Artan Shkreli: Feneri socialist në Europë

Hartat kineze, përsa e çuditshme mund të duket, e paraqesin me vonesë hapësirën tonë në Ballkan, por duhet thënë se kjo ndodh njëkohësisht me paraqitjen e Europës… dmth vetëm aty nga fundi i shekullit XVI dhe natyrisht nën ndikimin e hartografisë europiane.
Për saktësi bëhet fjalë për vitin 1584 në hartën e quaktur “Kunyu Wanguo Quan Tu” (坤舆万国全图) realizuar nga jezuiti italian Matteo Ricci.
Përpara Riccit, hartat mesjetare kineze e paraqisnin Botën nga këndvështrimi i ngushtë kinez, ndërsa Europën ose nuk e paraqisnin fare, ose e paraqisnin fragmentarisht përmes informacionit të ardhur nga Azia Qendrore.
Gjithsesi duke iu shmangur bërjes së një kronologjie të paraqitjes së Shqipërisë në sino-hartografi, paraqes këtu hartën e parë të saktë botuar vetëm në Kinën e vitit 1967 – pjesë interesante e kartografisë së Luftës së Ftohtë në epokën e Revolucionit Kulturor Kinez.
Botuar në gjuhën kineze, harta përshkruan Shqipërinë, asokohe të sunduar nga Enver Hoxha, në kohën kur ajo ishte shkëputur nga Bashkimi Sovjetik dhe po zhvillonte marrëdhënie politike jashtëzakonisht të ngushta me Kinën Maoiste. Në 1967 marrëdhënia me të ishte veçanërisht e rëndësishme për orientimin politik, ekonomik dhe ideologjik shqiptar, dhe mund të themi madje se 1967-a ishte viti i “revolucionit kulturor shqiptar”, edhe pse nuk ishte kopje e Revolucionit Kulturor kinez. Shqipëria kish nisur një metamorfozë shumë të thellë të jetës së përditshme, familjes, arsimit, kulturës, fesë, ushtrisë dhe marrëdhënieve shoqërore.
Kjo reflektohet edhe në këtë hartë, në pjesën e sipërme të saj (shoqëruar nga portreti i Mao Ce Dunit) ku me ton deklarativ shkruhet:
“Shqipëria e një populli heroik është bërë fener i madh i socializmit në Evropë”.
Përtej gjeografisë së detajuar të Shqipërisë, harta është një shembull i jashtëzakonshëm se si kartografia, ideologjia dhe politika ndërkombëtare kombinoheshin në një objekt të vetëm – dokument i shtypur gjatë miqësisë Shqiptaro-Kineze.