Albspirit

Media/News/Publishing

Ina Fatos Arapi: Nga historitë e Zvërnecit

Zvërneci dhe Manastiri i tij përmenden në dokumenta historike duke nisur të paktën prej shek. XIII, por këtu një dëshmi që Mihal Theohar Papa (1899-1985) ka bërë në Nartë më 17.2.1974

– Gojëdhëna thotë se ishin dy motra kaninjote kristiane. Njëra u fut në Teqe, tjetra në Manastir. Tokat u ndanë midis tyre. Të gjitha tokat rreth e qark Manastirit kanë qenë pronë e tij. Pjesa më e madhe e tokave ka qenë kullotë. Kaninjotët kishin bagëti të shumta dhe i çonin atje. Manastiri kishte 50-60 lopë. Edhe zvërnecjotët kanë pasur bagëti, edhe çobenët po ashtu; këta të fundit u bashkuan me Shehun.

Narta nuk ka pasur kishë; Shën Jani u bë më 1851, ajo e Shën Djelës i takonte disa familjeve të caktuara. Lufta për Manstirin qe e madhe: të quhet stavropiakó apo enoriakò? Manastiri mbeti enoriakò, dmth kishë që i takonte dhe varej direkt nga Enoria e Nartës. Manastiri ka pasur pasuri të madhe. Rreth 3000 rrënjë ullinj, prej të cilave 500 rrënjë në Zvërnec dhe 2500 në Nartë, 40-50 ara në Panaja, ku edhe sot quhen arat e Manastirit… Pasuritë e Manastirit në Nartë janë formuar nga dhuratat individuale apo familjare, si dhe pak duke blerë tokën e mbjellë me ullinj nga njerëz të tjerë. Në Manastir ka pasur edhe shkollë greke. Varret e familjeve të Xhaxhove ndodhen në Manastir. Por aty nuk kanë banuar familje, sepse ishte vend i shenjtë. Meqë zvërneciotët nuk lejoheshin të flinin me gra në Manastir, ata u vendosën në Metoq. Dhe Aleksandri, episkop i Gjirokastrës, i cili ka zotëruar në shek. XIII krahinën tonë, i tha igumenit: Bëre mirë që i pranove, por ktheji bujq. Dhe me të vërtetë zvërnecjotët i paguanin 1/3 e prodhimit Manastirit të Zvërnecit.

Zverneci u quajt edhe Sebep, sepse për ato pak familje që jetonin në ishullin e Sazanit u bë shkak (sebep) mungesa e ujit dhe bluarja e drithit që të largohen nga ishulli i thatë i Sazanit dhe të vendosen në Zvërnec për të jetuar. Me vendasit u bashkuan të ardhurit nga Sazani dhe nga Myzeqeja, të cilët ndërtuan kasollet e para. Çobenjtë kanë qenë bujq të Manastirit; kur Shehu pushtoi tokën e Manastirit, ata u bënë me Shehun. Zvërneciotët, me forcë, kanë kullotur në Putanjà, Portonovë, Dajlan. Edhe më 1931 zvërnecjotët nuk e fituan me Shehun. Mendoj se Subashët të jenë të ardhur nga Myzeqeja, Bibajt të jenë shqiptarë vendas (biba-gjeli), që Stefajt të jenë vendas…

Mita Theohar Zaro (1920-1998) deklaron më 20.10.92 në Zvërnec: Unë u bëra kryetari i parë i kooperativës që nga prilli 1958 dhe qëndrova në këtë detyrë deri në dhjetor 1964. Në janar 1965, kryetar koooperative u bë Minella Llazi Biba, ndërsa kryetar këshilli i katundit u bë Andrea Biba (para disa ditësh një person që u hoq si zvërnecjot deklaroi se koooperativa në Zvërnec u krijua në vitin 1946, çka nuk është e vërtetë).

Më duhet të shtoj edhe një koment: Nga kjo unë kuptoj se tokat në bregdetin e Zvërnecit i takonin Manastirit, të paktën në pjesën më të madhe. Pas ndalimit të fesë ato duhet t’i kenë kaluar automatikisht shtetit. Pas lejimit të lirisë fetare institucioneve të kultit nuk iu rikthyhen pronat, siç ndodhi p.sh. në Rumani. Prandaj Parlamenti duhet të përcaktojë çfarë do të ndodhë me to, t’u rikthehen institucioneve fetare ose mos t’iu rikthehen. Nëse jo duhet të bëhet një ligj për pronat shtetërore në bregdet në përputhje me parimet e BE-së duke marrë si model shtetet fqinje, Italinë dhe Greqinë.