Arben Iliazi: Poezia e Aristotel Spiros buron nga “neus theos”

Miku i hershëm dhe bashkëkohësi im, me të cilin kam mjaft kujtime të rinisë dhe viteve studentore, prof. Aristotel Spiro, akademik i njohur për fushën e gjuhësisë, më dhuroi librin e tij me poezi “Në festën erotike”, (botim i alceus). E hap diku nga mesi dhe lexoj:
“Nuk jemi ne
ata që ekzistojnë,
por ca qenie të ndryshme
të huazuara
prej vetes sonë të fshehtë
të panjohur,
që gjendet poshtë nesh,
ndër zgafellet e fatit tonë
dhe na dhunon
nga çasti në çast
me apokalipsin”.
(Skllevër të fatit)
Vargje me një dinamikë psikike, ku poeti duket sikur interpreten tendencat bazë të qytetërimit, ku sfera kryesore e tij na paraqitet si sferë sublimimi.
Duket se sublimimi është eksperiencë tipike personale për këtë autor të veçantë, krijimtaria e të cilit përmban pandehma mbi strukturën e mënyrave kryesore të të qënit, me mjaft ndërlikime ontologjike, të cilat nuk janë vetëm formale, por i përkasin kontekstit bazë të filozofisë perëndimore, që e detyrojnë instiktin e vdekjes të vihet në shërbim të instikteve të tjera. Ja çfarë shkruan autori në poezinë “Çdo herë”:
Deri këtu ku kemi arritur
kam vdekur shpesh herë.
Tani s’ka më frikë nga vdekja.
Sa here që për ju më merr malli,
i vdekur rrugëve endem,
harruar prej botës së panjohur,
që bërtet papushim e ngulmueshëm
pranë prezencës sime indiferente.
Por në se diku ju takoj,
në një kordinatë hapësire dhe vendi,
ndërron jetë vdekja ime.
Dhe që nga hiri i harrimit
Po lind e tashmja ime e rehabilituar”.
Vetë përparimi i qytetërimit rrit prurjen e sublimimit, duke u nisur nga konceptimi origjinal grek i Logosit si esencë e qënies. Që prej kanonizimit të logjikës aristoteliane, ky term ngatërrohet me idenë e arsyes që rregullon, klasifikon dhe sundon. Pikërisht te “neus theos” (mendja hyjnore), kulmi i hierarkisë aristoteliane, buron poezia e A. Spiros, ekzistenca e së cilës s’përcaktohet e kufizohet nga asgjë tjetër përveçse vetvetes, e cila gjendet e përfshirë me çdo kusht në atë gjendje. Me një kënaqësi transcendentale, si pjesë e universit, dhe me një konceptim joreligjioz, poeti krijon lidhjen mes kësaj bote dhe qëllimit të saj në vetvete.
Rrethi i motiveve të poezisè sè A. Spiros përfshin gjithçka. Çdo tjetërsim justifikohet dhe fshihet njëkohësisht në atë unazë universale të arsyes, që është bota dhe ku ndërgjegjia e thjeshtë arrin stadin e vetëndërgjegjes, ku e gjen veten si un dhe si histori shpirtërore.
“Dashuri e pathënë,
më mban në jetë pranë jush
duke shpërfillur ngulmueshëm
barrierat e prezantimeve.
Dashuri e pathënë,
fjalë si ëndrra,
ndërthurur me dhimbje,
që mësojnë thjesht
botën më të vështirë
e më të thyeshme
në fytyrën e unit
të ty-së
dhe në trajtën e ne-së”.
(Dashuri e pathënë)
Jeta e poetit është liri dhe kapërcim, përmes shumë thirrjesh të brendshme, me ndërthurjet, format e përkohshme dhe kompromiset që ekspozojnë njerëzit, përmes apologjetikës, ku autentikja takohet me shpirtin e paqëndrueshmërisë dhe personalizimit.
Tash jam
i bindur:
Parajsë nuk ka,
As ferr.
Vec jeta ekziston,
(edhe vdekja)
(Të tradhtuar)
Me një automaticitet perceptimi dhe si observues i kohës universale, poeti kombinon perceptimet nga mjedisi i drejtpërdrejtë i së kaluarës dhe vlersimet e të ardhmes në përfundime që janë të bazuara në realitetet e situatave. Poeti është i bindur se ferri dhe parajsa mund të konsiderohen si fusha të lojës së jetës, ku dikush mund të luajë me dëshirë, apo pa dëshirën e tij, si viktimë e interiorizuar brenda universit të ndonjë loje.
Poezia e A. Spiros është si një gravurë e gjerë e jetës, ku vetë poeti është i “rekrutuar” të luftojë dhe të mendojë vazhdimisht për atë se si të bëhet më i lirë. Trillimi i problemeve sintetike duket se e çliron mendjen e tij dhe e bën atë më të aftë, duke i lënë dinamikat të pavendosura ose në realitet, në kundërshtim ndaj vetvetes dhe çdo përpjekjeje vetëvendosmërie.