Albspirit

Media/News/Publishing

Jani Malo: KUSH E KA RADHËN?

Marjana Koçeku, që la grupin e deputetëve socialistë, mbase nuk do të kujtohet për shumë gjëra, përveç zgjedhjes së saj për të mos folur me gjuhën standarde, por në gegnisht. Në fund të fundit, është më mirë të mbetesh në kujtesë për këtë sesa për ndonjë çantë apo kostum firmato, siç ndodh rëndom në sallën e Parlamentit. Por atëherë, përse dalja e Marjanës nga ai koçek ku Edi Rama mban deputetët e tij përbën lajm?

Përgjigjja nuk është aq e thjeshtë sa duket. Javët e fundit po krijohet përshtypja se anija socialiste nuk i ka punët mirë. Pikërisht kur Timonieri i kishte ngritur velat dhe besonte se erërat po i frynin në favor, kur mezi priste të kalonte Otranton për të marrë kursin drejt ujërave të Bashkimit Evropian, anija ngeci në një nga cektinat e Zvërnecit.

Shkakun secili e lexoi sipas bindjeve të veta. Ndërsa flitet shumë për barrën e rëndë që është grumbulluar në hambarë, Kapiteni fajëson motin për dallgët e jo ngarkesën. Vazhdon të thurë teori konspirative e histori me piratë. Marinarëve u kërkon të shtrëngojnë radhët dhe të kujtojnë historinë e lavdishme të flotës.

Por deti nuk impresionohet nga fjalimet. Dallgët shtohen, era fryn përballë dhe Kapiteni shihet gjithnjë e më shpesh në kuvertë. I shqetësuar, jo aq për fatin e anijes, se sa për bastin e tij që ta shohë të ankoruar në portet evropiane. Ishte një udhëtim që e kishte projektuar prej kohësh dhe mezi priste të shkelte mbi tapetin e kuq të salloneve evropiane, të gajasej e të puthej me zonja e zotërinj nëpër kancelaritë e huaja. Të bënte realitet ëndrrën për të shkruar emrin e tij në librat e historisë. Dhe befas, cektina e Zvërnecit i baltosi atletet e bardha.

Ndërkohë, marinarët dalin grupe-grupe në kuvertë dhe hedhin vështrimin nga bregu. Edhe ata me shqetësim. Kapiteni e ka dëshmuar se nuk e ka për gjë të hedhë pjesëtarë të ekuipazhit në det për të lehtësuar anijen, mjaft që hambarët të mos preken. E dinë këtë, por askush nuk guxon ta thotë me zë të lartë. Heshtja e përbashkët shpesh është forma më e mirë e pranimit.

Në këtë përzierje frike, llogarish dhe instinkti mbijetese, pak kush do ta kishte vënë bastin te një malësore e ardhur nga një krahinë ku fjala e dhënë ende ka peshë simbolike. Ajo pritej më pak se kushdo ta thyente rreshtin. E megjithatë, Marjana doli nga koçeku i Ramës dhe u bë e para që braktisi anijen.

Në vend të hamendjeve se përse iku ajo që pritej më pak, pyetja që duhet të na mundojë të gjithëve është një tjetër, shumë më interesante për bastet e së ardhmes:

Kush e ka radhën?