Fahri Musliu: Bekim Fehmiu dhe jubileu që u hesht nga të gjithë
Derisa në fund të viteve të 60-ta, e sidomos në fillim të viteve të 70-ta, kur ai arriti në Hollywood, gati çdo shqiptar e shqiptonte me krenari emrin e Bekim Fehmiut (1 qershor 1936 – 15 qershor 2010) dhe vlerësohej edhe nga institucionet e pushtetit të asaj kohe, ndonëse iu dha vetëm një mirënjohje, në Kosovën e pasluftës, duket se filloi të harrohet, në fakt të injorohet…
Përkundër faktit që më 1 qershor nuk u shënua jubileu i 90-të i lindjes së aktorit më të madh shqiptar të filmit e me famë botërore, kujtoj se institucionet kompetente (qeveria qendrore dhe ato lokale si dhe Ministria e Kulturës dhe Drejtoritë Komunale të Kulturës) duhet ta shqyrtojnë mundësinë që ky vit të shpallet vit jubilar i lindjes së Bekimit me moton “Bekimi është gjallë”, me aktivitete konkrete nëpër të gjitha qendrat e Kosovës. Njëkohësisht, jubileut t’i bashkohen edhe institucionet shtetërore të Shqipërisë, të Maqedonisë dhe mërgata shqiptare
Më 1 qershor të këtij viti u mbushën 90 vjet nga lindja e Bekim Fehmiut, aktorit dhe artistit të madh me famë botërore, të cilin lirisht edhe mund ta quajmë shqiptari më i madh dhe më i njohur në skenën ndërkombëtare që nga vitit 1970 e deri më sot. Një jubile shumë i rëndësishëm të cilin do ta shënonte, në mënyrë madhështore e të denjë, çdo vend tjetër në rajon e botë, siç ndodh zakonisht me emrat e tillë të madhështisë së Bekimit siç janë: Marlon Brando, Al Paçino, Ava Gardner, Kirk Daglas, Alen Delon, ZH. Pol Belmondo, M. Mastrojani, Elizabet Tejlor, Irene Papas, Sofija Loren, Klaudia Kardinale …të cilët, me emrin dhe përkatësinë e vet, e kanë afirmuar popullin dhe kulturën e tij në suazat ndërkombëtare. Por për fat të keq, me ne nuk po ndodh kështu, jo vetëm në film por gati në të gjitha fushat e kulturës e të artit.
Derisa në fund të viteve të 60-ta, e sidomos në fillim të viteve të 70-ta, kur ai arriti në Hollywood, gati çdo shqiptar e shqiptonte me krenari emrin e Bekimit, me emrin e të cilit i pagëzonin me të madhe edhe fëmijët e vet, dhe vlerësohej edhe nga institucionet e pushtetit të asaj kohe, ndonëse iu dha vetëm një mirënjohje, në Kosovën e pasluftës, duket se filloi të harrohet, në fakt të injorohet – jo nga popullata e adhuruesit e tij gjithandej hapësirës shqiptare, veç nga pushtetet e ndryshme, me ndonjë përjashtim.
Mirëpo pas vdekjes së tij e cila e tronditi mbarë opinionin shqiptar, më 15 qershor 2010, shumë shpejt u zbeh interesimi për këtë ikonë të filmit dhe krenari kombëtare. 85-vjetori i lindjes së Bekimit, në Prishtinë u shënua zyrtarisht në organizimin e MKRS-së e në solemnitet mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti i cili pati deklaruar: “Në kujtesën tonë kolektive gdhenden ngjarje të rëndësishme e figura të mëdha. Një nga figurat qendrore të identitetit kulturor është edhe Bekim Fehmiu. Ai ishte i yni aq sa ishte i të tjerëve. Ai me rolet e tij shpaloste talent të rrallë artistik. Filmat, seritë dhe shfaqjet ku luajti kanë fituar çmime botërore. E ndiej si obligim personal edhe shtetëror nderimin, mbrojtjen dhe dokumentimin e jetës dhe veprës së Bekim Fehmiut”, dhe pati shtuar: “Qeveria e Kosovës me kujdes do të kurojë një program vjetor për jetën dhe veprat e tij”.
Por të gjitha këto vlerësime e premtime i mori era, sepse asnjë nga ato nuk u realizuan gjatë pesë vjetëve të shkuara të Qeverisë Kurti.
Vendimi që e tronditi opinionin e ish-Jugosllavisë
Ka njerëz, biografia e të cilëve tingëllon si legjendë, por legjenda gjithmonë ka një faturë dhe atë faturë Bekim Fehmiu filloi ta merrte që para se të kuptonte ç’ishte skena. Tri raste janë çuditërisht të sakta dhe e tronditën skenën kulturore kosovare e jugosllave: Braktisja e “Halmetit” në Teatrin e Prishtinës, më 1982; Braktisja e shfaqjes “Madam Kollontajn” në Teatrin Jugosllav të Dramës në Beograd, pas premierës ku luajti me mjeshtri, njëkohësisht, dy figura kundërthënëse politike – Leninin dhe Stalinin, kur edhe përfundimisht i tha lamtumirë aktrimit në ish-Jugosllavi; dhe Akti i Vetëvrasjes.
Bekimi u lind më 1 qershor 1936, në Sarajevë, ku familja e tij ishte dëbuar nga trojet shqiptare për shkak të aktiviteteve patriotike të babait Ibrahim dhe përndjekjeve që ia bënte pushteti i Jugosllavisë dhe Shqipërisë së atëhershme. Në kujtimet e Bekimit paraqitet edhe ora e saktë e lindjes, 18:30 dhe shton se ka lindur i mbështjellë me këmishë, siç i ka treguar nëna, e që ashtu lindin shumë rrallë fëmijë.
Pra lindja ndodh si me program të paraparë. Si provë se jeta ka filluar në mënyrë të rregullt, sipas rendit, sipas rregullit, dhe se më vonë dikush do të duhet të përgjigjet kur ai rend të prishet. Menjëherë pas kësaj vjen një detaj që duket i vogël, por mban peshën e shumë konflikteve të ardhshme. Emri dhe mbiemri. Babai i tij, Ibrahimi e ka bartur mbiemrin Ymer Halili, por pas mbarimit të Medresesë në Shkup, ku aftësohet për imam dhe mësues, ai e ndryshon atë në Fehmiu, që e ka kuptimin “i zgjuar, i arsyeshëm, i shquar, i kuptueshëm,” , siç e vlerësonin edhe të tjerët. Ndërsa Bekimi – i bekuar. Realiteti është kujdesur që këtij emri t’i japë menjëherë një dëshmi, sepse Bekimi nuk rritet në ritmin e qetë të një rruge, të një shkolle, të një gjuhe. Qysh i vogël mëson diçka që shumë njerëz e kuptojnë vetëm kur plaken – kufijtë nuk janë vija në hartë, kufijtë janë njerëz, uniforma, letra, vula… një kundrim që të mat dhe vendos nëse i përket!
Në vitet para luftës, midis 1939 dhe 1941, familja e tij nga Sarajeva transferohet në Shkodër, në Shqipëri nën pushtimin italian, e dy vjet më vonë kthehet në Kosovë, në Prizren. Nuk janë këto udhëtime që mbahen mend nga kartolinat, mbahen mend nga valixhet, nga heshtja në shtëpi derisa diçka paketohet, nga tingulli i mbylljes së bravës, nga mënyra se si të rriturit pushojnë së foluri normalisht dhe fillojnë të flasin shkurt, me pëshpëritje… sikur muret të kishin veshë. Një fëmijë që ende nuk ka arritur të lidhet me një dhomë, e veç e mëson se dhoma është e përkohshme. Një fëmijë që e kupton herët se shtëpia nganjëherë nuk gjendet, por mbartet në vete dhe ti, deshe a jo, bëhesh njeri me dy lloje të jetës: Atë që jeton dhe atë që e fsheh. Aty, në atë rrugë, midis Sarajevës, Shkodrës dhe Prizrenit, lind gjëja thelbësore.
Bekim Fehmiu që në fillim jeton si dikush për të cilin identiteti nuk i është falur, por i është ndërtuar. Emri i tij do të thotë i bekuar. Por i bekuari në këtë tregim nuk është diç e butë – është sfidë, obligim. Fjalë që të ndjek si ironi kur vjen padrejtësia e parë, e ajo vjen gjithmonë qetë, jo si shpërthim. Si trokitje në derë, si një letër që dikush e sjell, si shikim që të thotë se rregullat nuk kanë të bëjnë njësoj për të gjithë.
Dhe prandaj ky tregim nuk fillon me film, nuk fillon me qilim të kuq, nuk fillon me famë, por fillon me kohën e saktë të lindjes dhe me një fëmijëri që shpërngulet si të ikte, dhe e përfundon këtë fazë të parë me ndjenjën që mbetet nën lëkurë. Nëse jeta të mëson që në fillim të paketosh, një ditë do të duhet të vendosësh çfarë nuk mund ta paketosh dhe ta marrësh me vete.
Në kapitullin tjetër vjen llogaria e parë e vërtetë e asaj familjeje – jo në skenë, jo para publikut, por atje ku është më keq kur të godasin – në shtëpi, përmes atyre që i do më tepër. Gjithçka mund të paketohet, do të thoshin të rriturit, por ekziston diçka që nuk e zë asnjë valixhe… Çasti kur e kupton se familjen mund të ta thyejnë pa asnjë shpjegim dhe pyetja që më pas digjet në kraharor… Nëse kanë mundur ta marrin atë, çfarë do të marrin ty nesër?
Babai i Bekimit nuk ishte njeri me pushkë, as njeri me parullë në buzë; ishte punëtor i arsimit, pedagog. Njeri nga shkolla dhe letra. Dikush që besonte se jeta mund të mbahej në rregull: Orari i orëve, ditari, zilja, dërrasa e zezë, shkumësi në gishta, numëratorja. Njerëz të tillë në shtete normale kalojnë pa u vënë re dhe mbeten të kujtuar për nga nxënësit. Në shtete të këqija, njerëz të tillë mësojnë ç’do të thotë kur fjala bëhet vetëm maskë. Atë, herën e parë, e marrin gjermanët, jo sepse kishte bërë diçka dramatike si në filma, por për shkak se në okupim fajësia shpesh zgjidhet paraprakisht, kurse provat regjistrohen më vonë. Në shtëpi mbetet era e ajrit të ftohtë dhe zëri i hapave që po largohen. Nuk ka muzikë heroike, vetëm vend bosh rreth tavolinës. E pastaj, sikur kjo të mos kishte mjaftuar, i njëjti njeri bëhet shënjestër edhe pas luftës. Pushtet i ri, rregulla të reja, fytyra të reja… por shprehia e vjetër. Kur sistemit i duhet fajtor, ai e gjen. Babai përfundon para gjykatës, në procesin që ishte i montuar. Letrat janë në rregull, vulat e sakta, fjalitë tingëllojnë si të vërteta, por nga brenda janë bosh. E tillë është ajo drejtësi, formalisht e pastër, por njerëzisht e pistë.
Për Bekimin ky nuk është leksion nga gazetat, por një plagë familjare… moment kur kupton se dinjiteti nuk humbet menjëherë, por me prerje të vogla. Njëherë ta marrin zërin, herën tjetër ta marrin emrin, herën e tretë ta marrin të drejtën për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur… dhe çdo herë kjo duket legale. Pastaj vjen pjesa më e keqe e këtij lloji tregimi – fundi nuk është spektakël, por heshtje. Babai del nga burgu, por nuk del nga pasojat. Menjëherë pas lirimit, më 1951, vdes. Sikur ta kishin liruar vetëm aq sa në letër të thuhej – i lirë, e në realitet të përfundohej ajo që veç e kishin nisur. Ku pas kësaj? Nuk ka fjalime të mëdha, nuk ka fjalë të mëdha, vetëm shikimet e të rriturve, të cilët përnjëherë kuptojnë se nuk guxojnë as të flasin me zë të lartë, dhe fëmija që e vështron atë frikë dhe e thith. Jo si frikësim, por si instinkt.. Hesht, shtrëngo dhëmbët, mbijeto!
Por Bekimi në atë shtëpi nuk e mëson vetëm frikën, ai mëson edhe një gjë të kundërt – se poshtërimi nuk është kurrë vetëm poshtërim, se ai mbetet si helm në njeriun, dhe se njëherë duhet ta nxjerrësh jashtë ose do të hajë nga brenda. Dhe prandaj, më vonë, kur t’i ofrojnë kompromise, ai nuk do të reagojë si njeri që i intereson karriera, me çdo kusht. Do të reagojë si bir që ka parë se si njeriut i merret jeta nën vulë.
Ky kapitull mbyllet me një fakt të thjeshtë: në familjen e tij drejtësia nuk ishte ide, por përvojë. Dhe nga ajo përvojë lind një uri që asgjë nuk mund ta ngopë. Jo uri për famë, por uri për një hapësirë ku nuk mund të ta mbyllin gojën me një letër të vetme. Nëse sistemi mund ta marrë babanë pa plumb, ku të mbetet ty për ta kundërshtuar?!
Bekimi së shpejti e gjen vendin ku flitet me zë të lartë, para njerëzve… dhe ku çdo fjali është betejë për dinjitet. Dhe pikërisht aty, në atë vijë midis artit dhe realitetit, do të nisë ngritja e tij që do të jehojë shumë përtej botës së tij. Pas atij aktgjykimi dhe vulës, që e gëlltitën shtëpinë e tij, Bekimi zgjedh vendin e vetëm ku njeriu mund të flasë me zë të lartë përpara të tjerëve – SKENËN. Për një vit ai zë e shpërthen tavanin sikur të mos kishte qenë fare.
Viti i kthesës – 1967, Festivali i Cannes dhe Hollywoodi
Pas disa sukseseve në rolet kryesore të filmave jugosllavë, më 1967 xhirohet filmi “Skupljači perja“ (Mbledhësit e puplave) dhe në botë njihet si “I Even Met Happy Gypsies” (Madje takova cigan të lumtur), ku Bekimit i jepet roli kryesor i shitësit të puplave, ciganit Beli Bora. Titulli tingëllon modest, gati varfanjak, por filmi nuk luan në modesti. Ai godet drejtpërdrejt në nerv: Papastërti, pasion, uri, krenari. Ajo lloj jete që nuk zbukurohet, sepse zbukurimi do të ishte gënjeshtër, e në qendër të kësaj Bekimi. Ai nuk është vetëm aktor në kuadër, por figurë që e bartë skenën sikur e ka thikën në mëngë. I qetë nga jashtë, por i ashpër nga brenda. “Mbledhësit e puplave” konkurron në Festivalin e njohur ndërkombëtar të filmit në Cannes të Francës. Cannes jo si aheng argëtim, por si makinë, ku vendosin kriteret e ashpra. Aroma e parfumeve të shtrenjta e përzier me aromën e cigareve, shushurima e fustaneve, shkrepja e fotoaparateve, pëshpëritjet në gjuhët që nuk i kupton deri në fund, por i kupton nga toni. Këtu vendoset kush është i vlefshëm, kush është kalues, kush është zbulim e kush është rastësi. Dhe në atë makinë, filmi nga Jugosllavia hyn si i paftuar, i panjohur. Jo sepse nuk ka cilësi, por sepse vjen nga periferia, dhe periferisë gjithmonë i matet së pari pasaporta e vetëm pastaj talenti. Por, do si do, ndodh ajo që ndodh rrallë – filmi nuk mbetet ekzotik. Në Cannes merr Çmimin e Jurisë dhe atë barabar me filmin tjetër “Accident”. Krahas kësaj vjen edhe mirënjohja nga kritikët e filmit. Çmimi “Fipresci”. Dy konfirmime nga dy botë. Njëra e pushtetit, tjetra e shijes. Në përkthim, nuk është kjo duartrokitje e çastit, por hyrje në regjistër… Këtu ndryshon edhe fati i Bekimit. Deri dje, ai mund të ishte një aktor i madh në vendin i cili vazhdimisht ia shpjegon vetes kush është dhe çfarë është.
Nga ky moment ai bëhet person që nuk mund të futet më në sirtar.
Në Jugosllavi, ai nuk është më një tregim rajonal – nuk është i dikujt, por bëhet figurë e gjithë vendit. Tingëllon si kompliment, por është edhe kurth. Kur bëhesh simbol, të tjerët fillojnë të të përdorin si dëshmi për idetë e veta. Disa të shfaqin si trofe hapjeje, të tjerët të shohin si dëshmi të rrezikshme se kufijtë mund të kapërcehen, të tretët të duan sa hesht, e tremben kur flet. Në atë eufori ka diçka brutale, sepse suksesi nuk vjen si dhuratë në një kuti me fjongo, por vjen si reflektor që të zhvesh. Përnjëherë të gjithë të shohin. Përnjëherë nga ti kërkohet vazhdimisht buzëqeshje. Përnjëherë ta shtrëngojnë dorën njerëzit të cilën në një kohë tjetër do të kthenin kokën anash. E ti qëndron në mes, nën drita dhe e kuptosh se skena është shpëtim, por edhe një lloj i ri paraburgimi. Tani nuk të mbajnë më aferimet/lëvdatat, veç pritjet. Por të mos aktrojmë cinizmin deri në fund. Ekziston edhe ai gëzim i pastër, i rrezikshëm. Njeriu që është shpërngulur nga jeta, nga një familje që ka mësuar çfarë do të thotë kur sistemi të bluan. Rrinë në qendër të botës dhe merr konfirmimin se zëri i tij vlen. Se nuk do të ishte i detyruar të hiqte dorë nga vetja që ta dëgjonin. Se është e mundur të fitosh pa leje. Dhe pikërisht për këtë, ky çast dhemb paraprakisht. Sepse, sapo Cannes të nxjerrë në sipërfaqe dhe të shpallin botëror, nuk mbetesh më në oborrin tënd. E gjithë kjo nuk të thërret që të të kuptojë. Bota të thërret që të të blejë. Pas Cannes, nuk të pret vetëm fama, por të pret tregu, të pret Perëndimi me rregullat e veta, me buzëqeshjen e vet dhe me ftohtësinë e vet. Atje nuk do të pyesin kush je, por çfarë je dhe sa herë mund të të shesin në të njëjtin paketim. Tregu e priti me buzëqeshje dhe me shtrëngim duarsh për t’i thënë: “Mirë se erdhe, tani je yni”. Menjëherë pas kësaj vjen pyetja që tingëllon e ftohtë dhe praktike – çfarë saktësisht po shesim kur po e shesim Bekim Fehmiun.
Pasaporta për ta kaluar Atlantikun
“Mbledhësit e puplave” ia hapën derën për rolin kryesor në Itali, në serinë televizive “Odiseja”, sipas Homerit, ku gjithashtu shkëlqen dhe seria shpallet realizim më mirë televiziv i të gjithë kohëve, në realizimin e RAI Uno. Kjo seri ishte edhe pasaportë për Bekimin për ta kaluar Atlantikun. Më 1970, nga kompania më e njohur e prodhimit të filmit në SHBA “Paramount Pictures”, i arrin oferta e ëndërruar për rolin kryesor, në filmin “The Adventurers” (Aventurierët), si roli i parë i madh kryesor, me të cilin Bekimi futet në dyert e hekurta të Hollywoodit. Dhe me këtë e realizon obligimin dhënë vetvetes dhe nënës Dije.
Pra kjo letër ofertë ishte biletë hyrëse në ligën ku nuk të shohin më si aktor nga Jugosllavia, por si një personazh që mund të mbushë kinematë. Në praktikë, hyn në dhomën ku të gjithë flasin ngadalë e qetë, por vendosin shpejt. Nëpër zyra kanë kolltukë me erë lëkure, shtypjen e freskët të skenarëve – njerëzit nuk të pyesin kush je, të pyesin si dukesh nën reflektorë dhe si qëndron tregimi në vijat e fytyrës sate. Në fillim, gjithçka duket si fitore. Kamera është më e madhe, buxhetet janë më të mëdha, gardëroba të zgjidhet sikur të ishe mbret, e jo aktor. Nëpër korridoret e studios kalojnë njerëz që mbajnë hartat e botës në xhep. Sot Roma, nesër Londra, pasnesër Los Angeles… e ti shkon pas tyre dhe mendon – ja, e kalova kufirin që të tjerëve u dukej i pakalueshëm. Filmi del. Vjen ajo që publiku dëshiron ta harrojë, nuk kanë sukses të gjitha projektet e mëdha. “The Adventurers” , projekti më i shtrenjtë deri atëherë (15 milionë dollarë) kalon keq, jo pse publiku nuk e pëlqeu por sepse kritikat e gazetarëve nuk e kursyen. Ai dështim i ngjitet aktorit si etiketë në valixhe. Mirëpo…
Të nesërmen pas premierës
Titujt në gazeta janë të ashpër, fjalitë e shkurtra, të pamëshirshme. Nuk është fer, por është standarde. Në atë industri, mossuksesi nuk ndahet barabar. Producentët zhduken, skenaristët mbijetojnë në punën tjetër, ndërsa personazhi mbetet në pllakat si fajtori që mbahet mend lehtë. Këtu fillon kurthi i vërtetë. Kur një herë nuk kalon si i ri i madh, tregu të ofron variantin e sigurt… Nuk të pyet çfarë dëshiron të luash, të ofron atë që ata mendojnë se publiku mund ta përpijë pa pyetje.
Rolet në tregime historike, figura ekzotike, fytyra nga Lindja që rrinë bukur në kuadër, por rrallë marrin të drejtën për tregim e plotë të brendshëm. Ai lloji i komplimentit që të trazon stomakun – Je perfekt për këtë. Dhe ti e di që “kjo” do të thotë kafaz me pamje luksoze, por megjithatë ai nuk ikën. Përkundrazi, punon. Me vite të tëra. Gati dy dekada endet nëpër atë sistem perëndimor. Nëpër produksione të ndryshme, vende të ndryshme, gjuhë të ndryshme dhe regjisorë të ndryshëm. Nuk është aventurë romantike. Është maratonë: avionë, aeroporte, hotele, ndeje, pritje, kontrata të reja, buzëqeshje të reja dhe të njëjtat pyetje. Kur je në anën tjetër, duhet nga e para të dëshmohesh, sepse ti je gjithmonë i huaj edhe kur je i suksesshëm. Aty lind e vërteta e madhe, e pakëndshme. Karriera ndërkombëtare mund të të japë pamje madje edhe famë, por të ta vjedhë gjerësinë. Bëhesh i njohur për atë që të tjerët shohin në ty, jo për atë që ti e bartë në vetvete. Kurse Bekimi mban në vetvete shumë më tepër se një tip. Mban atë vulë, atë alergji ndaj padrejtësisë, nevojën për të mos u përkulur para rregullave të të tjerëve.
Vetëm se në Perëndim padrejtësia nuk vjen në uniformë dhe nuk vjen te dera. Vjen si ofertë, si kontratë. Si pëshpërimë – bëje këtë kështu, publiku këtë e do! Si buzëqeshje që të premton vazhdimin dhe shtrenjtë ta paguan. Më e keqja është se e gjithë kjo duket e pranueshme, askush nuk të detyron, askush nuk të kërcënon, vetëm ta sqarojnë se ky është realiteti. Njeriu ose thyhet ose forcohet. Bekimi forcohet. Vazhdon të punojë, por fillon ta matë çmimin. Sa herë që pranon të bëhesh “dekor”, kthehet në hotel dhe shikon veten në pasqyrë, sikur e verifikon sa të ka mbetur. Roli tjetër të vjen si e njëjta kuti, por me etiketë tjetër.
“Jemi krenarë me ty, por…”
Në Kosovë e përjetojnë si ikonë, si tonin që ia doli. Sërish, po ashtu qëndron ajo që e pengon shumëkënd – nuk e ndërtoi famën në filma krejtësisht shqiptarë dhe shpesh luajti në serbo-kroatisht. Sikur dikush të të thotë – “jemi krenarë me ty, por nuk përputhesh deri në fund”. Sepse “je i martuar me serbe”, “po jeton në Beograd, nuk luajtët në asnjë film shqip”! Pra sikur ta pranojnë fitoren, por të refuzojnë të nënshkruajnë paqen. Në 90-vjetorin e lindjes së ikonës botërore të filmit, Bekim Fehmiu
Pas viteve të atij kafazi të lustruar, lind mendimi që e ndryshon drejtimin – ndoshta lufta e vërtetë nuk është atje ku janë reflektorët më të mëdhenj, ndoshta “lufta e vërtetë fillon kur kthehesh atje ku emri yt thotë diçka… ku mbiemri të ngjall reagim, ku gjuha t’i mbyll dhe t’i hap dyert”.
Pikërisht atëherë, kur të tjerët vazhdojnë ta ndjekin angazhimin e radhës në Perëndim, ai fillon të kërkojë rolin që nuk e shet fytyrën e vet, veç e rrëzon përfytyrimin për të. Rolin i cili nuk luhet për tregun, por kundër klisheve. Rolin që merret si përgjigje, thuajse si sfidë. Dhe ajo sfidë do ta çojë mbrapa në rajon. Drejt e në hapësirën ku arti pushon së qeni argëtim dhe bëhet detonim politik. Rolin e kërkoi si thikë, jo si zbukurim. Dhe, kur më në fund pranoi një rol që mund t’i presë klishetë, e kuptoi se në rajonin e tij, as Shekspiri nuk luhet vetëm për shkak të Shekspirit.
Bekim Fehmiu qysh atëherë ishte ai të cilin njerëzit e shqiptonin si dëshmi, dëshmi se mund të kalohet nga periferia në qendër, nga një tregim në tjetrin. Nga një lëkurë në tjetrën. Dhe pikërisht aty qëndron ajo e vërteta e pakëndshme. Kur bëhesh simbol, pushon të qenit vetëm njeri. Nisin të të ngrehin nga të gjitha anët, si flamurin të cilin çdokush do ta ketë në ballkonin e vet, e tek ai ky simbol ishte veçanërisht i papërshtatshëm. Në Kosovë, e përjetojnë si ikonë, si tonin që ia doli. Sërish, po ashtu qëndron ajo që e pengon shumëkënd – nuk e ndërtoi famën në filma krejtësisht shqiptarë, dhe shpesh luajti në serbo-kroatisht. Sikur dikush të të thotë – “jemi krenarë me ty, por nuk përputhesh deri në fund”. Sepse “je i martuar me serbe”, “po jeton në Beograd, nuk luajtët në asnjë film shqip!!!” Pra sikur ta pranojnë fitoren, por të refuzojnë të nënshkruajnë paqen. Për publikun nga jashtë kjo mund të tingëllojë si imtësi, por për njeriun që bartë mbiemrin dhe prejardhjen në rajonin i cili i mat rruazat e gjakut si argument, është minë.
Çdo fjali që e shqipton në një gjuhë bëhet armë në dorën e tjetrit. Çdo zgjedhje, madje edhe profesionale, fiton çmimin politik dhe prandaj kur atij, në periudhën nga nëntori 1981 deri në janar 1982, i ofrojnë të luajë “Hamletin” në Teatrin Popullor Krahinor në Prishtinë, ky nuk është vetëm angazhim, por thirrje për dyluftim. Bekimi pranoi me dëshirë që para publikut të Prishtinës të flasë shqip, sepse për këtë shpesh e kanë akuzuar në Kosovë. Mirëpo, duket se në qytetin ku identiteti lexohet nga fytyra, “Hamleti” nuk është vetëm princ që mendon për vdekjen, por njeri që shtron pyetjen: Kush vendos çka është e vërtetë dhe çka është rrenë? Kush e përcakton kush është i yni e kush i tyre. Kush ka të drejtë të flasë dhe kush duhet të heshtë. Bekimi e pranon dhe ky pranim ka një qëllim të ftohtë, të saktë. Të thyejë klishetë mbi shqiptarët. Jo me tregim a narracion, jo me pamflet, por me armën më të rrezikshme të kulturës. Me rolin e madh të cilin të gjithë e kuptojnë. “Hamleti” është universal, por në Prishtinë atyre muajve universalja nuk ekziston. Çdo universalitet përkthehet menjëherë anash dhe pikërisht për këtë ai hyn në të. Të tregojë se skena mund të jetë më e gjerë sesa llogoret. Teatri, aroma e pluhurit prapa skenarëve, dërrasat që kërcasin nën hapa, gardëroba ku aktori zhvishet në një njeri tjetër. Kurse jashtë qyteti që gumëzhin nga dyshimi, tregimet…
Bekimi e bart “Hamletin” si mburojë. Nuk është kjo mburojë prej metali, por prej teksti: fjalitë që u kanë mbijetuar mbretërve, luftërave dhe revolucioneve. Kur del në skenë dhe shqipton “Të jesh apo të mos jesh” – ai nuk e luan dilemën vetëm të një personazhi, ai e luan dilemën e një vendi të tërë që po pëlcet nga të gjitha anët. Këtu vjen ai çasti që njëkohësisht është i neveritshëm dhe madhështor:
Madhështor, sepse ky është guxim, të marrësh dramën më të njohur në botë dhe ta hedhësh në zjarrin e urrejtjes lokale, sikur ta shuash zjarrin me duar boshe.
I neveritshëm, sepse e dinë që një pjesë e publikut nuk do të vijë ta shohë “Hamletin”, veç të shohë atë; jo ta dëgjojë Shekspirin, por t’i numërojë shqiptimet e fjalëve, të peshojë çdo intonacion… të kërkojë hapin e gabuar, fjalën e gabuar ose çfarëdo qoftë që mund të kthehet kundër njeriut. Skena nuk mbaron me perden, vazhdon në korridorin e hollit të teatrit, në titullin e gazetës. Në pëshpëritjet pas shpine, dhe Bekimi e di këtë. Nuk shkon atje që t’i duartrokasin, por që të bëjë pëlcitje në mur. Dhe pikërisht kur mendon se ai mur do të lëvizë për një çast, shfaqet një mur tjetër, më i keq… Mur që nuk vjen nga publiku e politika, por nga brenda. Nga vetë makina që duhet të mbrojë artin. Gardërobës i vjen era pudër dhe arrogancë.
Ndërsa ditët e janarit afrohen, “Hamleti” ende nuk ka arritur te publiku, kurse rreth Bekimit fillon të shtrëngohet rrethi, dhe jo rreth i censurës në letër, por rreth i hapave të vegjël, i shikimeve të ftohta dhe fjalish të thëna aty-këtu, që mbajnë erën e më të keqes; në poshtërimin që po ta përgatisin derisa ti ende je në prova dhe beson se skena është e shenjtë. Ndërsa dyert e tjera janë të tmerrshme. Sepse në Prishtinë nuk do të jetë vendimtare se si e shqipton Shekspirin, por nëse fare do t’i lejojnë ta shqiptojë. Nuk ishte më çështja nëse “Hamleti” do të ishte i mirë, por nëse do t’i lejohej që në ndërtesë të qëndronte sa duhet gjatë për ta shqiptuar.
E braktisi “Hamletin” sepse s’e pranoi injorancën
Fundi i janarit i vitit 1982. Teatri i Prishtinës duket si çdo institucion tjetër para pëlcitjes – jashtë fasada, brenda nervozizëm. Në korridore dëgjohet kërcitja e dyshemesë dhe bisedat pa zë të cilat ndalën sapo dikush të afrohet. Gardëroba mban erë pudër dhe tym të krijuar, kostumet varen në varëse si lëkurë e huaj gati për t’u veshur, ndërsa njeriu poshtë tyre ndien se rreth tij po mbyllen dyer që nuk janë në skenë, dhe ai është, në kuptimin formal, njëri që tashmë ka fituar. Bekimi e vëren se regjisori anglez nuk ka njohuri me teatrin dhe e zbulon se ai është pa kualifikime dhe i panjohur në Angli. Dhe ai, si profesionist i kalibrit të lartë dhe perfeksionist, tërhiqet nga vazhdimi i përgatitjes së shfaqjes dhe e braktis “Hamletin”.
Cannes ishte vulë, Perëndimi ishte dëshmi, emri i madh që tani më ishte i njohur gjithandej. Të tillin, në tregimin normal, do ta prisnin si përforcim, por këtu tregim normal nuk ekziston. Këtu përforcimi është i rrezikshëm, sepse sjell publikun, gazetarët, pritjet. Sjell dritë në hapësirën ku gjërat bëhen në gjysmerrësirë…Vjen çasti që e mbyt aktorin më shpejt se sa kritika e keqe. Nuk vjen nga faqja e parë e gazetës, nuk vjen si ndalim publik, vjen si një këshillë dashamirëse, e thënë ftohtë, pothuajse miqësisht – “Është më mirë të shkosh”. Të largohesh, që të mos bëhet skandal. Kjo fjalë “skandal“ këtu nuk do të thotë zhurmë, por do të thotë se dikush është gati të të përdorë si shkëndijë, që shfaqja të shndërrohet në përleshje. Që ardhja jote, zëri yt, prania jote të shndërrohen në problem të cilin më pas të gjithë do ta zgjidhin, por askush nuk do të përgjigjet.
Dhe prandaj të ofrojnë rrugëdalje që nuk është rrugëdalje…Tërhiqu vetë, dhe do të duket sikur ke zgjedhur paqen. Bekimi nuk largohet si njeri që humb rolin, por si njeri që e njeh mekanizmin. Po ai i cili dikur erdhi për babanë e vet, vetëm se tani me dorëza të bardha. Nuk të përcjellin më nën roje, vetëm të shpjegojnë se je pengesë dhe presin që të largohesh vetë. Poshtërim që ka shije metali në gojë sepse, nëse ke ardhur për të thyer klishetë dhe të presin kështu që të të nxjerrin jashtë procesit, atëherë të rekomandojnë: “Nuk është problem në aktrimin tënd, problemi është te paraqitja jote, te pesha jote, në faktin që je shumë i madh që të mund të të kontrollojnë. Tani vjen ajo oferta djallëzore që në jetë gjithmonë servohet, vetëm gëlltite. Vetëm kapërce mbi këtë. Vetëm vazhdo përpara. Artisti në ty thotë se skena është e shenjtë, pragmatisti thotë se shenjtëritë ndryshojnë, ndërsa faturat mbeten. Mjafton të buzëqeshësh, të falënderohesh, të thuash se je i lodhur, se është mosmarrëveshje dhe nesër përsëri je në pllakat.
Por, Prishtina ndodhi. Dhe pasoja është e momentit, pas kësaj ofertat vazhdojnë të arrijnë, por vijnë me kushte të caktuara. Në skenarë zhvendosen gravitacionet, fjalitë zbukurohen, kuptimi përshtatet. Me fjalë të tjera, kërkojnë të hysh në tregim, por të dalësh nga e vërteta jote. Të luash, por të mos pickosh. Ai lloji i ofertës ku më parë të lavdërojnë rrejshëm – je i shkëlqyer, na duhesh, dhe pastaj, në të njëjtin frymë shtojnë – vetëm që kjo të ndryshojë pak. Pak. Gjithmonë pak. Pak më pak e ashpër, pak më pak e direkt, pak më pak – ty. Dhe ajo pak është pikërisht ajo për të cilën ke pranuar të jesh aktor.
Bekimi fillon të refuzojë. Jo në mënyrë dramatike, jo nga pozicioni i një martiri, por thjesht – JO. Kur e heton kompromisin që kundërmon në riparimin e karakterit dhe barazimin e konfliktit, ai i mbyll dyert. Dhe me këtë i krijon vetes edhe një lloj tjetër burgu. Atë që e zgjedh vetë. Mbetesh pa punën që shumëkush do ta grabiste me të dyja duart, por mbetesh me kurriz. Këtu ndodh kthesa që publiku shpesh nuk e sheh. Nuk është thelbi në faktin se dikush është kokëfortë, thelbi është se njeriut i ofrojnë vetëm dy lloje rolesh: atë që e shndërron në dekor ose atë që e shndërron në problem – e ai refuzon të jetë edhe njëri edhe tjetri.
Kur refuzon, mbetesh vetëm me heshtjen, jo me atë heshtjen romantike të artistit, por me heshtjen e korridorit pas dyerve të mbyllura. Kur dëgjohet vetëm frymëmarrja jote. Çasti kur vendoset çfarë të është më e rëndësishme. Të jesh në pllakat ose të dinë pse je aty. “Prishtina ia mori Hamletin, por i dha diçka më të rrezikshme. Imazhin e qartë”. Nëse sistemi nuk mund të të blejë, përpiqet të të nxjerrë largojë. Dhe, nëse të largon, hapi tjetër është të detyrojë të heshtësh. Mirëpo, Bekimi, ende nuk është gati të heshtë. Së shpejti do të flasë publikisht. Qetë dhe saktë. Sikur të shkruaj procesverbalin e një kohe që po prishet. Dhe kur ta thotë këtë, shumë do ta kuptojnë se ai nuk humbi në Prishtinë, ai atje vetëm e kuptoi kundër kujt po luante. Pas Prishtinës, nuk kishte më vend për iluzione. Por Bekimi ende nuk ishte gati të kalonte në atë gjendjen më të kërkuar në vend – heshtjen e denjë.
Tetor, 1982: Diku nën dritën gri…
Diku nën dritën gri të redaksisë, ose të studios, në hapësirën ku ajri gjithmonë ka erë letre dhe duhani, Bekimi rri ulur dhe flet qetë, gati ftohtë. Jo si aktor që e shet emocionin, por si një njeri që mban procesverbalin e defektit. Dhe pikërisht këtu qëndron goditja. Kur artisti të drejtohet me tonin e një kontabilisti, do të thotë se gjendja ka kaluar në fazë të rrezikshme. Ai atëherë nuk flet për rolet, nuk kërkon keqardhje, nuk shpjegon se çfarë i bënë… Ai e shikon imazhin më të gjerë dhe e thotë atë që në atë atmosferë ishte qartë e pakëndshme – pushteti mund të humbasë besimin e punëtorëve dhe të popullit, dhe kjo nuk është metaforë, është diagnozë. Ajo që të gjithë e ndiejnë në stomak dhe nuk guxojnë ta thonë, sepse kur njëherë e thua, nuk ka më kthim mbrapa në normale, dhe menjëherë pas kësaj vjen fjala që tingëllon si term teknik, e në realitet është shkrepës. Koncepte të ngushta nacionaliste. Jo nacionalizëm si sharje në gazetë, por si mekanizëm konkret. I ngushtë, i ngushtuar me qëllim, si kur dikush të mbyllë dritaren dhe të thotë se e bën për shkak të rrymimit, por në të vërtetë nuk do të hyj ajri i freskët.
Sikur të të shpjegojnë se është më e lehtë që njerëzit të ndahen në etiketa, që gjithçka të reduktohet në “tanët” dhe “të tyre”, sepse ashtu më lehtë e kontrollon frikën, e frika është kartëmonedha më e lirë. Këtu Bekimi bën një mençuri të rrezikshme, ai e zhvendos fokusin nga individi në sistem. Nuk polemizon me një njeri, nuk përgjigjet në një fyerje, ai godet vetë konstruksionin. Nëse besimi humbet, nëse shoqëria minohet nga brenda, atëherë gjithçka: edhe kultura, edhe politika, edhe jeta do të marrin tatëpjetën. Dhe askush këtë nuk do të mund ta ndalë me pankarta, me parulla apo me polici. Më interesantja është se zëri i tij nuk tingëllon si zëri i një ekstremisti. Nuk ka këtu tone të ngritura, nuk ka “shpëtim” teatral. Ai flet si dikush që tashmë e ka parë se si sistemi e merr njeriun, dhe pastaj e liron vetëm që të mund të vdesë në shtëpi. Njeri i tillë nuk beson te deklaratat e bukura, beson në pasoja. Është mahnitëse, aktori, njeri nga bota e fiksionit, flet më qartë se shumë folës profesionistë. Çasti kur e kupton se roli i tij në të vërtetë është më i gjerë se filmi dhe teatri. Nga ana tjetër e njeh modelin – në këtë lloj vendi, kur dikush e emërton saktë problemin, sistemi nuk e shpërblen, sistemi e shënjon. Ndoshta jo menjëherë, ndoshta pa zhurmë, por fillon ta shtyjë drejt margjinës dhe ta kthejë në njeri të papërshtatshëm. E njerëzit e papërshtatshëm janë gjithmonë në shënjestër, edhe kur nuk bërtasin.
Bekimi, në tetorin e atij viti, nënshkruan praktikisht një gjë: ai më nuk dëshiron të jetë dekor. Nuk do të jetë person që përdoret si dëshmi e tolerancës, derisa prapa skenës përhapet urrejtja. Fjalitë e tij tingëllojnë si paralajmërimi i fundit para stuhisë dhe në këtë ka pezëm. Paralajmërimet më shpesh u dedikohen atyre që më së paku duan t’i dëgjojnë. Si udhëton ajo intervistë pas publikimit. Dikush e lexon në mëngjes duke pirë kafe, pastaj kalon te lajmet sportive, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Dikush e lexon dhe menjëherë ndien shqetësim, sepse e njeh të vërtetën; dikush e lexon dhe zemërohet. Jo për shkak se është gënjeshtër, por sepse ia prish qetësinë. E Bekimi, vazhdon më tej me të njëjtin problem. Si të mbetesh njeri në një sistem që kërkon prej teje të jesh simbol. Këtu është çelësi.
Tetori i vitit 1982, nuk është dalja e tij politike, pika në të cilën bëhet e qartë se do të përfundojë vetëm në një mënyrë. Ose ai do të pranojë të zvogëlohet, ose koha do të përpiqet ta thyejë. Dhe koha, kur ndien rezistencë, gjithmonë kërkon skenë. Dhe për pesë vjet, në Beograd, në mes të shfaqjes, Bekimi do të bëjë hapin që në teatër duket si sakrilegj (përdhosje), por në logjikën e tij ka konsekuencën e ftohtë të përsosur.
Pesë vjet mjaftuan që paralajmërimi të kthehet në kurth, e kur kurthi pëlcet, ndonjëherë nuk e dëgjon metalin, e dëgjon heshtjen në publik.