Universiteti i Arteve, pika e fundit e rezistencës qytetare e shpirtit të lirë krijues
Joni Shanaj
Puna që gjykoj si aktin, veprën më të mirë që kam bërë deri më sot në jetën time, mbeten filmat e studentëve të mi të diplomës së vitit 2020.
13 filma të shkurtër, rreth 2 orë e 40 minuta program, të shfaqur bashkë.
Punët veç e veç janë të studentëve, por puna ime shfaqet kur filmat shihen bashkë.
Në këta filma të krijuar atë vit të vështirë mbylljeje, plot terror psikologjik dhe shqetësim për njerëzit më të afërt, në kohën kur askush prej nesh nuk shpëtoi pa menduar të paktën një herë se ndoshta jetës në planet mund t’i afronte një fund, u arrit të shpalosen, përtej talenteve të studentëve të filmit të UART, të paktën edhe 30 aktorë të tjerë, të vjetër e të rinj, të cilët në mënyrë të befasishme shkëlqyen si asnjëherë më parë në filmat e studentëve të atij kursi, si rrallëherë ndodh në një shfaqje të tillë në një shkollë.
Fati deshi që të befasohem me aftësitë e tyre, jo vetëm unë, por edhe vetë aktorët. Talentet absolute të shfaqura në rolet kryesore dhe të dyta të filmave, ku afërsisht rreth 10 djem dhe mbi 20 vajza, nëse do të kishin qenë në çdo vend normal të botës, me çfarë shfaqën prej vetes vetëm në filmat e studentëve të atij kursi, do të ishin “rrëmbyer” nga industria e filmit për të qenë sot yje të kinemasë.
Të kinematografisë botërore flas, jo vetëm të asaj që mund të bëhet në Tiranë. Për këtë kam bindjen më absolute që mund të kem për çfarë shohin sytë e mi dhe çfarë njohin shqisat e mia të gjalla.
E dija këtë edhe atëherë, në nëntor 2020. I ndërgjegjshëm se kishte ndodhur diçka e mirë për t’u ndarë më gjerë, ftova në premierë Kryeministrin Rama, personalisht, unë vetë.
U shtyva për këtë edhe pse filmat e studentëve të atij viti ishin mbështetur me një fond publik të aranzhuar nga producenti Dritan Huqi dhe ON Film, në sajë të këmbënguljes sime dhe të tij, ndërmjet institucioneve tona: QKK, Ministria e Kulturës (lexo: qeveri) dhe UART.
Më duhet të them se, pasi projekti përfundon, zakonisht adeti në Tiranë kërkon harresën e tij. Ky është zakoni. Mbaron diçka, ulen perdet, njerëzit ikin në shtëpi.
Askush nuk mendon, sidomos në rastin e punës së kryer në një shkollë, për vlerën e diçkaje që tejkalon momentin formal dhe “kopsitjen” e letrave, për të cilën nxitohet paralel me fotot në Facebook, si zakonisht. I vetmi njeri që kuptoi thelbësisht mesazhin tim ishte Edi Rama.
Me rekomandimin e tij, filmat e studentëve vendosëm, bashkë me drejtoreshën e atëhershme të COD që na hapi çdo derë dhe na vuri në dispozicion çdo ndihmë, të përshfaqen për më shumë se një javë si ekspozitë e hapur në loop në COD.
Atë kohë COD nuk ishte kthyer ende plotësisht në ambientin e hapur pa drojë për të gjithë, siç u shndërrua gradualisht më pas.
Ishte ende një hapësirë e ngushtë, e ftohtë dhe e pashkelur nga qyteti i lirë, përveç disa pinxho klasikë, shërbëtorë të pushteteve dhe çdo pushteti pa dallim, botërisht të njohur si enturazhi më servil.
Më duhet ta them këtë në kontekstin e tanishëm të bëmave të një grupi në konflikt të pastër interesi, që po godet hapur duke bërë lëmsh çdo ekuilibër të mbijetuar me mund në Tiranën e vërtetë, por të kamufluar si Hirushja (talentet e vërteta në Shqipëri) nga nyjet e ndërlidhjeve të kapura, kundër artit dhe filmit si pasqyrë e shpirtit të një vendi dhe përftyrimit dhe zgjatimit të vullnetit të së bukurës në kinematografi.
Pushteti nuk ka qenë kurrë mik i krijuesve dhe aq më pak përkrahës i sinqertë i talentit në Shqipëri, por rëndësinë e intelektit vendas nuk ka njeri me sado pak apo shumë mend që të mos e kuptojë.
Jam dëshmi se, sado rrotull dhe lëmsh të vërtitet bota, politikat sadiste apo sabotazhi i përqendruar kundër artit shqiptar, këto nuk mund të jenë krijime të mendjes apo dorës së Kryeministrit të Shqipërisë.
Për këtë siguroj unë dhe jam personalisht dëshmi e gjallë. Në kohën më të papritur, kur nuk kishte askush asnjë detyrim të përkrahë një shfaqje tonën, vetë Edi Rama kuptoi dhe pa diçka me vlerë.
E kam të vështirë të besoj se për çfarë po ndodh sot dhe për çfarë ka ndodhur në kinematografi përgjatë viteve, njerëzit me mend në kokë në shtet dhe qeveri nuk janë në dijeni.
Nuk ka shqiptar që të mos e dojë filmin dhe filmin shqiptar si ART.
Por dini çfarë ka ndodhur më pas?
Asnjë nga ato talente të shfaqura në atë shfaqje prej 13 filmash nuk kam parë më në asnjë film.
Kanë kaluar 6 vjet.
Disa prej tyre shumë të rinj.
Dhe nuk është hera e parë.
Përgjatë këtyre dekadave, talent pas talenti, shfaqur si meteorë në ekranin shqiptar, edhe pas shkëlqimit të menjëhershëm zhduken.
Askush nuk i sheh më.
Nuk arrin të ndërtohet asgjë që premton zhvillim.
Në rastin e aktorëve të filmave tanë, me përjashtim të ndonjë emri që mund të ishte i njohur para shfaqjes sonë dhe që mund të ketë marrë pjesë në ndonjë rol diku pa u marrë vesh, asnjë prej tyre nuk është gjetur këto 6 vjet në asnjë vend në ekran.
Premtimet e sotme se ardhja e produksioneve ndërkombëtare në Shqipëri do jenë shpëtim për filmin shqiptar nuk janë të vërteta.
Produksionet ndërkombëtare mirë se të vijnë, por problemet e kinematografisë dhe të filmit shqip nuk zgjidhen dot nga kalimtarë.
Deri më sot, kush e ka menaxhuar dhe kush e menaxhon filmin shqiptar?
Përgjigjet dot njeri?
Këtë moment mjafton vetëm vrojtimi më lart, pa qenë nevoja të hyjmë më thellë në përvoja personale të cilat do të jenë pjesë e postimeve të mia, më pas.
Por herë i nxehur dhe herë më ftohtë, këtë maj, qoftë edhe pa asnjë emocion, di të them se nuk ka dhe nuk di a mund të ketë për një popull krim më të madh sesa té katandiset në njé vend që ka aftësinë, kapacitetin dhe forcën të krijojë e të shfaqë fytyrën e vet më të pastër dhe më të mirë me talente të jashtëzakonshme e shumë të rrallë, dhe këta njerëz të refuzojë t’i shohë apo t’i injorojë deri në mohim.
Ka një problem tepër serioz këtu që kërkon zgjidhje nga cilido se sado pak vetëdije në qenien e tij/të saj.
Në lidhje me filmat në vijim të studentëve tanë, ndonjë vit më pas vitit 2020, dikush ndërhyri në Ministri për të ndaluar mbështetjen e QKK-së për studentët e UART.
U gjendën sigurisht disa yçkla dhe On Film që ringjalli atë praktikë u nxor jashtë.
U arrit të krijohej një konfuzion disa vjeçar që kulmoi me ndalimin e diplomës së kursit aktual që drejtoja pas atij të 2020-ës.
Fjala është që u arrit të bllokohej kursi im i vitit 2023, i cili në përfundim të vitit shkollor mbeti pa diplomë, pê shkak të vonesave dhe ngatërresave Ministri – QKK.
Studentët e atij kursi u bllokuan pa e vrarë mendjen njeri ç’po ndodhte me ta, për disa vjet né realizimin e punëve të tyre në bllok, me përjashtim të një studenti të vetëm, i cili individualisht realizoi një film fenomenal.
“Ata që s’fluturuan tutje” quhet filmi, regji & skenar Enriko Hamzaj. Filmi gjendet prej disa vitesh në Amazon Prime. Dhe së fundmi falas për të gjithë, online.
Çështja e filmave të studentëve në vijim në raport me QKK u zgjidh dy vjet më vonë, pas një ndërhyrjeje vendimtare të ministrit aktual.
Por mua si fund për këtë shënim më duhet të veçoj: Punët më të bukura janë punët e përbashkëta.
Punët e mira dhe të pastra të krijuara bashkë, jo ato për t’i vendosur brryla dhe intriga botës së tërë mbarë.
Këtu, nuk do të rresht në vijim së promovuari punët dhe filmat e studentëve të mi, pasi të kem artikuluar plotësisht problemet që shoh, njoh dhe jetoj pas 25 vitesh dedikim aktiv, në jetë, në shkollë, në “underground”, në universitet, kudo ku mbahet gjallë fryma e filmit ART.
Është minimumi që mund të bëjmë, siç e dimë, të gjithë.
Deri më sot Universiteti i Arteve/Akademia e Arteve/Instituti, quaje si të duash, kushdo dhe kudo të jesh, e ku ta kesh, ka qenë, është dhe DO MBETET pika e fundit e rezistencës, qytetare e shpirtit të lirë KRIJUES në Tiranë.