Natasha Lako: Nuk di çfarë ka ndodhur
Nuk di çfarë ka ndodhur,
i pashë më në fund edhe kodrat që nga njera tjetra,
hapeshin si petale të lules të klitorit,
humnerat ndiqte drita , por më kot, me krahët deri te burimet,
si vija mashkullore dhe femërore, fare pa kthim,
nga lindin fëmijë.
Nuk e di çfarë ka ndodhur,
në trumba zogjsh përpëlitës, që ciknin ujrat e thella,
të mbushura me një etje të re,
dhe mua kimoja, e mbushur plot lule qershije
më dilte përpara.
Nuk di çfarë ka ndodhur,
përse kërkoja të ikja më larg,
me lajme të mira, prej dritës që kodrat i çel si petalet,
dhe qiellin si një bletë të mjaltit të ëmbël e ngre në fluturim
deri sa në rrugët e Tiranës të lexojë, pllakë pas pllake,
atje ku ende nuk është shkulur shënimi “mos pështyni në tokë”
edhe mbi fytyrat e pafajshme, të shumë dashurisë,
parashikuar që kushedi se kur.
Nuk di çfarë ka ndodhur.