Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Kronikë e gjenocidit grek në Çamëri…

“Sherifeja” e Petrit Begatit, një epifenomen historiko – letrar.

Publicisti dhe diplomati Petrit Begati më dhuroi librin e tij “Sherifeja” (botimet albas-2026). Vepra ngrihet mbi një figurë reale, mbi një dëshmi të drejtpërdrejtë të nënës së tij, Sherife Dine (Kasemi), një nga të mbijetuarat e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë . Autori jep një pasqyrë të gjerë mbi këtë tragjedi, duke e përdorur historinë e nënës për të ndërtuar një tekst narrativ biografik dhe linear, me ndjeshmëri të pazakontë, që shkon përtej fakteve të thata, deri në përmasat e amshimit, duke theksuar mesazhe universale, që hedhin tej çdo urrejtje, në kërkim humanizmit dhe të drejtësisë njerëzore.

Në vepër nuk ka asgjë të trilluar, nuk ka fantazi të brendshme, por e gjithë materia e saj semantike ka një ekzistencë të patjetërsueshme dhe të mishëruar, pasi u referohet ngjarjeve reale, fondamentalizmit, barbarizmit dhe shpërthimit të urrejtjes etnike, që i detyrojnë çamët drejt eksodit dhe lirive të pamundura, edhe pse ishin njerëz të qytetëruar që e meritonin lirinë e vet dhe dëshironin një jetë kuptimplote. Nëpërmjet homazhit përdëllyes për nënën, që duket si e mbuluar nga hiri hyjnor, pas frustrimit ekzistencial shoqëruar me neuroza, autori e gjykon historinë sipas atij kallëpi që e quan arsye, thekson e nxjerr në pah shpirtin unikal të popullit të tij. Në kontekstin e luftës dhe të një arene politike, mbushur me paragjykime, theksohet edhe dimensioni tipik njerëzor, fisnikëria e shqiptarëve ortodoksë, që ranë pre e manipulimit dhe përçarjes etnike, në kushte rrethanore.

Autori ka zgjedhur këtë zhanër të tregimit jofiksional, me qëllim që narrativa t’i mbetet besnike realitetit dhe t’i përmbahet së vërtetës. Ngjarjet rrënqethëse parakalojnë si në një film bardhezi, me tension të brendshëm, saqë lexuesi i zakonshëm mund t’i marrë të vërtetat për fiksione. Përshkrimi autentik takohet lehtë me çastin krijues, duke kaluar lehtë në letërsi. Ky epifenomen historiko- letrar e bën mjaft tërheqës tregimin “Sherifeja”, si një nga veprat më të mira botuar kohët e fundit. Promovimi u zhvillua të hënën, më 22 qershor 2026, në ambjentet e “Hotel Internacional”, Tiranë , nën kujdesin e fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”.