Saimir Kadiu: “Refuzimi i madh” që tronditi Mesjetën
Shumë e njohin shprehjen “refuzimi i madh” (il gran rifiuto), të përjetësuar nga Dante Alighieri në “Komedinë Hyjnore”, por jo të gjithë dinë historinë e jashtëzakonshme që fshihet pas saj.
Bëhet fjalë për një ngjarje reale që tronditi botën e krishterë në fund të shekullit XIII: dorëheqjen nga froni papnor të Papa Celestinit V, në dhjetor të vitit 1294.
I lindur si Pietro da Morrone, ai ishte një eremit i përulur, i njohur për jetën asketike, lutjet dhe shenjtërinë e tij. Pas një konklave të gjatë, që zgjati më shumë se dy vjet për shkak të përçarjeve mes kardinalëve, ai u zgjodh Papë si një figurë kompromisi. Megjithatë, i mësuar me heshtjen e shpellave dhe jetën e vetmuar, Pietro e kuptoi shpejt se nuk ishte i krijuar për intrigat politike dhe barrën e drejtimit të Kishës.
Pas vetëm pesë muajsh në fronin papnor, ai mori një vendim të paprecedentë: hoqi dorë vullnetarisht nga papati. Ishte një gjest i papërfytyrueshëm për kohën, pasi Papa konsiderohej i zgjedhur për gjithë jetën. Pikërisht për këtë arsye, dorëheqja e tij u quajt “Refuzimi i Madh”, një akt që u diskutua për shekuj me radhë nga teologë, historianë dhe shkrimtarë.
Dante Alighieri e përmendi këtë episod në Këngën III të Ferrit, në një varg që ka ngjallur debat të pafund mbi identitetin e personazhit të cilit i referohej. Shumica e studiuesve besojnë se bëhet fjalë pikërisht për Celestinin V, të cilin poeti e konsideroi përgjegjës për braktisjen e detyrës së tij në një moment kritik për Kishën.
Pietro da Morrone vinte nga trevat e Molises, dhe tradita e lidh ngushtë me Isernian, qytet që e kujton si një nga figurat e tij më të shquara. Nga një eremit i panjohur ai u bë Papë, nga Papë u bë simbol i dorëheqjes më të famshme në histori, dhe më pas u përjetësua në një nga veprat më të mëdha të letërsisë botërore.
Ironikisht, gjesti që për shekuj u konsiderua i papërsëritshëm u rikthye në qendër të vëmendjes vetëm në vitin 2013, kur Papa Benedikti XVI dha dorëheqjen, duke u bërë Papa i parë pas më shumë se shtatë shekujsh që hoqi dorë vullnetarisht nga froni i Shën Pjetrit.