In memoriam, profesori Qazim Turdiu!
Më 7 qershor 1917, në Tiranë, lindi Qazim Turdiu, profesori që i kushtoi jetën zhvillimit të matematikës.
Pas përfundimit të studimeve me rezultate të shkëlqyera në Monpelje, Francë, ai u rikthye në atdhe për të dhënë kontributin e tij si mësues në Shkodër dhe Tiranë. Me hapjen e institucioneve të para të arsimit të lartë dhe më pas të Universitetit të Tiranës, profesor Turdiu u shndërrua në figurë qendrore për mbi tre dekada, duke formuar breza të tërë inxhinierësh dhe mësuesish.
Ai ishte pionier i teksteve të para origjinale në gjuhën shqipe, duke thjeshtuar disiplina komplekse si gjeometria analitike dhe algjebra për shkollën e mesme (1951). Vepra e tij më e rëndësishme, “Matematika në shekuj” (1976), është studimi i parë i plotë mbi zhvillimin historik të matematikës.
Për kontributin e tij në arsim dhe shkencë, ai u nderua me titullin “Mësues i Popullit”, ndërsa, në shenjë mirënjohjeje, emrin e tij e mban një shkollë 9-vjeçare në Tiranë.
Profesor Turdiu u nda nga jeta më 8 prill 1989 në Tiranë.
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2763–2764.