Albspirit

Media/News/Publishing

 Melsen Kafilaj: Të vërteta dhe mite të farkëtuara për praninë hebraike në Shqipëri

Tendenca për të prodhuar, paketuar dhe instrumentalizuar Mitet me një synim të caktuar, qoftë ky i fundit individual, kolektiv, historik apo politik është diçka që konsiderohet “normale” në Gadishullin e Evropës Juglindore. Mjafton që kjo të prodhojë efektin/ rezultatin e dëshiruar për atë që e fabrikon, paketon apo instrumentalizon. Por kur anormaliteti kthehet në normalitet dhe mitet ua zënë vendin fakteve shkencore diçka nuk shkon siç duhet me atë shoqëri që nginjet me to dhe nevoja për një vetskanim kritik dhe një reflektim vetveprues është një nevojë urgjente për shoqërinë në fjalë, në këtë rast shoqërinë shqiptare.

Nga kjo tendencë ajo që vuan më shumë është fatkeqësisht disiplina e historisë. Edhe pse historiani klasik grek Tukididi (460-400 B.C.E) ekzaktësisht 2400 vjet më parë përmes veprës së tij monumentale “Historia e Luftës së Peleponezit” u mësoi historianëve sesi ta ndajnë mitin nga investigimi historik, ky mësim nuk është nxënë ende siç duhet prej historianëve tanë. Ler të marrim, psh fenomenin e Pranisë Hebraike në Shqipëri dhe të shohim sesi reflektohet kjo tendencë në librat historik. Pa përmëndur këtu emra specifikë kolegësh, por me synimin për të trajtuar veçse fenomenin, po japim veçse një pasazh prej tyre:

“Prania Hebraike në Shqipëri daton që nga viti 70 C.E kur një anije romake e ngarkuar me një grup hebrenjsh të kapur rob në Jerusalem u mbyt në brigjet shqiptare. Ata që shpëtuan u vendosën në trojet shqiptare dhe pasardhësit e tyre themeluan Komunitetin Hebraik të Onhezmosit (Sarandës.)”

Sipas mendimit tonë shkencor ky është thjesht një mit i fabrikuar dhe nuk qëndron. Kjo për dy arsye kryesore: 1) Së pari, nuk ekziston asnjë dëshmi e rregjistruar historike në burimet greke, latine dhe ato hebraike në lidhje me episodin në fjalë. 2) Dhe së dyti, në dijeninë tonë nuk është gjetur ende ndonjë gjurmë sinagoge apo artifakt arkeologjik hebraik i Shek. 1- 2 C.E në këtë zonë që ta dokumentoj shkencërisht këtë prani. Gjithashtu, “instrumentalizimi i Mitit” për të bërë një lidhje të sforcuar organike me gati 3 shekuj diferencë midis hebrenjve të parë (70 C.E) dhe Komunitetit Hebraik të Onhezmosit (si një realitet faktual i Shek.4-6 CE) është në rastin më të mirë “një naivitet shkencor” ndërsa në atë më të keq “një turbo folk oral me ton pedantesk katedrash”.Kjo rrëfenjë mitike është marr pastaj copy-paste, është shumëfishuar dhe është amplifikuar en block edhe në websitet hebraike si: “Jewish Virtual Library”, “Hadassah Magazine”, “World Jewish Congress” dhe “Guide Culturel des Juifs d’Europe” mes shumë të tjerave.…

E vërteta shkencore e dalë në dritë prej gërmimeve arkeologjike të kryera prej ekipit shqiptaro-hebraik në vitin 2004 dëshmoi që mund të flasim për një prani të Komunitetit Hebraik të Onhezmosit të paktën që nga Shek. 4 C.E dhe në përfundim të kësaj ekspedite ata e klasifikuan Sinagogën e Onhezmosit si të Periudhës 4-6 C.E. Një dëshmi tjetër arkeologjike në lidhje me këtë Komunitet na vjen nga Katakombet e Venosas (Itali) e Shek. 6 C.E e cila na flet për Augustën, bijën e Yishait, Kreut të Komunitetit të Hebraik të Onhezmosit. Duke e falenderuar Prof. David Noy për foton në fjalë të cilën e shfaqim për herë të parë për publikun shqiptar, po ia bashkangjisim për ilustrim këtij artikulli argumentues.

   Matzevah e Augustës, bijës së Yishait, Kreut të Komunitetit të Onhezmosit (521 C.E)

Hipoteza shkencore që shtrojmë është se mund të flasim për prani hebraike en masse dhe ekzistencë komunitetesh hebraike në Shqipëri të paktën që prej Shek.4 C.E. Kjo konfirmohet edhe nga letrat e Perandorëve Romakë drejtuar Pretorëve të Prefekturës së Ilirikut për mbrojtjen e hebrenjve dhe sinagogave të hebrenjve prej sulmeve Anti-Judaike të të Krishterëve në këto territore, një fakt të cilin e kemi shtjelluar gjerë e gjatë në një studim tjetër tonin dhe nuk e shohim të arsyeshme që ta rimarrim edhe këtu si çështje.

Së dyti, një tendencë tjetër mitiko-shkencore është përdorimi etimologjik i emrave të një toposi të caktuar shqiptar (lum, mal, fshat, qytet, etj) dhe përqasja e tij krahasuese mbi bazën e ngjashmërisë tingëllimore me një topos tjetër që i përket Tokës së Shenjtë.Përdorimi i këtyre dy premisave false bëhet me synimin e qartë për të dhënë konkluzionin e dëshiruar që “Hebrenjtë i kanë populluar territoret shqiptare mjaft hershëm, madje në shenjë përkujtese të Dheut të Shenjtë që kanë lënë pas  i kanë emërtuar po me ato emra territoret në të cilat janë ngulmuar.” Si përqasje kjo mund të jetë një pikënisje e mirë për një novelë të Realizmit Magjik por nga pikëpamja shkencore nuk qëndron dhe është krejt e pabazë.

Së treti, ajo çka vihet re në literaturën historike në lidhje me fenomenin në fjalë është edhe përdorimi gati-gati abuziv i termit “Komunitet Hebraik” (Kehila) duke i mveshur çdo fshati apo qyteti të Shqipërisë nga një “komunitet hebraik” nga pas. Kjo është diçka mëse e gabuar. Përpara se të përdoret ky term, duhet bërë pyetja kryesore: “Çfarë e konstituon një Komunitet Hebraik sipas Halachah (Të Drejtës Fetare Hebraike)?”Dhe përgjigjia na vjen drejtpërdrejtë prej Talmudit Babilonas (BAVLI):

“Një rabini apo ndryshe një dijetari të Torahut (talmid haham) nuk i lejohet që të banoj në një qytet i cili nuk i përmban të paktën këto 10 elementë: një gjykatore (beit din)  e cila të merret me ndëshkimet fetare, një fond bamirësie (tzedakah) i cili mblidhet prej dy vetëve dhe shpërndahet nga tre të tillë, një sinagogë (beit kneset), një banjë rituale (mikveh), një tualet (sherut), një mjek (rofeh), një artizan (horesh), një lëshues gjaku (gara); në disa versione të tjera jepet edhe ai i kasapit ‘kosher’(shehitah) dhe një mësues (moreh)”(Sanhedrin 17b).

Por a i përmbajnë këto 10 elementë të ashtuquajturat “komunitete hebraike” prej historianëve tanë? Mendoj që jo. Tani dy janë opsionet: a) Ose duhet të na sqarojnë sesi e definojnë ata një “komunitet hebraik” dhe ky definim të jetë sa më i qartë dhe konçiz ose b) nuk duhet të abuzojnë masivisht me përdorimin e këtij termi. “Komunitet” nuk do të thotë 4 hebrenj në X qytet, 5 të tjerë në Y qytet e kështu me radhë… Kështu bie fjala, në do botime historike vëren të flitet edhe për “Komunitetin Hebraik të Lezhës”, “Komunitetin Hebraik të Shkodrës, etj…Ky është një absurditet i pastër dhe një mit i fabrikuar. Vet hebrenjtë kanë refuzuar të jetojnë në këto 2 vende për shkak të fanatizmit të tyre të theksuar fetar dhe nuk kanë krijuar historikisht ndonjë komunitet të mirëfilltë në këto vende. Ndërsa mund të flasim duke u bazuar tek dëshmitë historike mbi ekzistencën e Komunitetit Hebraik të Onhezmosit (Sarandës), Komunitetit Hebraik të Durrësit, Komuniteteve Hebraike të Vlorës, Komunitetit Hebraik të Beratit dhe Komunitetit Hebraik të Elbasanit, çdo propozim tjetër pa baza faktuale dhe shkencore mbetet thjesht një spekullim i pastër.

Një tendencë tjetër ahistorike me nuanca mitiko-folklorike e parapëlqyer prej mitologëve me petk historiani është edhe ajo e “Judaizimit Biografik” të personaliteteve të caktuara historike shqiptare. Një rast i tillë klasik mes disave është edhe ai i prof. Aleks Budës, themeluesit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe drejtues i saj për vite me radhë. Në një artikull të një “Shkruesi Anonim”, botuar në vitin 2015 në gazetën “Tirana Times” shkruhet:

 “A scholar and historian Aleks Buda (1910-1993) was born in Elbasan apparently of a merchant family of Jewish origin…”[1]

Por nga një thellim i mëtejshëm na rezulton që ky pohim i pafaktuar historikisht është publikuar për herë të parë në “Fjalorin Historik të Shqipërisë” (2004) ku autori në mënyrë të gabuar aludon rreth mbiemrit të Akademikut në fjalë duke e vënë atë në relacion me emrin mesjetar të Qytetit të Budas (Budapest). Eshtë e vërtetë që Hebrenjtë e Hungarisë e morën mbiemrin “Buda”, apo “Budai” në variantin hungarez si mbiemër për familjet e tyre por kjo ndodhi vetëm në Shek.18 me dekretin “Patent über die Judennamen” (Patentë mbi Emrat Hebrenj) lëshuar nga Perandori i Perandorisë Austro-Hungareze, Jozefi II-të më 23 Korrik të vitit 1787.Po i njëjti Perandor i cili u dha disa të drejta hebrenjve me anë të “Ediktit të Tolerancës”, në vitin 1782.

Në dijeninë time, Familja Buda është një familje vendaseaAromune e besimit Kristian-Orthodhoks nga Qyteti i Elbasanit dhe jo hebrenj të ardhur nga Qyteti i Budapestit. Në momentin që flasim, nuk ekziston ndonjë dokument gjeneaologjik apo fakt historik që të dëshmoj të kundërtën. Në këtë kuptim, ky “Judaizim biografik” është një gabim historik dhe një pretendim i pabazë. Ndërkohë Shqipëria ka plot personalitete të vërteta shqiptaro-hebraike të cilat nuk e kanë të nevojshëm “Judaizmin biografik” si Familjet Shvarc, Mattathia, Cohen, Solomon, Cikuli, Arditi, Malka, Russo dhe Zarfati, mes shumë të tjerash.

Si përfundim, mund të themi që mjaft u morëm dhe e morëm veten më qafë me fabrikime mitesh dhe legjenda urbane, por duhet ta shohim dhe peshojmë çdo periudhë të caktuar të Historisë me sy kritik. Sepse siç do shprehej edhe historiografi i madh Italian, Giambattista Vico: “Verum esse ipsum factum” (“E Vërteta në vetvete përbëhet veç prej fakteve!”)


Autori i këtij shkrimi është studiues.

[1] Anonymous.2015. Aleks Buda immortalized in statue at the Academy of Science, Tirana Times, March 12. At:https://www.tiranatimes.com/aleks-buda-immortalized-in-statue-at-the-academy-of-science/