Albspirit

Media/News/Publishing

Auron Tare: “Dritan Goxhaj Versus Mergimtari”


Më kapi syri sonte një postim të KM mbi figurën e një prej zërave të protestës.
Qesha se dukshëm ishte dora e një farë zotnie i PR-i, që qenka kthyer nga mërgimi i gjatë dhe është hedhur në botën e spin-it. Për më shumë ka marrë përsipër edhe detyrën të rregullojë jo vetëm fjalitë e pushtetit, por edhe nervat e pozitës.
Mërgimtari ynë ka prekur me dorë të hollë edhe postimet e ditës së Kryeministrit, duke i dhënë atyre atë shkëlqimin e njohur të një postimi që nuk thotë gjithmonë ç’di, por di gjithmonë ç’duhet të thotë.
Në këtë mjeshtëri të citimeve, një postim i Dritan Goxhaj është marrë si perlë e rastit, një fjali nga Gjiri Persik, ku Goxhaj ndan mendimin se aventura amerikane në Iran është një dështim ushtarak. Menjëherë ai sulmohet si Irianist.
Ndërkohë, bota matanë oqeanit ku të zotët e Luftës kanë halle me votuesit e tyre, zërat kundërshtues nuk kanë pasur as mirësinë të jetë më e përmbajtur. Zëra si ai i Tucker Carlson flasin me një force jo më pak të ashpër kundër aventurave të luftës në Iran dhe një pjesë e madhe e opinionit amerikan, 74%, e sheh me dyshim çdo zjarr të ri që ndizet në emër të paqes.
Por në këtë anë të Adriatikut, çdo gjë merr trajtë tjetër, këtu fjala nuk peshon për atë që thotë, por për atë që mund të nënkuptohet dhe njeriu nuk gjykohet për veprën, por për hijen që i ngjitet pas.
Kështu, për ata që nuk e njohin zotin Goxhaj.
Kur të tjerët, sipas këtij rrëfimi, merreshin me fondacioneve ku bëheshin para, ai, ndodhej në llogore të Kosovës, në një kohë kur historia shkruhej me gjak. Djalë i një ushtaraku i cili la Tiranën dhe doli maleve me UÇK-në Dritan Goxhaj e ka treguar me vepra përkushtimin e tij për Atdheun.
Fyerjet ndaj tij si pro iranian, islamik apo të tjera si këto janë një përpjekje e ulët për të baltosur një njeri që flet me vepra dhe jo me kulisa sallonesh.
Prandaj kur portreti i tij shfaqet në mesin e protestës, ky është një ogur i mirë se më në fund njerëz me zemër po i dalin zot vendit.
Nëse Dritan Goxhaj gjendet aty për flamurin dhe për një “Shqipëri të Re” atëherë edhe unë, jam me të ashtu si dikur në Kosovë, kur flamuri nuk ishte slogan, por barrë mbi shpinë dhe rrezik mbi kokë.