Albspirit

Media/News/Publishing

IRMA KURTI INTERVISTON POETEN AMERIKANE ELAINE MARIE CARNEGIE-PADGETT

Kam lindur dhe jam rritur në Teksas si dhe më pëlqen të shkruaj… kjo është ajo që bëj!

Për shumë vite kam punuar si asistente ligjore dhe hetuese private, duke përgatitur dhe redaktuar dokumente ligjore. Kam ndjekur kurse dhe kam punuar me forcat e rendit lokal, me FBI-në dhe Teksas Rangers duke përmirësuar njohuritë e mia në këto profesione dhe kjo përvojë pasqyrohet në shumë nga tregimet e mia.

Në fushën e gazetarisë fillova të punoj si redaktore dhe reportere në një gazetë, pastaj me një koleg botuam një “Udhëzues Rajonal për Vizitorët“. Artikujt e mi u pritën mirë dhe u botuan në revista me fokus Mirëqenien dhe Stilin e Jetesës, Udhëzues për Vizitorët, platforma online etj.

Artikuj të shkruar nga unë janë përdorur në Sistemet Shkollore Rajonale të Teksasit për t’u mësuar fëmijëve të shkollës së mesme rreziqet e internetit, në Legjislaturën e Teksasit për të kontrolluar forcën e prokurave në Shtetin e Teksasit, një rrjetin televiziv Discovery ID në një dramë rreth Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe pasojave të tij në jetën njerëzore.

Kam botuar dyzet tregime të shkurtra dhe shumë poezi në antologji të ndryshme që janë të disponueshme në Amazon dhe në faqen time të internetit si dhe në librari të tjera online. Aktualisht po punoj me “Romanin e Krimeve në jug”. Unë dhe SARAH jetojmë në Pyjet Piney të Teksasit Lindor të rrethuar nga “foshnjet” e mia (fëmijët e rritur dhe nipërit e mbesat), dhe kjo është jeta që na pëlqen!

Kur dhe si filluat të shkruani?

E kam dashur gjithmonë letërsinë. Kam shkruar poezi (edhe pse jo shumë mirë) gjatë viteve të shkollës dhe më pas kur shkova të punoja për një gazetë në vitin 1976 bëja intervista dhe i ktheja ato në artikuj biografikë. Në vitin 1978 u kualifikova në detyrë dhe u bëra përgjegjëse e një rubrike javore me emrin tim. Fatkeqësisht, kolegu im ndërroi jetë dhe deri në vitin 2010 kam shkruar raporte, kam bërë kërkime dhe hulumtime. Në 2010 fillova të punoj për një gazetë tjetër në Texas Hill Country. Atë vit krijova blogun tim, shkruaja tregime të shkurtra të cilat i kam botuar në antologji me botues të ndryshëm. Kam shkruar dy libra, por nuk i kam botuar. Gjithmonë më ka pëlqyer ta shprehja me fjalë gjithçka që kam në mendje dhe në zemër .

A e mbani mend poezinë apo tregimin tuaj të parë?

Po. Isha 12 vjeç dhe fliste për gjendjen e trishtueshme të amerikanëve vendas në Amerikë. Kujtoj që shkova në bibliotekë dhe kërkova fjalë në gjuhën komançe, për t’i përfshirë ato në poezi.

A ka ndikuar përvoja si hetuese private në krijimtarinë tuaj?

Puna si asistente ligjore për vite me radhë, më ndihmoi të isha e përgatitur tashmë për “anën ligjore”, megjithatë, të punoja nga afër me njerëz nga të gjitha sferat e jetës, në situatat më të ndryshme që mund të imagjinoni, më hapi sytë. Mësova shumë për jetën dhe kjo krijoi një sfond më të pasur për shkrimet e mia.

Si ju afruat gazetarisë?

Ndjenjat e mia kanë ndryshuar qysh atëherë dhe tashmë më lumturon të shkruaj për veten dhe të tregoj historitë që më pëlqejnë. Fillimisht, përpiqesha të shkruaja atë që më diktohej nga të tjerë ose që besoja se do të kishte sukses, por tani tregoj historitë që zemra ime dëshiron të tregojë dhe jam e lumtur për këtë. Nuk skicoj apo planifikoj. Ulem përpara  një faqeje të bardhë dhe shkruaj. Pastaj bëj kërkime dhe kështu fillon të formëzohet një plan. Në këtë pikë mund të skicoj ose planifikoj ngjarjet e ardhshme, dhe së fundmi të punësoj lexues dhe redaktorë  për të patur një produkt sa më të rafinuar.

Keni botuar dyzet tregime të shkurtra dhe shumë poezi në antologji nga shtëpi botuese të vogla. A jeni më e lidhur me poezinë apo me prozën?

Me poezinë. Më pëlqen liria e rrjedhës dhe ambienti emocional i poezisë, megjithëse herë pas here shkruaj edhe prozë. (Ndoshta jo mirë).

Çfarë përfaqëson për ju Shtëpia Botuese “Stone Pony”?

Shtëpia Botuese “Stone Pony” u krijua kryesisht për të botuar krijimtarinë e blogut tim (i cili tani është shpërbërë), megjithatë do të vazhdojë me botimet e antologjive një herë në vit, siç është bërë traditë për pesë vjet. Kam botuar tre libra përveç blogut, një libër për fëmijë dhe një libër me vizatime e ngjyrime. Kam ndihmuar dhe inkurajuar shumë autorë që janë në fillimet e tyre letrare me redaktimin e librave. Mendoj se kjo është pjesa më e bukur për mua, të ndihmoj ata që sapo kanë filluar të shkruajnë.

Mund të na tregoni diçka për botimet më të fundit?

Antologjitë me titull “Udhëtime” më bëjnë vërtet krenare! Antologjia “Udhëtime përmes kohës” u botua me rastin e 5-vjetorit të fillimit të botimeve dhe ndërkohë po pres me padurim Antologjinë e vitit 2026.

Ç’kanë të përbashkët pjesa më e madhe e poetëve?

Sipas mendimit tim, shumica e poetëve kanë një kuriozitet të thellë dhe një dashuri për gjuhën dhe rrëfimin e historive. Ashtu si një ditë e ngrohtë dhe e bukur pranvere ku qielli ngjyrë blu vazhdon të ekzsitojë dhe ndez brenda diçka që mbetet në një mënyrë ose në një tjetër…

Cila është këshilla juaj për autorët e ardhshëm?

Mos reshtni kurrë së mësuari dhe shkruani sepse eshtë diçka që ju pëlqen. Është e lehtë të dekurajoheni, të tundoheni të dorëzoheni, por mos e bëni këtë. E nesërmja është një ditë tjetër dhe do t’ju ofrojë mundësi të reja.