Parid Turdiu: Libohova, kryeqendra e Zagorisë
E meriton Libohova të jetë bashki apo duhet të shkrihet me Gjirokastrën?
E keqja e Libohovës është suksesi i familjeve libohovite, të cilat arritën pozita të spikatura dhe u transferuan në Stamboll e Tiranë, duke dobësuar Libohovën.
Diaspora libohovite duhet të mbrojë djepin e saj!
Isha në Libohovë me një çift kushurinjsh. Ishte e dielë, qendra xhan-xhin. Më në fund, një burrë i ri, 35 vjeç, doli nga një makinë. Dukej për së mbari. I thashë:
“Më fal, je prej këtu apo turist”?
“Jo, jo, prej këtu”.
“Unë jam nga një familje e vjetër libohovite, Pipa. Ia ke idenë se ku kanë banuar”?
Ai: “Nuk e kam dëgjuar këtë familje”.
Ishim afër tabelës “Rruga Arshi Pipa”.
Unë: “Po plasi sytë, shih tabelën”!
E kam fjalën që kanë ikur libohovitët. Ai djali nuk ishte vendas.
Krahina e Zagorisë, e mbrojtur nga vargmalet e thyera të Jugut, ka shërbyer historikisht si një nga vatrat më të qëndrueshme të fisnikërisë arbërore. Në këtë trevë hodhi rrënjët dinastija e dëgjuar e Zenebishëve. Si qendër kryesore politike, ushtarake dhe administrative e kësaj krahine u profilizua Libohova.
Zenebishtët ishin me origjinë libohovite.
E pozicionuar në mënyrë strategjike në shpatin jugperëndimor të malit të Buretos, pranë grykes se Çajupit ku hyhet ne Zagori, Libohova ngrihet mbi luginën e gjerë të Drinos. Ky pozicion jo vetëm që u ofronte sundimtarëve një pamje ballore mbi të gjithë luginën dhe rrugët tregtare drejt Janinës e Gjirokastrës, por përfitonte edhe nga burimet e bollshme të ujit dhe mbrojtja natyrore që ofronte masivi malor pas saj.
Gjatë shekullit XIV, me dobësimin e pushtetit bizantin, familja e Zenebishëve njohu një ngritje të shpejtë politike. Nën udhëheqjen e krerëve si Gjon Zenebishi, ata konsoliduan zotërimet e tyre në të gjithë Epirin e Veriut. Për të mbrojtur këtë nyje kyçe të zotërimeve të tyre, mbi një kodër dominuese në Libohovë u ngrit fortifikimi i parë mesjetar.
Shekuj më vonë, në fillim të shekullit XIX, Ali Pashë Tepelena e rimori këtë pikë strategjike për ta transformuar tërësisht. Në kuadër të projektit të tij të madh ushtarak — që përfshinte ngritjen dhe rindërtimin e kështjellave mbrojtëse në Tepelenë, Gjirokastër, Porto Palermo e Sarandë — Ali Pasha e rindërtoi nga themelet kalanë e Libohovës. Ai ia dhuroi këtë kështjellë komplekse me katër kulla këndore motrës së tij, Shanishasë, e cila u martua me nje nga krerët e familjes Libohova.
Ura e lidhjes mes Shanishasë dhe parisë vendëse forcoi pozitën e oxhaqeve libohovite (si familja e njohur Libohova /Aslanpashallinjtë), të cilët luanin tashmë një rol qendror në politikën rajonale. Gjatë shekujve të sundimit osman, bejlerët dhe juristët e Libohovës u bënë ndër figurat më me ndikim në të gjithë perandorinë. Nga kjo vatër dolën administratore të nivelit të lartë, guvernatorë, ushtarakë dhe diplomatë që lanë gjurmë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në stafin drejtues të Stambollit.
Ky qytet u njoh si një nga qendrat më aristokratike dhe me ndikim ekonomik e politik në viset jugore te Shqiperise.
Me shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912 dhe konsolidimin e shtetit shqiptar, Libohova vazhdoi të luajë një rol protagonist. Personalitete nga familjet e saj historike morën pjesë aktive në ngjarjet kryesore kombëtare, përfshirë Qeverinë e Vlorës dhe diplomacinë e periudhës së Mbretërisë Shqiptare, ku shquhet figura e Mufid Libohovës si kryeministër e ministër i shtetit.
Gjatë shekullit XX, pavarësisht ndryshimeve politike dhe sociale, Libohova ruajti profilin e saj si një vatër e arsimit, patriotizmit dhe kulturës qytetare.
Sot, Libohova është një bashki me trashëgimi të pasur kulturore e historike që tërheq vëmendjen e vizitorëve dhe kërkuesve. Kalaja e saj imponuese, Rrapi shekullor në qendër të qytetit dhe arkitektura e restauruar e shtëpive karakteristike dëshmojnë për të kaluarën e saj si qendër e pushtetit feudal dhe administrativ.
E mbështetur mbi historinë e familjeve të saj dhe e rrethuar nga natyra e paprekur e Zagorisë, Libohova gezon potencial te veçantë per turizmin historik, kulturor dhe ekologjik.