Albspirit

Media/News/Publishing

Auron Tare: “Taksixhiu dhe agjentët grekë”

Në rrugën “M. Shyri” ngrita dorën për një taksi. Një makinë e re elektrike më pa, por nuk denjoi të ndalonte. Ndoshta nxitonte drejt ndonjë personi më të rëndësishëm se transportimi i një qytetari të zakonshëm.

Pas saj frenoi një taksi e vjetër e verdhë, ngjyra e së cilës kishte hyrë prej kohësh në marrëdhënie të paqarta me diellin, shiun dhe pluhurin e kryeqytetit. Hyra brenda. Ndërsa po vendosja rripin e sigurimit, shoferi, një burrë rreth të shtatëdhjetave, më pyeti:

– Zoti Tare, ku do të shkoni?

I tregova adresën.

Pas pak heshtjeje, burri tha:

– Kam respekt për ju. Ju kam dëgjuar shpesh në televizor. Më pëlqen që e përmendni se keni qenë skënderbegas.

– Sigurisht, – iu përgjigja. – Është një shkollë që na ka formuar.

– Kam qenë tankist, – tha me një farë krenarie të qetë. – Me origjine nga Saranda po kam shërbyer në repartin e tankeve të Gardës si oficer.

Mbetëm për disa çaste secili në mendimet e veta. Makina ecte ngadalë nëpër trafikun e rënduar të Tiranës.

– Si i shikoni protestat? më pyeti papritur.

– Shumë mirë, i thashë. – Të rinjtë kërkojnë drejtësi. Kërkojnë të jetojnë në vendin e tyre me dinjitet e jo të enden rrugëve të botës.

Ai tundi kokën.

– Mua më duket se i bëjnë fqinjët.

– Cilët fqinj?

– Grekët. Ata gjithmonë na trazojnë.

E vështrova me buzëqeshje.

– Vërtet?

– Pa tjetër. Agjentë grekë janë ata që i organizojnë. Gjithmonë ata janë pas çdo gjëje.

Dyshimet e vjetra ushtarake, siç dukej, nuk e kishin lënë ende rehat.

Për ta larguar bisedën nga kjo udhë, e pyeta çfarë kishte bërë pas largimit nga ushtria.

– Emigrova në Greqi, tha. Isha pa letra. Më kapën në kohën e Micotaqit. Mua dhe të tjerë na keqtrajtuan rëndë. Pastaj na hodhën në kufi si të ishim bagëti.

Heshti për pak.

– U ktheva. Mora këtë makinë dhe ja ku jam. Punoj taksixhi.

Për disa minuta dëgjohej vetëm zhurma e motorit dhe kakofonia e trafikut.

Pastaj më pyeti:

– Çfarë do të thuash sonte për protestat?

– Do të flas për arsyet pse të rinjtë kanë dalë në shesh.

Ai më pa nga pasqyra:

– Mos harro se këto i bëjnë grekët.

– Mirë, – i thashë. – Po ushtrinë kush na e prishi?

– Berisha.

– Po tanket?

Fytyra iu vrenjt.

– Ah, mos m’i kujto. Kam qarë kur i nxorën nga reparti. Një jetë të tërë u kujdesa për to. Kur erdhi ai i skrapit, m’u duk sikur po hynte kasapi në stallë.

– Grekët?

– Jo, çfarë thua! Majko kur ishte ministër i Mbrojtjes.

– Po Sarandën kush e prishi?

– Politika jonë e mbrapshtë.

– Po Bujqësinë, spitalet? Arsimin? Fshatrat?

Ai psherëtiu thellë:

– Lëri, lëri… Vetë i bëmë. Edhe ata që qeverisin, edhe ne që i votojmë.

Makina ndaloi para hyrjes së televizionit.

– Ja, pikërisht për këto do të flas sonte, – i thashë. – Të rinjtë që janë në bulevard kërkojnë zgjidhje, jo armiq imagjinarë.

Ai buzëqeshi lehtë.

– Do të të ndjek.

Më uroi natën e mirë. Pastaj taksia e verdhë u tret ngadalë në lumin e dritave dhe të borive, ndërsa unë mbeta duke menduar se shqiptari, ndonëse e di shpesh ku qëndron faji, vazhdon ta kërkojë armikun diku larg, matanë kufirit.