Arben Iliazi: “I arratisuri”, romani ontogjenik i Taip Sulkos
Taip Sulko më dhuroi romanin e tij, “I arratisuri” (Botimet Naimi-2024). E vërteta është vetëm liria dhe çmimi që paguhet për të. Pa këtë liri toka shndërrohet në një ferr të vërtetë. Në romanin “I arratisuri”, ngritur mbi një univers irracional, ferri është përqëndruar në një qytezë të quajtur Anadell, dhe është një ferr që rrezaton një fashë drite për të gjithë botën shqiptare, nëpërmjet kthimit të së shtypurës. Sulko nuk flet për histori të nëndheshme, por për një qytetërim të pamundur, që bazohet në shtypjen e vazhdueshme të instikteve njerëzore dhe ku luhet lufta e përjetshme për ekzistencë, me një dinamikë të jashtëzakonshme psikike. Në Anadell energjitë devijohen, shtypja ruhet me fanatizëm dhe duket sikur nuk ekziston asnjë alternativë tjetër veç “arratisjes”. Këtë marrëdhënie ekzistenciale dhe sublimim të lumturisë, Sulko e sheh me një idealizëm moral, nga një këndvështrim i ri kulturor dhe sociologjik, pa cunguar rrënjët instiktive të shoqërisë dhe pa mistifikuar marrëdhëniet shoqërore, duke arritur të depërtojë në strukturën historiko-sociale të këtij qytetërimi të brishtë. Në këtë këndvështrim “I arratisuri” është një roman eksperimental metapsikologjik, me reflektime të gjalla shpirtërore ku vetëdija shpirtërore nuk është një dhomëz e rezervuar, por është një dritë me prani të fshehtë dhe rrezatuese.
Në këtë roman instiktet bazë të njeriut nuk janë kundërshtare të panënshtrueshme. Për të qeverisur realizimin e tyre ato shndërrohen në parime të realitetit, duke vënë në lëvizje gjithë aparatin psikik të botës historiko-sociale. Heroi lirik i romanit, Ermiri, lihet i lirë në fantazinë e tij të ndjekë qëllimet e tij natyrore, nëpërmjet peripecive të arratisjeve, që janë më shumë një rebelim ndaj realitetit, se sa një kënaqje tërësore e nevojave njerëzore. Sulko i ka përshkruar arratisjet si procese të ndërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme, si dimensione të një rendi gjenetiko-historik, në një mjedis natyror dhe njerëzor të traumatizuar.
Në këtë roman, lexuesi njihet me një numër të konsiderueshëm personazhesh, të cilët Sulko i ka pasqyruar me kujdes, duke i individualizuar, tipizuar, konkretizuar dhe emotivizuar.
Kështu, mësuese Sosja, prifti Hal Kryevidhi, Lalë Rrapi e Mentor Shelgu, I plotfuqishmi, Gjyla, Ulumani, Tunxhi, Sidrita, cigania Anja, Engjëlli, Rezarti, Radiopërhapja, Memeci i Malajt, Engjëlli me teatrin pa fjalë, plazmohen dhe përcaktohen në marrëdhënie më njëri-tjetrin. Në pamje të parë duken si ikje nga historia, por në të vërtetë janë pika ku takohet individi i rëndomtë me shoqërinë e kudopranishme, që nuk gjendet askund, dhe ku shenjohet tensioni dhe ndërveprimi social. Personalizimi që përdor autori nuk kufizohet në trajtimin e njerëzve si seri. Ata janë e kundërta e një universi personal, sepse në mjedisin ku gjallojnë gjithçka sistemohet, asgjë nuk krijohet, askush nuk i hyn aventurës së një lirie të papërgjegjshme, siç bën Ermiri.
Duke mohuar identitetin e shtypjes të ngritur nga ideologjia sunduese, Ermiri vlerëson “realitetin” ontogjenetikisht dhe përkulet para parimeve të realitetit, ku gjendet organizimi shtypës i instikteve, duke shpërndarë një mesazh për brezin e tij. Vetëdija e këtij fakti i jep drejtim gjith ngrehinës ontogjenetike të romanit, sipas së cilës sjelljet ekzistenciale tè njeriut te shtypur, si arratisja apo rebelimi, lindin në çastin që despotizmi i brendësuar, kufizimet e vëna nga pushteti dhe sundimi shoqëror, suprimojnë zhvillimin biologjik universal, duke shtuar faktorë sociologjikë, të kundërt me dinjitetin dhe zhvillimin historik. Por autori nuk na thotë se në çfarë mase protagonisti e zhvillon gjendjen natyrore dhe “arsyen”, pasi ai mbetet një subjekt i pandërgjegjshëm që përpiqet të transformojë nevojat e tij instiktive origjinale në një sistem racional që i imponohet nga jashtë, dhe mbetet i lirë vetëm në fantazinë e tij.
Në këtë roman rioganizimi i kujtesës shoqërohet edhe me riorganizimin e përmbajtjes njohëse të fantazisë, duke rifituar kështu të vërtetën e tyre.
Ikja nga realiteti, ose arratisja, është një metaforë përsiatëse, e cila shërben si urë reflektimi, që bashkon botën konkrete me mendimet abstrakte, duke vizualizuar kalimin e pandalshëm dhe efektin që koha lë mbi jetën.
Logjika e brendshme e këtij konceptimi, me një kompleksitet të pazakontë të strukturës së mendimit dhe fjalisë, na imponohet në këtë vepër me një koherencë të madhe gjuhësore dhe stilistike, duke krijuar një tekst të rrjedhshëm, të qartë, poetik dhe mjaft bindës, me paralelizma psikologjikë dhe një ekzistencë të trupëzuar lirike.
Shkrimtari Taip Sulko është një spiritualist modern që di ta ndajë botën nga njeriu, si dy kategori të pavarura materiale dhe shpirtërore, duke e lënë materien në fatalitetin e saj dhe ku bashkimi i dy botëve mbetet i pashpjeguar. Si shkrimtar i avangardës krijuese, Sulko i jep vetes të drejtën për të diktuar rregullat kategorike të shpirtit, duke e bërë botën një dukje të shpirtit, edhe pse kjo dukje duket paradoksale.