Albspirit

Media/News/Publishing

Ruzhdi Gole: DIELL ME KUFJE

(prozë)

– Përplasa kokën në ajër…

– Përplase në ajër kokën? Po pse u
përplaska koka në bosh?

– Po, po përplaset koka edhe në bosh.
Koka plot.
– Të dhembi?
Shumë. Po dhe AJRI u ngjeth. Edhe ajrit i dhembin kryet.
M’u duk se ofshau.
– Ofshau ajri? Si ofshau, e pe, e dëgjove?
– Po, po, AJRI ndiu dhimba. Kur AJRI ndin dhimba ahere
ndijnë krisje gurët e gurët nisin të luajnë vendit, shkundin
baltën e squllët të tyre a ngricat e dimrit, shkundin shiun
e tetorit a rrezet përvëluese.
– Pse kaq shumë ngrica flenë te gurët?
– Po, po flejnë e zgjohen, zgjohen e kërcasin
– Kaq shumë baltra i lerosin gurët, kaq rreze i
ngrohin, i përcëllojnë dhe i djegin?
– Po, po, ngricat bëjnë sikur flenë mbi gurë. A si ke parë si
rrokullisen ato tek amfiteatri nga shkallët deri tek skena dhe
herët në mëngjes ngjiten këmbadoras nga skena e bëhen
shkallë?

– S’e besoj…
– A s’i ke parë baltërat që marrin rrokopujë rrugë e rrugica,
sheshe e shëtitore, kthina e gropa, gropa e rrëpira?

– E besoj…
– A s’i ke dëgjuar gurët dhe baltërat s’i zihen e rrihen me
njeratjetrën në qytet secila duke u mburrur për trojet e veta
duke shkelmuar e fluturuar të gllabërojnë pronën e tjetrit?
– Po pse edhe gurët, edhe ngricat
gllabërojnë njeratjetrën?
– Gllabërojnë – sikur më pyete? – Oj, të gllabëruar, oj të
përtypur, oj ç’të qëlluar, oj, ç’të gremisur.
– E besoj, s’e besoj, eh…
– Asnjera prej tyre nuk zë vend as këtu, as atje, unë e besoj
por edhe dyshoj. Rrugët ato që ishin janë edhe nuk janë
njësoj. Aty zgjerohen e plasin, aty ngushtohen në grykë
e pëlcasin. Eh, aty qeshin e mbajnë neone, stola e pemë
e lule në tabanin e tyre, aty psherëtijnë, zverdhen,
squllen… eh… eh…
– E besoj, s’e besoj, jetoj me gishtat tek petalet…
– Besoje pra… AJRI ka buzë të buta, por dhe brire sa s’ka.
Të puth e të godet. Dhe kë godet e puth? Të urtët e vet.
Më urtakët. Pemën që sapo doli nga stina e nxehtë, pellgun që
i shkriu ngricat por e zuri drithërima nga thatësira ndër fletë.
Dhe kë godet e puth? Lodrat e erës në breg.
-bEra luan në breg, në kopsht?
-bEra luan ku të dojë me rrasa e plasa, me cingël e gërnetë,
me bigaçe llastiku. Era, hera herës, vret syrin e vet, jo syrin
e të ligut.
-bEra paska sy? S’e besoj, e besoj…
-bA nuk ke dëgjuar s’e janë shurdhuar ca rrugë në qytetin
tonë, se janë verbuar qelqet e ca dritareve? Rrugët kanë
mbetur pa llagape ngaqë njerëzit e rrugëve ua shqyejnë dhe
ua thërrmojnë atyre llagapet në bashki kush t’ia zerë vendin
njeratjetrës. Dritaret kanë mbetur pa vazo mëngjesi. Dritaret
zgjohen, shkundin natën se mjaft u vyshkën nëpër natë,
por edhe agu i gjen me kërcinj të thatë
-bE besoj, s”e besoj, nata dhe dita janë e s’janë njësoj…
-Besomë mua, dita dhe nata kanë po ato duar, po ata sy,
po ata veshë, në mos njeratjetrës ia japin të njëjtat gjymyrë
herë të nxehta, herë rrebesh. Dita gatuan brumin, (ndoshta)
nata tinëzare brumin e helmatis.
-bPo rrugët ku takohen, ku ndahen?
-bGjithçka prej tyre është një, një e vetme, aty shembëllejnë
nga dhëmbët, aty grinden e shahen. Se edhe rrugët
shqepen, o njeri, për ndërtime të reja në qiell.
-bS’i dilka toka njeriut, si dilka asnjë breg e bregore, s’i dilkan
rrëpirat, grunjërat, plantacionet, revolucionet dhe luftrat
për ta mbajtur vet gjallë e paqtë
për të mos e shkatërruar këtë botë gjer në kockë?
-bNjeriut gjithçka i del e i tepëron,
njeriu gjithçka e ndërton me njerën dorë
dhe me tjetrën e thërrmon para syve të vet.
Përderisa deri tani ne s’njohim e s’kemi parë botë bote tjetër,
ahere këtu do shtohemi e do pakësohemi përhera (me drithërat, ujërat, sektet, sekset),
-bS’e besoj, më shkalafite fare…
-bPërderisa njohim veç këto tiparebtë motit,
(ç’stinëra jetojnë në botën dreq e kateq nëqoftëse ka tjetër botë),
ahere ne këtu do shpartallohemi e do shpallemi fajtorë të vërtetë
e gënjeshtarë të pafajshëm,
këtu do tokim duart plot gjemba të njeritjetrit,
do qafohemi e kafshohemi, do qafohemi e kafshohemi,
do përvëlohemi e ngrijmë… në pëqinjtë dhe portat e njeritjetrit.
– Më dhemb koka, po më plas, po më çahet…
– Qe besa, kjo është mbarësi e shkuar mbarësisë.
Një kokë që dhemb e çahet ka farë e mend,
diç prej kambane, diç prej rrezeje dhe… acari.
Jo kambanë bosh.
– Oh, ç’poetikë, oh…
– Çfarë ke, u plagose?
Po të lëndon AJRI, po të plagos cifla e gurit,
t’i dogji sytë vet’tima, t’i…
Hajde dalin shpejt nga kjo gjys’ përrallë e shkojmë nga bregu tjetër.
– Mua njësoj më duken të gjitha brigjet:
përralla, legjenda, heronj, dekorata, kuvende
me foltore zjarri e grushtash.
– Oooo, shiko, shiko, paska dal era me stetoskop,
paska dal Dielli me kufje në vesh,
paska çel agu me trandafil në buzë,
por si… si s’i pa askush?
As unë as ti, as tjetri, as tjetra.
As Ajri?!