Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Adem Demaçi – Hero i Kombit

E them me plot bindje, se jemi me fat që ne si popull kemi pasur një figurë e personalitet si Adem Demaçi, i cili në asnjë rrethanë, në asnjë moment nuk bëri kompromis asnjëherë dhe me askënd, kur ishte çështja për popullin dhe atdheun! Një figurë titanike, e cila do mbetet e skalitur fort në memorien e kombit dhe brezave që do të vijnë pas! Në këtë libër të radhës të autorit të nderuar Selatin Novosella, të titulluar: “Rexhep Qosja për Adem Demaçin”- del edhe një herë në pah, vlerësimi i lartë i profesor Qoses për Demaçin, si një veprimtar i shquar, simbol i rezistencës sonë kombëtare, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë. Po ashtu, jemi me fat që autori i nderuar, z. Novosela, që e kemi këtu në mesin tonë, ka qenë një nga bashkëpunëtorët e afërt të Demaçit, bashkëvuajtës në burgjet e regjimit serb, një njeri që gjithë jetën e tij ia kushtoi çështjes shqiptare, një njeri që e përjetësoi me punën e tij intelektuale, çdo hap, sakrificë e frymëmarrje të Demaçit, për këtë popull e për këtë vend. Ky angazhim i pashoq dhe punë kolosale e autorit për të nxjerrë në pah figurën e Demaçit, karakterin, vendosmërinë, guximin e tij, e bënë të pavdekshëm dhe e sjell të gjallë për brezat që do të vijnë, duke iu dhënë një shembull se si luftohet, si punohet e si duhet populli dhe vendi yt. Ashtu siç i quan autori: “Binomi -Adem Demaçi dhe Rexhep Qosja”, gjatë veprimtarisë dhe angazhimit të tyre ndër vite për rreth pesë dekadash, kanë ndervepruar dhe ruajtur një respekt të ndersjelltë,duke u bërë shembull për të gjithë ata intelektualë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, që nuk kursyen asgjë për vendin dhe lirinë e tij. Qosja e sheh figurin e Demaçit, si një figurë frymëzuese, një personalitet me parime shume të forta, i cili ka lënë një ndikim të pashlyeshëm ne shoqërinë dhe historinë tonë kombëtare. Ai e ka vlerësuar Demaçin – si një autoritet të pakrahasuar dhe një zë të guximshëm e të ndershëm në historinë e Kosovës. Autori në librin e tij, është përpjekuar të sjell për lexuesin pothuajse çdo sekuencë, çdo vlerësim, çdo ndërveprim të dy titanëve për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare. Qosja, me mendimet dhe respektin e tij për figurën e Demaçit, është përpjekur që në vepanti të theksoj kontributin e tij për liri e pavarësi dhe promovimin e kulturës dhe identitetit tonë kombëtar. Ai, po ashtu ka vënë në dukje guximin e Demaçit për të thënë gjithmonë të vërtetën dhe sakrificat e tij të shumta në emër te lirisë dhe të drejtave të njeriut. Demaçi, si një figurë shumë dimensionale, vjen edhe në këtë botim i dokumentuar e i plotësuar si një personalitet që me përpjekjet e tij ka promovuar bashkimin kombëtar. Si Rexhep Qosja, ashtu edhe autori ynë i nderuar, Selatin Novosela, në dokumentimin dhe vlerësimin e jetës dhe veprës së figurës së Adem Demaçit, i kanë dhënë një dimension tjetër, duke e bërë atë të njohur për brezat e ardhshëm, si një hero kombëtar dhe një figurë frymëzuese për historinë tonë. Do doja të përmendja një sekuencë të shkëputur nga libri, ku Rexhep Qosja në fjalën e tij për nder të 60-vjetorit të lindjes së bacës Adem, më 26 shkurt 1996. “Adem Demaci –Apostull i lirisë”, shprehet: “Inteligjenca shqiptare nuk do të bënte mirë të harronte se Adem Demaçi ka bërë burgje, kur shumë prej nesh kanë bërë karrierë politike a profesionale; ka folur me të madhe kur shumica prej nesh kemi heshtur; e ka thënë të vërtetën, kur shumë kush prej nesh nuk ka përtuar të shkruaj dhe të shqiptojë gënjeshtra; ka qëndruar drejt kur shumë kush prej nesh është gjynjëzuar me qejf; ka mbrojtur të drejten tonë për vetëvendosje, kur ne vetëvendosjen e kemi shpallur të sendërtuar ose kërkesë armiqësore; ka folur për pavarësinë e Kosovës dhe të trojeve të tjera me shumicë shqiptare, kur ne të tjerët jemi betuar në autonominë, si zgjidhje e çështjes së Kosovës për të gjitha kohët!… Ky botim i radhës i autorit, në një përmbledhje të kujdesshme të vlerësimit të Qosjes për Bacen Adem, nxjerr edhe një herë në dritë, në një plan e rrafsh tjetër intelektual madhështinë e figurës së Demaçit, si një personalitet që vjen në kohën dhe momentin e duhur, për të qenë në shërbim dhe vetëmohim për të mirën e popullit dhe Atdheut! Ky ishte Adem Demaçi, njeriu që me madhështinë , guximin, kurajon, trimërinë, ndërshmërinë, dashurinë e pakompromis për atdheun dhe kombin e tij,me pergatitjen e tij intelektuale na trasoi rrugën për të rezistuar e luftuar për ATDHEUN. Ashtu siç e ka perashkruar edhe profesor Qosja: ”Para vetes e para botës sot mund të mburremi, para se gjithash me qendresën madhështore morale të Adem Demaçit. E kjo është vepër që e leviz ndërgjegjen tonë dhe, duke lëvizur ndërgjegjen, e leviz historinë tonë”! Nuk mund të kuptohet rezistenca jonë për liri e pavarësi, lufta jonë për të jetuar të lirë e të pavarur, pse jo edhe të bashkuar me nënën Shqipëri, pa emrin, frymëzimin dhe idetë e të madhit Adem Demaçi. Nuk mund ta përceptojmë këtë liri e pavarësi pa emrin e tij, pa sakrificat e panumërta të popullit tonë, pa gjakun e të rënëve dhe luften e Ushtrise Çlirimtare të Kosovës.

Dua ta përmbyll fjalën time me një thënie të ish-Kryepeshkopit të Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Nik PRELA i cili e cilëson Adem Demaçin – Krishti i Shqiptarëve: “A e keni parë Krishtin ndonjeherë? Ja, ky burrë, Adem Demaçi është Krishti vetë! Çka ka bërë Krishti me tepër se ky? 28 vjet burg I mbajti ky burrë. Të numerosh deri në 28 është shumë , e jo më 28 vite t’i mbash në burg”! Duke ju falenderuar te gjithëve, një falenderim te veçantë e kam per autorin Selatin Novosela, i cili ka bërë një punë kolosale, për të përjetësuar figurën dhe vepren e të ndriturit Adem Demaçit dhe duke mbushur njëherësh boshllëkun e Akademisë se Shkencave, e cila fatkeqësisht, deri me sot, ka dështuar të përmbush detyrimin e saj profesional dhe moral ndaj bacës Adem.