Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Hiqmete Daja dhe libri i saj me tregime dhe novela “Ata të dy dhe deti”

Një vit më parë është publikuar libri i trembëdhjetë i shkrimtares durrsake Hiqmete Daja, titulluar “Ata të dy dhe deti”, botimet “Emal”. Libri shoqërohet me një parathënie nga diplomati dhe publicisti i shquar Shaban Murati që ishte njëherësh dhe një mik i hershëm i autores qysh në vitet e adoleshencës.

Pikërisht nga kjo përcjellje Murati nënvizon se “Hiqmete Daja është nga shkrimtaret e pakta, që arrin të shkrijë në një të vërtetë artistike dramatiicitetin e prozës së saj tregimtare me lirizmin e përshkrimit të saj estetik. Ngjarjet dhe personazhet e profilizuar me tonalitet dramatik e madje tragjik, përthyhen në një lirizëm të paparë të shpirtit njerëzor, të marrëdhënieve dashurore e njerëzore, të jetës komplekse, të vështirë dhe dinamike qytetare”.

Vetë autorja në hyrje të libri sqaron se “vëllimi që do merrni në dorë e ka marrë frymëzimin nga ngjarje dhe histori njerëzore. Ai nuk përkon me ndonjë histori konkrete të njerëzve të veçantë, ndonëse mund të ketë ngashmëri. Do dëshiroja që nga këto histori që ndodhin në jetën e njerëzve të merret ajo çka na nevojitet të gjithëve, dashuria për familjen, për njeri-tjetrin, mirësia që duhet të na udhëheqë në jetë dhe të gjejmë qoftë edhe në piëla të vogla atë dashuri që na mungon, deriza këto pikëla të kthehen në oaze lumturie për secilin prej nesh”.

Janë gjithsej shtatë tregime dhe novela në përmbledhjen e fundit që fokusohen në jetët njerëzore të shqiptarëve në periudhën e gjatë të tranzicionit; histori dashurie e tradhtie, përplasje e moskuptime mes brezave ku autorja sjell një galeri të gjerë personazhesh, kryesisht të qytetit, që kanë sukseset dhe dështimet e veta, ngjitjet dhe uljet, të papriturat, aksidentet, sëmundjet dhe në të gjitha këto shpalosen karakteret e tyre.

Krijimi i parë, nga i cili ka marrë edhe titullin përmbledhja, pra “Ata të dy dhe deti” na paraqet lidhjen dashurore të dy të njohurve të hershëm që këtë ndjenjë e kishin mbajtur të ndrydhur për mote të tëra dhe befas shpërthen në një kohë të vonë; ngjarja artistike të rikujton ndonjë tregim të Mopasanit, por personazhet dhe ngjarjet këtu janë shqiptare që vijnë mjeshtërisht dhe të emocionojnë sa herë që e lexon. Një personalitet i lartë i sferës shoqërore ka njëherësh një botë intime të pasur që e kërkon dashurinë dhe bën gjithçka për të, përkundër tabuve, konvencioneve që shpesh janë kundër saj. “Ti, unë dhe deti jemi të dashuruari që do kërkojmë e gjejmë strehë të njeri-tjetri”, shruan në fund autorja.

I një natyre tjetër është krjimi pasues “Tradhëtia”, ku një nxënëse e gjimnazit dashurohet me profesorin e historisë, arrin të bëjë edhe dy fëmijë, por teksa zbulon tradhëtinë e tij me bashkëshorten e vëllait kërkon divorcin. Lexuesi ndjek hapa pas hapi rrëfimin e femrës së bukur dhe dinjitoze që gjithçka e ka bërë me shpirt, por ka sërish kurajon për t’u ndarë përfundimisht nga një qënie e dyzuar, që arrin të kryejë një akt të pamoralshëm brenda rrethit familjar.     

Me shumë ngarkesë dhe plot të papritura të pakëndshme vjen “Blloku i mallkuar”, kur një djalë i shkolluar në Bolonja e që rikthehet në vendlindje për të punuar në vendin e tij zbulon se nëna e vet, disa vite më e vogël se babai, bën prostitutën e luksit në një dhomë hoteli me djelmosha të rinj. Si dhe në tregime apo novela të tjera, autorja bën kujdes të mos bjerë në stërhollime, por të japë me pak penelata secilin personazh. Ngjarja është tronditëse, shumë e rëndë për bashkëshortin e saj të përkushtuar dhe akoma më e pakapërdishme për birin e saj, që nuk do ta falë për këtë akt të turpshëm dhe diskretitues.

Rrëfimi tragjik në novelën “Vrasësi dhe viktima” sjell një mjedis malësor ku Ajka dhe Sela krijojnë një lidhje të bukur dashurie, kur më parë të dy familjet e tyre jepnin e merrnin me njera-tjetrën për të mbijetuar në një periudhë vrastare. Familja të varfëra, por me një shpirt të madh human që ndanin gjithçka na gjendja e tyre, sidomos familja e Ajkës që kishte edhe një vëlla të arratisur dhe shihej si “delja e zezë” nga strukturat e regjimit diktatorial. Ngjarjet zhvillohen në vitet pak pak viteve nëntëdhjetë kur nisi edhe përmbysja e madhe dhe Shqipëria doli nga izolomi i gjithkahshëm dhe u rikthye në vendet e lira.

Do të doja t’i mbyllja këto shënime me një nënvizim të Shaban Muratit që thotë se “shkrimtarja Hiqmete Daja me këtë vëllim të ri me tregime sjell një notë të re në letërsinë e sotme shqiptare dhe në prozën shqiptare në veçanti. Ajo bëhet përçuese e rrymës së lirikës qytetare, që e ldh lirizmin dhe liriken jo thjesht me natyrën dhe fshatin, me barin dhe gjethet, por e lidh dhe e gjen bukurinë lirike në lulzimin e dashurive të jashtëzakonëshme të shpirtit qytetar si në tregimin e mrekullueshëm ‘Ata të dy dhe deti’, ku e zbulon liriken në ndjenjat më të holla holla dhe të pathëna të shpirtit të qytetarit”.

Librat e autores

  1. Tetë përralla pa natën e mirë
  2. Përrallat që më vinin në gjumë
  3. Përrallat e dy vëllezërve, Bardhoshit dhe Zeshkanit
  4. Të papriturat e jetës
  5. E braktisura
  6. Ah, sikur të mos ishte vdekja
  7. Vajza dhe fizarmonika
  8. Ta njoh zemrën
  9. Të jetsoj lumturinë
  10. Astriti
  11. Dashuria, e brishtë apo e fortë
  12. Sykaltra e arratisur
  13. Ata të dy dhe deti