14 prill 1987: Dita kur e gjithë Jugosllavia mbeti e nemitur
Fahri Musliu
Beograd, mbrëmje në teatër. Ajo frymëmarrje e njohur teatrale, shushurima e palltove në errësirë, ndonjë koll që gëlltitet në gjysmë, tingulli i hollë i programit që përkulet në duar. Dritat ulen, skena bën punën e saj kurse publiku beson në marrëveshje. Ju neve iluzionin, ne ju vëmendjen. Shfaqja është “Madam Kollontajn”, e autores suedeze, Agnete Plejel, në skenë është Bekimi – njeriu që ka kaluar Kanën, ka kaluar Perëndimin, ka kaluar Prishtinën dhe ajo ndjenjë kur të shtyjnë drejt daljes që të mos bëhet skandal. Tani qëndron këtu, në qendër. Luan dy role të dy personazhe të njohura politike; Leninin dhe Stalinin, dy figura kontroverse të Revolucionit Sovjetik të Tetorit, 1917. Aty ku pritet që gjithçka të jetë nën kontroll, ai bën një hap, që nuk bën pjesë në hapat teatrorë, nuk pret që të lëshohet perdja, nuk pret që publiku të vendosë nëse ishte mirë. Ai del dhe e braktis skenën gjatë ekzekutimit të dramës. Jo si improvizim, jo si gabim, por si vendim. Në sallë ndodhi ajo pauzë e shëmtuar, e pakëndshme. Njerëzit nuk dinin si të reagojnë, sepse publiku nuk është trajnuar për të vërtetën. Publiku është trajnuar për fundin e aktit të shfaqjes, e këtu nuk ka fund akti. Këtu marrëveshja bie poshtë para syve. Në çast e tillë, teatri bëhet gjykatore. Të gjithë instinktivisht kërkojnë shpjegim, sikur shpjegimi mund ta kthejë kontrollin. Pak njerëz do të guxonin të rrënonin suksesin e vet, famën në vend dhe në botë. Rrëfimi formal tingëllon njerëzishëm – probleme organizative. Por këtu shfaqen dy rrëfime. Njëri për publikun, tjetri për mirëkuptimin. Rrëfimi formal tingëllon njerëzishëm – probleme organizative. E gjithë ajo që bukur hyn në një fjali dhe nuk kërkon që askush të marrë përgjegjësi morale. Organizimi është fajtor i përshtatshëm, sepse nuk ka fytyrë, nuk mund ta pështysh në sy, nuk mund ta nxjerrësh në skenë, ndërsa rrëfimi tjetër është i zhveshur dhe i pistë – pikërisht për këtë është i rrezikshëm.
Por Bekimi thotë se arsyeja e vërtetë është përhapja e urrejtjes antishqiptare dhe propaganda. Fjali pas së cilës nuk ka më truall neutral. Sepse, nëse kjo është e saktë, atëherë dalja e tij nuk është ekstravagancë e artistit, por refuzim për të qenë pjesë e një makine që urrejtjen e bën normalitet.