Violeta e sopranos shqiptare Ermonela Jaho sundon në MET
Julika Prifti
Gjatë viteve 70-të jam magjepsur nga Violeta e sopranos Anna Moffo në transmetimet televizive të kësaj opere në RAI dhe në TVSh. Ajo debutoi në rolin e protagonistes të operës La Traviata në sezonin inaugurues të kompleksit operistik MET të hapur në Lincoln Center gjashtëdhjetë vjet më parë. Atë kohë nisën edhe transmetimet e shfaqjeve operistike, të cilat vazhdojnë të ndiqen me sukses në ekrane sot. E kisha përjetuar Violetën mijëra kilometra larg nga ajo skenë edhe përpara se të shkoja në shfaqje në MET pasi erdha në Nju Jork. Në dekadat e fundit kanë qenë artistët shqiptarë që e kanë rishkruar historinë e operës në MET dhe Violeta e Ermonelës e ka bërë atë të lotojë.
Në vitin 2013 skenografia dhe veshjet bashkëkohore të protagonistëve të një konceptimi modern të operës La Traviata nuk ishin të shijes sime, por tenori shqiptar Saimir Pirgu në rolin e Alfredo-s arriti suksesin e merituar.
Pesë vjet më pas në skenën e MET u magjepsa nga sopranoja shqiptare Ermonela Jaho në rolin e Cio-Cio-San tek Madama Butterfly. Publiku e duartrokiste pa pushim për minuta të tëra dhe triumfi i saj u sigurua.
Katër shfaqjet e La Traviatës në maj 2026 me Ermonela Jaho-n në MET janë një rast për të ndjerë thellësinë emocionale dhe pasurinë e nuancave që ka zhytja e saj e plotë në rolin e Violetës, përshkruar edhe nga kritika si rrëqethëse dhe zemër-thyese. Nga aftësia e saj e rrallë e përvetësimit emocional dhe muzikal të rolit të protagonistes, interpretimi i saj përçon sallën që nga nota e parë deri në rënien në skenë në aktin e fundit.
Zëri i saj lavdërohet për frazimin delikat, inteligjencën dramatike dhe aftësinë e jashtëzakonshme për të përcjellë një brishtësi të skajshme. Violeta e saj paraqet rënien fizike dhe psikologjike të protagonistes me një realizëm të prekshëm. Edhe pa qenë kritik arti, spektatori e ndjen në qenien e vet interpretimin e Jaho-s dhe e përjeton dramën e Violetës.
Kur ndiqja interpretim e transmetuar të Anna Moffo-s nga ekrani, nuk e imagjinoja se një ditë një bashkë-atdhetare në rolin e Violetës do ishte një sundimtare e fronit operistik të një roli kërkues për nga zotërimi i nuancave të zërit dhe interpretimit dramatik, aq sa konsiderohet se qëndron “në një kategori më vete”.
Në 2018 Madama Butterfly e Jaho-s u prit me duartrokitje të pandërprera nga publiku. Edhe në shfaqjen e 7 majit publiku e ndjeu me shpirt Violetën e Jaho-s. Pranë meje ishin vizitorë nga Franca, Barbados dhe Rumania, të cilët kishin ardhur si turistë në Nju Jork. Ata e kishin planifikuar vizitën në koordinim me operën La Traviata në MET për të parë sopranon tonë në një nga shtëpitë më të madha operistike të botës.
Ndërsa spektatorët, mes tyre shumë shqiptarë, shpërthenin në duartrokitje dhe thirrje entuziaste Brava! Brava! ndjeva vërshimin e kujtimeve të rinisë dhe emocione e krenari. Violeta e sopranos shqiptare, Ermonela Jaho në MET rrëmben zemrat e gjithë spektatoreve dhe vulos në kujtesë një përvojë të paharrueshme.