Vladimir Marku: Jaho Margjeka – zëri që bashkoi shqiptarët
Gazetari Jaho Margjeka, me zërin e tij të veçantë, e ka bërë botën më të afërt për shqiptarët kudo që ndodhen. Djali nga Bujani, me histori dhe bukuri të rrallë, lindi pranë ujërave të kristalta të Valbonës së bukur — një vend poezie dhe hijeshie natyrore.
Pjesë të adoleshencës dhe rinisë i kaloi në qytetin e naftëtarëve, Kuçovë. Me dëshirë apo rrethana, ai u shkollua në shkollën e mesme të naftës në këtë qytet. Ishte një kontrast i veçantë: nga një vend me frymë poetike në një qytet me industri të trashëguar që nga koha italiane.
Që në vitin e dytë të shkollës u dallua qartë damari i tij poetik, me botimet e para në gazetën “Zëri i Rinisë”. Mësuesit e shkëlqyer të një prej shkollave më të mira në Shqipëri e vunë re herët talentin e tij krijues dhe zërin e veçantë poetik.
Portieri i shkollës, Xha Shyqua, nuk na lejonte të dilnim nga porta, por Jahua i tha: “Do blej një gazetë, se më janë botuar disa poezi”. Xha Shyqua nuk e besonte, por shoku im bleu tre gazeta dhe njërën ia fali burrit që bënte punën me përkushtim. Me këtë gjest kaluam testin e garancisë dhe të besimit të njeriut të mirë.
Unë që po shkruaj këto rreshta për gazetarin, publicistin dhe poetin, e kam pasur shok në atë shkollë. Më vonë na solli koha të jetojmë pranë njëri-tjetrit, afër Radio Televizionit Shqiptar.
Talenti lind, por edhe zhvillohet. Tropoja ka dhënë shumë vlera, por tek ky djalë nga Bujani triumfoi dhe u përforcua poezia. Ai u shqua për një krijimtari brilante, veçanërisht në poezi.
Nuk po ndalem gjatë te krijimtaria e tij letrare, por dua të theksoj veçanërisht kontributin e tij në Radio Tirana, me emisione si “Larg dhe afër” dhe “Radio pa kufi”, ku informonte dhe lidhte shqiptarët kudo në botë. Me zërin e tij të ëmbël dhe kumbues, ai i bashkonte njerëzit dhe u sillte mallin dhe afërsinë e vendlindjes, përmes tematikave të larmishme.
Për 35 vite me kufje në vesh dhe mikrofon përpara, me qindra e mijëra emisione direkte, ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Nuk jam profesionist i fushës, por dihet mirë se emisionet live kërkojnë përkushtim, energji dhe përgjegjësi të madhe.
Sot ky zë arrin një pikë të rëndësishme të jetës: daljen në pension. Është e natyrshme të ndihet mall dhe emocione pas një rruge kaq të gjatë, ku puna nuk ka qenë thjesht profesion, por mision kombëtar.
Vitet ikin, ligjet respektohen, por miku im, duke e ndjekur në studio, i ledhatonte kufjet dhe mikrofonin si gjëra të çmuara — si perla të ruajtura me kujdes, ku edhe lotët janë të ligjshëm.
Miku im, ju uroj shëndet të mirë dhe të mos ndaleni as në krijimtari dhe as në përkushtimin tuaj, sepse jam i bindur që energjia juaj mbetet po aq e freskët sa ujërat e kristalta të Valbonës suaj dhe tonës.
Në të njëjtën kohë, më lejoni të shpreh edhe një mendim si dëgjues dhe si bashkëkohës i këtij rrugëtimi të gjatë. Do të ishte një gjest i bukur dhe me vlerë institucionale nëse Radio Tirana do ta shoqëronte këtë moment të rëndësishëm të jetës së Jaho Margjekës — ditëlindjen dhe daljen e tij në pension — me një kartolinë urimi ose një shenjë simbolike mirënjohjeje.
Nuk bëhet fjalë thjesht për një formalitet, por për një akt respekti ndaj një zëri që për dekada ka qenë pjesë e përditshmërisë së shqiptarëve, duke i bashkuar dhe informuar me përkushtim e profesionalizëm.
Gëzuar ditëlindjen dhe daljen në pension, Jaho Margjeka!
Vladimir Marku – ish-teknikumist nafte.