Bledar Koçi: VËLLAI
U vrenjt vëllai atë natë
fytyrës njomëzake,
një lot i shembur gjurmëthatë
i qante nëpër faqe.
Dritaren hëna rrezesh lan
hutuar një vështrimi,
e ngrirë fugë atje mbi xham
si pikëz pikëllimi…
….
Më prisnin udhë në tjetrin ag,
ca yje të kem shokë.
Dhe lot i ndarjes pragun lag
Ta gdhinim të dy tok.
Kudo të jesh na qesh kjo hënë,
– Më thotë vëllai xhan.
Në qoftë e plotë a gjysmë e ngrënë,
unë sytë i mbaj mbi xham.
Diç nxori xhepit ashtu beftë,
kur nata rrekej dritë,
Diçka ndër duar majëmprehtë
Parvazit që skalit.
Dy germa emrash gdhendi fort,
Të shtrembër pranë e pranë.
Dy shkronjat tona sa një botë,
Me mua dhe vëllanë.