Anca Mihaela Spanu & Elsa Stavro: Fjalë të ndërthurura nëpër rrugë që kryqëzohen
Fatet e këtyre dy popujve, atij rumun dhe shqiptar, janë ndërthurur shpesh në histori, që nga kohët e hershme. Në këtë të shkuar me lidhje të fuqishme dhe të shumta, në fusha të ndryshme, njerëz të rëndësishëm me origjinë shqiptare kanë lënë gjurmët e tyre në historinë e popullit rumun. Në Shqipëri, figura të rëndësishme (a)rumune kanë qenë të pranishme në pothuajse të gjitha momentet vendimtare për të ardhmen e kombit shqiptar, që nga nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë etj., por veçanërisht në letërsi, duke shprehur aty vizionin për një Shqipëri të lirë e të begatë.
Naim Frashëri, historian, gazetar, poet, përkthyes dhe një ndër personalitetet më të ndritura të Rilindjes Kombëtare, i konsideruar Poeti Kombëtar i Shqipërisë, vepra patriotike e të cilit u botua për herë të parë në Bukuresht, më 1886, ka shkruar një poemë e cila mbetet emblematike edhe në ditët e sotme: “Fjalët e qiririt”. Titulli simbolizonte asokohe sakrificat e rilindasve për mbrujtjen e ndërgjegjes kombëtare. Naim Frashëri nuk ka qenë kurrë në Rumani, ndonëse vepra e tij u botua pikërisht këtu, ku që nga viti 2006 i është vendosur edhe statuja në Parkun Herestrëu, pranë Balzakut, Hygoit, Petëfit, Tolstoit, etj.
Duke u nisur pikërisht nga këto kontakte të shpeshta dhe të vazhdueshme, shoqata “Prietenie & Integrare”, në bashkëpunim me bibliotekën e Qarkut “V. A. Urechia” të Galacit, sjell për publikun antologjinë e dytë letrare dygjuhëshe “Kandili i fjalëve”. Ndërsa antologjia e parë përfshinte krijime të poetëve nga Danubi i Poshtëm, ky vëllim përmban krijime të disa shkrimtarëve bashkëkohorë nga zemra e Muntenias (Bukureshti, Plojeshti, Këmpina, Brashov), por edhe të disave që, ndonëse nuk kanë lindur në këtë zonë, kanë studiuar, punuar apo janë të lidhur artistikisht me këtë bosht. Këtyre krijuesve, të panjohur në Shqipëri, u bashkohen poezi nga Andrei Bërseanu, mbi vargjet e të cilit, të shkruara për këngën patriotike me muzikë të Ciprian Porumbescut, i njohur ndryshe edhe si Himni i Bashkimit, u frymëzua Asdreni për të shkruar vargjet e Himnit Kombëtar shqiptar, me me po atë muzikë.
Ndaj, në këtë antologji, lexuesi shqiptar gjen, përveç poezisë bashkëkohore rumune, edhe atë patriotike prej të cilës u frymëzua ndjeshëm vepra e personaliteteve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në pjesë e madhe e të cilëve kanë studiuar dhe jetuar në Rumani.
Nuk i mungojnë këtë vëllimi as përfaqësuesit e realizmit socialist rumun, jo vetëm për të theksuar ngjashmërinë në krjimet letrare në këto dy vende gjatë asaj periudhe, por edhe për të nxjerrë në pah kompleksitetin krijues të nevojshëm për të qëndruar poet në ato kushte. Duke u nisur pikërisht nga këto kufizime të periudhës komuniste, veçanërisht të rënda në Shqipëri, por edhe në Rumani, sidomos në aspektin fetar, kemi konsideruar me vend përfshirjen në këtë vëllim të disa eseve të cilat do të pasurojnë njohuritë e publikut shqiptar, por edhe atij rumun, rreth traditave, besimit dhe tolerancës fetare tek këta dy popuj. Shumë pak dihet, ndoshta, se më 1921, në Plojeshti, një i krishterë ortodoks nga Shqipëria, Ilo Mitkë Qafëzezi, përktheu dhe botoi për herë të parë Kuranin në gjuhën shqipe.
Secili prej autorëve të përfshirë në këtë kaleidoskop letrar është përzgjedhur me vullnetin e mirë dhe bindjen se përcjell tek lexuesi shqiptar. Gjithashtu, duke qenë një vëllim dygjuhësh, kemi bindjen se edhe lexuesit rumunë do të zbulojnë apo rizbulojnë më gëzim autorë autoktonë të cilët ua përcjellin idetë dhe përvojat e tyre në një kontekst të ri. Për më tepër, si një dëshmi se poetët i përkasin hapësirës letrare të vendlindjen, duke vazhduar të shkruajnë dhe të njejnë në gjuhën amtare, pavarësisht ku jetojnë, kemi përfshirë edhe vargjet nga poetja Ardita Jatru, përfaqësuese e poezisë bashkëkohore shqiptare, ndonëse jeton prej shumë kohësh në Greqi.
“Kandili i fjalëve” është, nga ky këndvështrim, shpresojmë, një dritë udhërrëfyese e një shkëmbimi kulturor të nisur përmes vëllimit I – “Zogj dhe hyjni, nga Danubi në Adriatik” – dhe që kemi ndërmend të vazhdojmë. Ky vëllim nuk është dhe nuk synon të jetë një punim i lodhshëm, por thjesht një esencë e fillit historik evropian që na bashkon dhe që – pavarësisht gjysmë shekulli sprova shoqërore dhe politike – e gjen rrugën e përbashkët në modernitet.