Cikël poetik nga Shaban Murati
I ke parë?
I ke parë shinat ndonjëherë
Ngado që zgjaten,
thyhen,
kryqëzohen,
dyshe janë
vetëm, asnjëra s’hyn në punë.
Dhe ti, eja tek unë
Që mbi në të dy të kalojnë
Vagonat e zhurmshëm
të lumturisë.
Pranverë
Nga harta topografike e qytetit
të fundmet shtëpi të vjetra,
u shuan
siç fshin një nikoqire e mirë
njolla të vogla, në një rrobe
të bukur, me benzinë
Dhe,
mbi qytet ngrihen avuj benzine
me aromë pranvere përzier
veçanti,
e qytetit tim industrial.
Kur isha i vogël
Kur isha i vogël
kurrë nuk kuptoja
pse njerëzit thyheshin
prej dashurisë
thua të ishin aq barrërëndë?
Kur isha i vogël
kurrë nuk kuptoja
pse njerëzit fluturonin
prej dashurisë
thua të ish e lehtë pendë?
Kur isha i vogël.
Gazeta “Drita”, 19 prill 1964.