Albspirit

Media/News/Publishing

NJË EKSPOZITË, NJË LIBËR, NJË FILM – PARISI MIKPRITI NJË MBRËMJE KUSHTUAR HISTORISË DHE KUJTESËS SHQIPTARE

Në ambientet e Qendrës Kulturore të Shqiptarëve në Paris, u zhvillua një aktivitet i veçantë kushtuar historisë, kulturës dhe kujtesës shqiptare, i organizuar nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”.

Gjatë aktivitetit u shfaq filmi dokumentar “Ode për tempujt që nuk u harruan”, u prezantua ekspozita “Shqipëria dhe shqiptarët në pikturat franceze të shekullit XIX”, si dhe u zhvillua një bashkëbisedim i hapur me shkrimtarin dhe studiuesin Luan Rama dhe drejtuesin e Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu.

Në fjalën e tij, Alket Veliu prezantoi punën e Fondacionit gjatë viteve të fundit për promovimin e historisë dhe të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporë dhe në forume ndërkombëtare. Ai theksoi se arti mbetet një nga mënyrat më të fuqishme për të përcjellë historinë, kujtesën dhe kulturën çame, ndaj edhe Parisi, si një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës europiane, nuk mund t’i mungonte agjendës së Fondacionit.

Gjatë diskutimit me pjesëmarrësit, z. Veliu iu përgjigj interesimit të tyre mbi historinë e Çamërisë, çështjen çame dhe përpjekjet e vazhdueshme për ta bërë këtë çështje më të njohur në diasporë dhe në opinionin ndërkombëtar.

Nga ana e tij, Luan Rama prezantoi ekspozitën dhe librin e tij, duke vlerësuar rolin e jashtëzakonshëm që piktorët, udhëtarët dhe intelektualët francezë kanë luajtur në njohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Perëndim. Ai u ndal gjithashtu te filmi “Ode për tempujt që nuk u harruan”, duke theksuar nevojën që historia të njihet dhe të pranohet, si dhe duke ritheksuar domosdoshmërinë e një ndjese publike nga shteti grek për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

“Shqiptarët dhe grekët janë dy popuj fqinj që meritojnë të jetojnë në paqe, respekt dhe harmoni me njëri-tjetrin. Pikërisht për këtë arsye, politika duhet të punojë në shërbim të së vërtetës, pajtimit dhe drejtësisë,” u shpreh ai.

Një kontribut të veçantë në aktivitet dha edhe studiuesja Fulvia Shtepani, profesoreshë e Akademisë së Versajës, e cila paraqiti një analizë të detajuar mbi rolin e Luan Ramës si urë lidhëse ndërmjet Shqipërisë dhe Francës. Ajo vlerësoi veprën e tij si një kontribut të çmuar në afrimin kulturor mes dy vendeve dhe u ndal te personalitetet franceze që kanë vizituar Shqipërinë ndër shekuj, duke e prezantuar përmes artit, letërsisë dhe dëshmive të tyre një Shqipëri ende të panjohur për Europën e kohës.

Aktiviteti u zhvillua nën kujdesin e Qendrës Kulturore të Shqiptarëve në Paris dhe u moderua me profesionalizëm nga drejtuesja e saj, Marinela Shehaj./Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”

https://gazetadielli.com/nje-ekspozite-nje-liber-nje-film-parisi-mikpriti-nje-mbremje-kushtuar-historise-dhe-kujteses-shqiptare