Ruzhdi Gole: Kripë dhe cung
(poe-prozë)
– Ç’të bëjmë me të qeshurën? Ajo u gajas.
– Ta lemë të shkojë. Vjen tjetër buzagaz.
– Sikur gazi të ngryset, të rrudhet buza?
– T’i lemë hamendjet. Ato s’mbarojnë,
luten veç për gjethe flutura.
– Luten? Kjo lutje sjell mbarësi, praj,
– Po lutja mbaroi, kujt t’i lutemi pastaj?
A nuk e sheh si rrokullisen gurët…?
Edhe atyre po ua rrjepim lëkurën.
– Gurët paskam lëkurë, buzë, sy veshë?
O, ç’më gajase! S’më mban asnjë qivur,
përkrah më mban çdo shpresë. Zia gris gjithë partet.
– Ç’hyjnë këtu zia, qivuri? S’na duhet i
mrrudhuri. I mrrudhuri merr e ikën
njëherë njeriun e mbulon me kapak
pluhuri, njëherë merr e mbulon frikën.
Lëre mënjanë atë çka mënjanë të lë, një cope udhe të mban,
pastaj të shtrin nën dhe me heshtje të përzë. Heshtja jeton me dramë.
– Shih, shiko në kodër? Xhvoshk lëkura
e trungjeve, mbushur trungjet me
kripë, ngulur gozhdë.
– Gozhdë e kripë në trung? Kë kryqëzojnë përfund?
– Nuk e ditke ende, kripa dhe gozhdët
thajnë degët e pemëve.
– Pastaj, çka habi na çudit pastaj?
– Drurët thahen gjunjsh, pylli dergjet vaj.
– Po pastaj çka ngjet?
– Pylli vuan për ujë, drurët gulçojnë për
ajër, ajri drithmon për bletë..
– Po pastaj kush vdiret?
– Jeta e gjelbër prej nekrologjive.
– Oh, po kjo dhemb, dhembja më e
mprehtë. Si u varroska pylli gjelbërisht
gjoksnxehtë? Ku do thithim ajër të
pastër për mushkëritë?
– Do ndërtojmë vila. Pylli mbështjell
brengë. Xhvesh nga çdo lirikë.
***
– Ku t’i gjej kepucët ? Dheu ma hëngri
shputën. Dëbora ma mpiu gjakun. Ku ta gjej flakën, xixat
e merakut?
– Gjeji nëpër pyll. Me një cung gdhend
këpucë. Asnjë me gungë.
– Mos rrëshqas e rripem, fatkeq kësaj
mesdite. Ende ngjethja ngjeth. Dielli mos ma djeg cungun sa
gatitet për këpucë në shteg? Ndoshta, në bjeshkë, me
gishtrinjtë e mi grinden këpucët. Dega e rrudhët kthehen tek
pisha, ndoshta për t’u ngjall shpejt ngroh limfë tek buzët?
– Thua, dega ende ka zë prej shpendi,
shpend është fluturimi?
– Ne prit e prit pyjet me sëpatë thëllimi.
Pri, nëse duhet, por çka mbillet? Asnjë
farë e lume. Kuzhneni veçse shkimet.
***
Me gurë mbushim bregun, ndërkaq…
ngrejmë ca kolona me art kontrabandë.
– Kumi ku shkoi, pse u mvrejt vala? Pse s’marrin frymë, lajm
pse nuk çojnë janë a s’janë të gjalla?
– Ku ta gjejnë një gaz, buza t’u freskohet,
syri t’u xixojë pak? Veshi t’ju dëgjojë çfarë kris përreth. E
qeshura ku mënoi? S’vjen më të cicërojë zog haresh.
– Tek ky bregdet do ngrejmë njëfarsoj
kolona e kupola me kundra – art.
– Do ia zemë horizontin bregut, do ia
zemë syrin valës. Kund s’e gjen një varg.
***
– Me të vërtetë qeshim, tallemi mesvedi!
– Ç’të bëjmë me të qeshurën?
– Ajo u vranua, ajo u gajas.
– Ta lemë veç të perëndoj.
– Ç’thëllime do na vijnë
buzaplas!…