Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Ndikimi ruso – serb në Kosovë

Mediat ruse si RT Ballkan dhe Sputnik Serbia shpërndajnë përmbajtje manipuluese, duke portretizuar serbët e Kosovës si viktima të Perëndimit. Kjo propagandë amplifikohet nga mediat proqeveritare serbe dhe rrjetet sociale ekstremiste e fashiste në veri të vendit. Edhe më shqetësuese është ndërhyrja në zgjedhje, Serbia në mënyrë të hapur, ka ofruar vende pune dhe ndihmë financiare për komunitetin serb në Kosovë, duke ndikuar drejtpërdrejt në procesin zgjedhor. BE-ja ka paralajmëruar për manipulime të jashtme, të cilat synojnë të krijojnë skena destabilizuese që vetëm Serbia di t’i orkestrojë.

Ky shqetësim është i bazuar, Rusia dhe Serbia përdorin çdo mjet në dorë që kanë, dezinformimin, krizat e energjisë dhe narrativën e sovranitetit për të destabilizuar rajonin, veçanërisht Republikën e Kosovës. Kjo përfshin mesazhe të tipit “ushtria do të kthehet në Kosovë”, si dhe absurditete të tilla si relativizimi i statusit të Kosovës krahas Krimesë. Ky budallallëk serb të bën njëkohësisht të qeshësh dhe të qash për një mentalitet të tillë të shekujve të kaluar.

Duhet të theksojmë gjithashtu mungesën e stabilitetit elektoral, sidomos sovranitetin e kufizuar në zonat me shumicë serbe, si dhe dobësitë në sigurinë kibernetike, të cilat shfrytëzohen si shtigje për ndikimin sebo-rus. Koha nuk është për gjumë. Zgjohuni, le të zgjohemi, sa nuk është bërë vonë.