithashtu hapi rrugën që të tjerë gjeneralë romakë që kishin lindur në vende të huaja – përfshi ilirë – të bëheshin një ditë edhe perandorë.

Please follow and like us: