Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Xheni Krypi

E dua

E dua zbrazëtinë e mbetur pas teje,
që ka formën e njeriut,
ulur mbi kanapenë e pritjes,
edhe orën kur dera hapet
me zhurmën e njohur të pritjes,
e rrethuar nga rrathët e tymtë të dhimbjes —
e dua.
E dua duke të dashur,
të flas për dashurinë e shkrirë
në formë njeriu.
Dashurinë e bërë flokë
që me krehërin e brengosjes
mbesin çdo mëngjes.
Dashurinë e bërë sy
mes njerëzve, për të më kërkuar.
Dashurinë e bërë mjekër
që thinjet çdo ditë
nën peshën e marrëzive të mia —
e dua.
E dua edhe ajrin ku të ndiej,
se aty ishe pak më parë.
Muret ku ende janë sytë e tu,
drejtuar nga unë.
Tingëllimin e zërit tënd
pas fjalës së kryer.
E dua edhe zbrazëtinë
e mbetur pas teje.

Motiv lumturie

Jam e lumtur,
tejmase e lumtur.
Mezi pres dyzimin e orëve
për t’u kthyer
andej nga kam ardhur.
Asgjë s’më mungon.

Dashuri

Mund të bëj dashuri
kur të dua,
me shtirjen e lodhur.
Pas kësaj të shtrihem
mbi pisllëkun e rrjetës së rretheve,
e më pas, në zgjim,
të shijoj amalgamën e hidhur
të pasojave.
Jam e lumtur, po, po,
tejmase e lumtur.
Askush si unë
s’e pret dyzimin e orëve.

Brenga e emigrantit

Me duart e natës
mbjell mërzinë në këto hapësira.
Me duart e agimit
përkëdhel flokët e djalit, të vajzës.
Me duart e Nënës
mbjell shpresën.
Me duart e shpresës
vras trishtimin.
Mirëmëngjes, çdo mëngjes
i them diellit.
Me duart e tij
ndriçoj ardhmërinë.
I uritur, nxitoj
drejt detit dhe qiellit.

Etje

Dua t’i fal diçka
kësaj nate,
yjeve.
T’ju fal pak puthje.
Kam kohë pa puthur.
Kështu etjen shuaj.

Më hyre në ëndërr

Më hyre në ëndërr
dhe endesh kufijve të saj,
pa mundur të dalësh
të jesh krejt reale.
Vegimi yt — horizont i paskaj.
Horizonti — shkumë vale.
Deti i harresës oshëtin madhërisht,
copëza kujtimesh
hedhur në breg si leshterikë.
Ti del çdo ditë prej ëndrrës,
pabesisht,
e ëndrra pëshpërit:
Mos ik… mos ik…