Vulin diskuton për Kosovën me sekretarin e Këshillit të Sigurisë së Rusisë

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, u takua më 9 shtator në Moskë me sekretarin e Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse, Sergei Shoigu, njoftoi Qeveria e Serbisë.
Sipas njoftimit, Vulin e falënderoi Shoigun për ftesën për pjesëmarrje në takimin e anëtarëve të BRICS-it dhe vendeve partnere, që do të mbahet në Shën Petersburg, nën organizimin e Këshillit të Sigurisë të Rusië.
Samiti i vendeve të BRICS-it (Brazil, Rusi, Indi, Kinë, Republika e Afrikës së Jugut) mbahet nga 22 deri më 24 tetor në qytetin rus të Kazanit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi ditë më parë se do të marrë vendimin për ftesën e dërguar nga homologu i tij rus, Vladimir Putin, për pjesëmarrje në samitin e BRICS-it më 10 ose 15 tetor.
Në takimin midis Vulinit dhe Shoigut, sipas njoftimit, u diskutua për “një gamë të gjerë temash me interes të përbashkët për Serbinë dhe Federatën Ruse”.
Një nga temat ishte edhe situata në Kosovë, dhe Vulin tha në takim se ajo është “në prag të konfliktit”, duke falënderuar Rusinë për respektimin e integritetit territorial të Serbisë.
Javën e kaluar, disa pika kufitare mes Kosovës dhe Serbisë u mbyllën për shkak të bllokadave të vendosura në anën serbe të kufirit. Bllokadat u organizuan fillimisht si përgjigje ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës për të mbyllur institucionet paralele serbe në veri të Kosovës. Por, më 7 shtator pikat kufitare u hapën.
https://www.evropaelire.org/a/aleksandar-vulin-moske-takim-bisede-per-kosoven-/33113414.html