Sejmen Gjokoli: FESTIVALI I KOTËS – IDENTITET SHPIRTËROR, FUQI EGZISTENCE
Katër edicione nuk janë shumë por edhe pak nuk janë.
Janë mjaftueshëm për të bërë një analizë tërësore e për të dalë në disa përfundime që ja vlen të dihen e të merren parasysh.
Nisja: Ja nisi si një projekt por më tepër si një vizion buruar nga titullari i Bashkisë Selenicës Nertil Bellaj qysh në nisje të ushtrimit të detyrës, në muajt e parë të mandatit.
Mbi një toke “djerrë” për të tilla aktivitete, pa as më të paktën histori festivalesh, një inisiativë e tillë do të përbënte jo vetëm risi por do të shtronte përpara edhe vështirësi jo të vogla dhe jo thjesht në planin organizativ, më tepër në kapërcimin e koncepteve e barrierave që në kësi rastesh krijohen natyrshëm për shkak të mungesës së përvojës.
Nuk menduam ta personalizojmë në emërtim as me simbolika nga natyra, historia e trashëgimia materiale ku në këtë teritor gjënden me tepri po as me emra figurash të njohur si kontribues të mëdhenj në fushën e krijimit si e të lidhur me krijimtarinë popullore të zonës.
Kur bëhet fjalë për një festival të mbështetur tërësisht në burimet njerëzore folklorike të territorit në juridiksion e ku nuk mungojnë as diversitetet kulturore folklorike e as ato etnokulturore në përgjithësi duhet të jesh i kujdesshëm në ruajtjen e ekuilibrave apo të balancave që vijnë prej ndjesive njerëzore.
“Festivali Folklorik i Bashkisë Selenicë” i ka të gjitha brenda okeljos së vendosur, ndërkohë i hapur për të gjitha zhanret dhe gjinitë folklorike të zonës, nisur nga kënga vllahçe e vet Selenicës ku institucioni i pushtetit vendor ka selinë e që shtrihet në ekstremin verior të hartës së bashkisë e deri te kënga qazimademçe e Smokthinës, në skajin tjetër jugor të territorit.
Edicioni i parë u zhvillua në qytetin e Selenicës si për të thënë që prej këtu duhet të nisë jo vetëm në respekt të emrit të madh e historik të këtij qyteti por edhe për faktin se pikërisht këtu u realizua vendim marrja për këtë akt të madh kulturor.
Më tej festivali do të çvendosej në qendër të Kotës aty ku pas Drashovicës mbetet porta e dytë e Labërisë, një lokacion me një emër të madh e të njohur jo vetëm për shkak të historisë së luftrave por edhe në vitet kur krahina e gjithë nisi transformimin e madh të zhvillimit.
Festivalet janë si ortekët që e nisin me pak dëborë mbështjellë e pastaj rrokullisen duke bërë jehonë të madhe.
Por ndërsa ortekët bëjnë edhe dëme, festivalet vetëm se shtojnë jehonën, shikueshmërinë, promocionin, vlerat e pa numërta në fondin e trashëgimisë kulturore.
Kështu edhe “Festivali Folklorik i Bashkisë Selenicë”, nisjen e bëri në mënyrë modeste me pak pjesëmarrje nga grupet e zonës por kjo vetëm sa për të dhënë një sinjal të qartë e të vendosur për edicionet e ardhëshme.
Gjashtëmbëdhjetë grupe pjesëmarrëse në edicionin e fundit që përkon me të katërtin në Kotë flet për një sukses të jashtëzakonshëm, një pjesëmarrje dhe vlerësim si asnjëherë tjetër më parë.
Jo vetëm si anë sasiore, kjo mbetet jo pak e rëndësishme, performancat e grupeve patën një prurje tejet për tu vlerësuar si një arritje e pa diskutueshme e festivalit, Kota-2026.
Mjafton të përmendim faktin se në këtë edicion shënuan emrin për të parën herë prej fillimit të festivalit katër grupe të rinj si Brataj, Gumenica, Mazhar Sevasteri e Mazhar Lapardha, duke e plotësuar kështu edhe më dukshëm dimensionin gjeografik të festivalit.
Dhe këtu nuk kemi cekur njësitë e vogla instrumentale të cilat duke qenë se mbartin vlera të drejtpërdrejta baritore tregojnë edhe një herë larminë e formave dhe mënyrave të të shprehurit të folklorit të Labërisë.
Siç e bëri edhe më të qenësishme këtë konsideratë monofonia e Gjormit interpretuar mjeshtërisht nga një prej këngëtareve të njohura të kësaj ane Fanete Seferaj e shoqëruar po mjeshtërisht në fyell nga Hair Alushaj, një nga virtuozët në këtë instrument pastoral, pjesë e dyzinës labe me instrumenta popullorë e zeje në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës në vitin 1983.
Po edicioni i këtij viti shënoi dhe një dimension të ri e tepër të rëndësishëm e asfare të shpalosur më parë; rininë e festivalit.
Një dominim gati i habitshëm e befasues për të gjithë.
Pjesëmarrjes së të rinjve në grupe ku kjo më dalleshëm tek grupi i Sevasterit apo “Autokton”, këtë radhë u ushtuan dy grupe vetëm me struktura të reja si ai i Vllahinës dhe Gjormit të cilët ishin “qershia mbi tortë” e festivalit.
Djemtë e rinj të Vllahinës si dhe vajzat e djemtë e Gjormit pa as më të vogëlin hezitim i dhanë një tjetër faqe të shkëlqyer rinore të tri mbrëmjeve folklorike të Kotës.
Aq shumë u mirëpritën nga publiku i gjerë sa jurisë profesionale me “Mjeshtrat e Mëdhenj”, Golik Jaupi, Artur Dhamo e Kristo Çipa ju desh të “thyente” korrnizën e çmimeve të vendosur nga organizatori i festivalit duke u ndarë të dyve “Çmimin Special për të Rinjtë”.
Po edhe këtu njëherazi u duk fryti i asaj pune të nisur nga institucioni i bashkisë me një program të posaçëm e të drejtpërdrejtë në punën me të rinjtë e shkollave posaçërisht për mësimin dhe interpretimin e këngës labe.
Pa dashur të bëj analiza të detajuara rreth prurjeve folklorike nga grupet pjesëmarrëse në këtë material do të dëshiroja të trajtoj veçmas veçoritë e këtij festivali.
Për çudi po edhe për ndryshe sa dikush rreket të trajtojë rrezikun dhe asfiksinë e këngës tradicionale të Labërisë jo vetëm Kota festival por gjithandej në viset e jugut, madje në qendra të qyteteve si Tepelena, Memaliaj, Gjirokastra, Saranda, Delvina e deri në Pilurin e Bregdetit e Golëmin e Labërisë, si në një rrjet festivalesh, gëlojnë edicionet e radhës me këngë e valle polifonike.
Ka arësye pse “Festivali i Bashkisë së Selenicës” ka fituar një admirim të veçantë në të gjitha zonat ku kënga jonë tradicionale ka shtëpinë e vet.
Flasim për festivale të mirëfillta të këngës polifonike, për festivale tipologjike, mbasi në disa prej festivaleve të sipër cituara ka vendin e vet edhe vallja popullore burimore apo e përpunuar të cilat vijnë përmes ansambleve folklorike.
Festivali i Kotës është unikal në llojin e vet jo vetëm si strukturë organizative, jo vetëm për shkat të standarteve rigorozisht të zbatuara duke filluar me promocionin, disiplinën artistike, disiplinën skenike, kohëzgjatjen e performancave, paraqitjen skenike me kostumet popullore etj. por kryesorja nga qëllimi dhe misioni i festivalit.
Është i vetmi festival në të gjitha trevat ku zhvillohen festivale, brenda shtetit amë po edhe në trojet shqiptare, i cili mbahet vetëm me burimet njerëzore artistike,grupet e këngës, brenda territorit në juridik të bashkisë.
Qëllimi është që çdo taksë e programuar në buxhetin e vitit për aktivitete kulturore të shkojë drejt-përdrejt në mbajtjen gjallë dhe vënien në lëvizje të dukurisë shpirtërore, këngës tradicionale polifonike e cila për këtë zonë është nga vlerat më të qenësishme të trashëgimisë kulturore shpirtërore.
Edhe të qenit me statusin e një festivali garues ka pikërisht këtë qëllim; nxitjen e këngëtarëve dhe grupeve të këngës për të realizuar performanca në nivele sa më sipërore por edhe të shpërblehen ata që vërtet përmes punës e jetës artistike në vazhdimësi bien për publikun produkte të rralla në ruajtje të këngës së traditës.
Është unikal gjithashtu edhe në raport me formën dhe strukturën e organizimit.
Në tri mbrëmje me radhë Kota shndrohet në një shesh mejdan të këngës tradicionale të Labërisë por edhe këngës së komunitetit vllah që falë autenticitetit të ruajtur me fanatizëm mbeten përherë një vlerë e shtuar e festivalit.
Tri mbrëmje ku qendra e Kotës gjallon nga këngët, instrumentat popullorë e ritet tradicionale popullore, nga komuniteti me vendas, emigrantë të kthyer me pushime si dhe vizitorë vendas e të huaj duke i dhënë një zhvillim të dukshëm edhe subjekteve që operojnë në fushën e kulinarisë dhe prodhimeve tipike të zonës.
Është unikal edhe për shkak të mënyrës së konkurimit në skenë ku të gjitha grupet ndahen në mënyrë të barabartë në të dy netët e para të festivalit e ku, përmes gjykymit të jurisë, grupet më të mira nominohen për çmime duke e bërë natën finale jo vetëm një spektakël të vërtetë folklorik por duke realizuar vërtet një ballafaqim të denjë për çmimet “oscar” ku bota i realizon në evente ku ndahen trofetë e mëdha kulturore e artistike.
Ka edhe një arësye jo pak të rëndësishme pse mbetet unik mes “si vëllezërve” të vet; ndjekja që i bëhet festivalit mbetet mbresëlënëse, gati e pa besueshme, madje nga edicioni në edicion edhe më shumë.
Kjo tregon se festivali është i mirëpritur jo vetëm nga festivalistët, nga bartësit dhe interpretuesit e këngës, por edhe nga qytetarët ç’ka tregon se vizioni i administratës së bashkisë dhe këshillit bashkiak i cili miraton mbështetjen financiare për festivalin ka ditur të qëllojë në shenjë, bash përmes një aktiviteti që plotëson jo vetën kërkesat estetike dhe social kulturore të banorëve të vet por shpalos njëkohësisht fuqinë ekzistenciale të shpirtit krijues të një zone të tërë me burime të mëdha njerëzore, historike, trashëgimore, kulturore, natyrore e turistike.
“Festivali Folklorik” i Kotës, Bashkia Selenicë, një argument më shumë për këtë realitet që tenton të zhvillohet falë resurseve të veta teritoriale përmes fuqisë së vet social ekonomike, turistike e kulturore.
Udhëheqës Artistik i Festivalit