Odise Kote: Ata erdhën…
Ata erdhën me gjakun e Arbërit në damarë,
me kodikët e thinjur shkruar në çdo qelizë.
Lanë makinat ndezur, muzikën, shtëpitë hapur,
fluturuan avionët drejt Shqipërisë.
S’kishin harruar që ’97-tês nuk ia mbyllën plagët,
as vitit pasardhës, Gërdecit, as 2011 – tës.
U gënjyen për ca kohë, besuan verbërisht,
se do t’u zbardheshin korbave, pendët.
Kishin lënë një copë tokë e qiell – atdhe,
lumin, pjergullat pa hedhur mbi lisa – mëmëdhe.
Një monument dashurie për atin dhe nënën,
për sytë e përlotur të pritjes dhe ëndrrës.
Ata erdhën nga kontinenti matanë oqeanit,
erdhën dhe nga kontinenti që na mban pezull.
Ata erdhën se plagët e padrejtësisë, dhimbjet,
thonë gjithmonë të vërtetën.
Ata erdhën…